Konferenca e Tiranës që tronditi Enver Hoxhën pas Kongresit të XX-të në Moskë
Spartak Topollaj
Hrushovi drejtmajës së pushtetit, pasi eliminon BerianAshtu si pa u ndjerë, Hrushovi filloi t’i lëvizë fijet e padukshme deri te kapilarët e partisë (që urrenin gjarpërinjtë e Sigurimit) për të hapur rrugën drejt majës së pushtetit. Kjo duhej bërë shpejt dhe pa humbur kohë, përpara se “Qeni i Kuq”, siç thirrej Beria, të mund të kafshonte. Dhe këtu ai s’kish sesi të mos siguronte përkrahjen e shumicës së Presidiumit 14-të anëtarësh e kandidatësh, përfshi dhe dy nga “kuajt” e Trojkës, Malenkovit dhe Molotovit, të cilët e njihnin mirë superkriminelin e djallëzuar dhe kryeintrigantin gjeorgjian, këtë kameleon të paklasifikueshëm. Për të realizuar skemën e tij, Hrushovi thirri në ndihmë Zhukovin, Marshallin “bonapartist”, siç e quajti më vonë dhe zëvëndësin e Berias, Serovin, që gjithashtu për 1001 arsye i trembej dhe e urrente shefin e tij. Beria arrestohet nga këta të dy, gjykohet dhe ekzekutohet në fshehtësi të plotë, siç kish bërë vetë më parë me një numër pa fund drejtuesish të të gjithë niveleve, pa mundur ta gëzojë Vitin e Ri 1954. Bashkë me atë, të njëjtin fat pësuan, tre nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij Merkulov, Rjumin dhe Abakhumov.
Tani udhëheqja e re, ku hynë edhe Zhukovi e Serovi, e pati më të lehtë marrjen e masave dhe reformave të guximshme në të gjithë sektorët, jo vetëm duke anuluar shumë nga vendimet dhe metodat represive e drastike të kohës së Stalinit, por edhe ndryshimet menjëhershme për përmirësimin e jetesës së popullit dhe fillimin gradual të liberalizimit të shoqërisë, si edhe u bënë ndryshime të dukshme në politikën e jashtme, si armëpushimi në Kore, shtensionimi i marrëdhënieve me Jugosllavinë e Titos, me vendet e Perëndimit e sidomos me SHBA-në. Në shtator 1953, Hrushovi zgjidhet edhe de jure Sekretar i Parë i KQ dhe nga kjo pozitë, sulmoi, kritikoi ashpër, e ngarkoi me përgjegjësi për gabime të rënda Malenkovin, duke emëruar Bulganinin në vend të tij në krye të Qeverisë Sovjetike. Shumë ministra të shkarkuar, mbetën megjithatë të kënaqur, teksa u dekretuan ambasadorë, ndërsa vetë Molotovi i shpëtoi përkohësisht kësaj dallge që po merrte përpara një kastë të tërë stalinistësh.
Në këto rrethana, nga 14-26 shkurt 1956, u mbajt në Kremlin i famshmi Kongres i XX-të i PKBS, me praninë e 1436 delegatëve të përzgjedhur me kujdes personalisht nga Hrushovi dhe bashkëpunëtorët më të besueshëm të tij (1356 me votë deliberative dhe 80 me votë konsultative). Ky Kongres, pa mëdyshje historik, me raportin sekret të Hrushovit, ku sundimi i Stalinit u quajt tirani dhe u denoncua ashpër e pa doreza kulti i tij i individit, tronditi rëndë komunizmin botëror dhe veçanërisht, vendet ku regjimet komuniste ishin në pushtet! Që në seancën inauguruese, çliruar nga fantazma e Stalinit, me fjalën hyrëse që zgjati 5 orë, Hrushovi nuk është se s’e befasoi dhe tronditi sallën, pavarësisht përzgjedhjes së delegatëve apo pjesëmarrjes së 55 delegacioneve të huaja komuniste, ku spikaste Mao Ce Duni, Ho Shi Mini, Kim Ir Seni, Dezhi, Vilhem Piku, Torezi, Toliati, Ibaruri, etj pa lënë mënjanë në fund Enver Hoxhën. Për të parën herë u pranua si alternativë fitorja e socializmit pa revolucion, me rrugë parlamentare, pra me votë demokratike dhe u hodh teza e bashkë-ekzistencës paqësore mes dy blloqeve të mëdha. Për shmangien e çdo situate jo normale dhe zbardhjen e ndonjë paqartësie, shërbeu ndërhyrja e Mikojanit, i cili foli hapur për gabimet e rënda të Stalinit në politikën e jashtme dhe përmendi shumë nga personalitetet e partisë dhe të shtetit të ekzekutuar pa asnjë faj në vitet ’30-të!
