Koço Kokëdhima: Rilindja rrëzohet vetëm me zgjedhje të lira
Manifestimi i Rilindjes të shtunën e kaluar në Sheshin ‘Nënë Tereza’ dhe Pallatin e Kongreseve vërtetoi shqetësimet e partisë ZGJIDHJA për degradimin total të vendit nën sundimin e Ramës dhe situatat tragjike që përjetojnë shqiptarët nën partinë-shtet.
Gjithë Shqipëria është vënë në shërbim të një njeriu, egos së tij për pushtet të pakufishëm, përdhunimin e çdo të drejte kushtetuese dhe njerëzore të shqiptarëve, përdorimin pa hesap të fondeve dhe resurseve shtetërore për mitingje elektorale dhe mbajtja në rresht e të gjithë administratës dhe familjarëve të tyre në shërbim të partisë, sot për shfaqje në ERTV, nesër në grumbullimin e votave.
ZGJIDHJA, kur thotë se duhet bërë urgjentisht reforma zgjedhore, për votën e lirë dhe të barabartë të shqiptarëve, ka parasysh edhe përdorimin kriminal të fondeve shtetërore nga partia në pushtet. Kështu ka bërë ndër vite Saliu, kështu po e rëndon krimin Rama.
Ato gjysëm milioni euro të harxhuara për diarrenë paraelektorale në Tiranë dhe qindra milionë të tjera që janë harxhuar dhe do të harxhohen për tubimet e dhunshme të ‘Bashkia që duam’, janë paratë e shqiptarëve të telendisur në ditët më të zeza të qenies së tyre, është buka e tyre e munguar në sofër, e sotmja e trishtë dhe e nesërmja e pasigurtë.
ZGJIDHJA u bën thirrje ndërkombëtarëve t’i shikojnë dhe t’i analizojnë me vëmendje këto spazma fashiste të Rilindjes dhe rrezikun që sjellin për vendin.
Rama, me shantazhe dhe me dhunë për bukën e gojës, mund të mbledhë në shesh edhe 80 mijë punonjësit e administratës shtetërore, mund t’i detyrojë dhunshëm që t’ia japin votën, bashkë me familjarët e tyre, por thellë brenda tyre, edhe ata, si shumica e shqiptarëve të mbetur këtu dhe diaspora e detyruar që të lërë atdheun, mezi presin rrëzimin e tij, siç rrëzuan diktaturën në fundvitin 1990.
Por ai nuk rrëzohet as me pazaret e PD-LSI, as me zgjedhje pa standarde që ato i bëjnë së bashku me PS-në për të ndarë tepsinë dhe timonin.
ZGJIDHJA u kumton shqiptarëve se e vetmja rrugë për të shpëtuar nga diktatura e Rilindjes janë zgjedhjet e lira dhe të barabarta. Ato janë armiku i diktaturave dhe diktatorëve, çlirimi për shqiptarët dhe e ardhmja për vendin.
#ZgjidhjaPerShqiperine