Raporti sekret në Kongres me krimet e përbindshme të Stalinit
Më datën 24 shkurt, u zgjodh K.Q. i ri me 133 anëtarë dhe 122 kandidatë, ndërkohë që delegatët u ftuan të marrin pjesë të nesërmen në një seancë me dyer të mbyllura, në të cilën u mbajt dhe i famshmi raport sekret i N. S. Hrushovit: Mbi kultin e individit dhe pasojat e tij. Që më 1955 ishte ngritur një Komision me në krye Sekretarin e K.Q., Pospjellov për verifikimin e të gjithë krimeve, fajeve, gabimeve dhe përgjegjësive të epokës staliniste. Më 9 Shkurt 1956, Komisioni paraqiti para Presidiumit materialin tronditës të përgatitur, me miratimin e Hrushovit dhe Shepilovit, material i cili, u vendos t’i paraqitej Kongresit, pavarësisht kundërshtimit të treshes Kaganoviç, Voroshillov, Molotov. Raporti sekret i paraqitur në Kongres mëngjesin e 25 Shkurtit nga Hrushovi, shokoi sallën e Madhe të Kremlinit. Stalini, denoncohej, fajësohej, akuzohej dhe dënohej rëndë, si shkaktar i të gjithë të këqijave, por jo vetë Partia?! Stalini u akuzua jo vetëm për eliminimet e tmerrshme të udhëheqësve të Partisë, Shtetit dhe Ushtrisë, në vitet ’30-të, por sidomos për mungesën e përgatitjes, përballimit dhe komandimit të Ushtrisë së Kuqe në dy vitet e para të Luftës së Dytë Botërore, kur edhe ajo pësoi humbjet më të rënda. E pafalshme për Hrushovin ishte mospërmendja e Masakrës së Katinit ndaj 22.000 oficerëve robër polakë në mars të 1940-të, kryer nga Beria pas urdhrit të Stalinit, zbuluar nga ushtria gjermane më 1943, që dhe ish akuzuar si autore e Masakrës, e fshehtë që u zbardh vetëm pas vitit 1990, e që nuk lehtëson dhe përgjegjësinë e aleatëve anglo-amerikanë, që ishin në dijeni të së vërtetës. Nga ana tjetër, Hrushovi heshti dhe për farsat gjyqësore dhe ekzekutimet, ndaj disa prej udhëheqësve në vendet e Demokracive Popullore, siç quheshin aso kohe, vendet e Europës Lindore. Kështu Slanski, Rajku, Kostovi dhe Xoxe u mashtruan për “interes” të Partisë dhe Socializmit, duke iu premtuar falja e jetës, edhe pse “pranonin” fajësinë si agjentë imperialisto-titistë, dhe u ekzekutuan pa mëshirë.(Natyrisht ata kishin bërë krime dhe e meritonin dënimin, por krimet e tyre u bënë me dijeninë, miratimin dhe urdhrat stalinistë të udhëheqësve në vendet e tyre respektive, siç qe rasti i Koçi Xoxes, i cili kur kuptoi mashtrimin në seancën e fundit farsë të gjyqit, deklaroi: “Qofsha bir kurve, po fola më, pasi çdo krim është bërë me dijeninë, miratimin dhe urdhrin e Komandantit”?! Si e përmendëm më sipër, mes 55 delegacioneve të huaja që morën pjesë në Kongresin e XX të PK të BS, ishte dhe ai i PPSH-së, kryesuar personalisht nga Enver Hoxha. Si e përjetoi ai këtë atmosferë të acartë të destalinizimit, në Moskën e Shkurtit 1956, ç’mendonte dhe ç’plane ogurzeza projektonte dhe thurte ai për të ruajtur, mbajtur, konsoliduar e përjetësuar sundimin despotik të tij? Hipokrit, kameleon, intrigant, prapaskenist klasi, siç edhe ishte ai, Enveri po përgatiste Kongresin e III të Partisë, por para saj ishte Konferenca e Tiranës (Prill 1956), por për këto dhe ngjarje të tjera të mëdha, si vizita e çuditshme, enigmatike e plot mistere e Hrushovit në Shqipëri, do të bëjmë fjalë në pjesën e tretë të këtij shkrimi.
Si e zbuloi raportin e fshehtë gazetari
hebreo-polak, Viktor Grajevski?!
Në një numër të reduktuar kopjesh, nën siglën TOP SECRET, të nesërmen e mbajtjes, Raporti me kapakë të kuq, iu shpërnda të gjithë krerëve të delegacioneve dhe Sekretarëve të Parë të të gjitha Partive Komuniste, pra kuptohet edhe Enver Hoxhës. Interesant mbetet fakti se si u bë e mundur që, në vend të shërbimeve të fuqishme inteligjente, aq të interesuara për ta shtënë në dorë atë, raporti u sigurua prej një gazetari të ri e mjaft të pashëm hebreo-polak, 32-vjeçarit Viktor Grajevski,(ndryshe Viktor Shpilman), kryeredaktor i PAP (Agjencia Polake e Lajmeve), e dashura e te cilit, Luçia Baranovski, sekretare e Eduard Ohabit, kreut të Partisë e Shtetit polak, në prag divorci me bashkëshortin, zv/kryeministrin e vendit, e pakujdesshme dhe e turbulluar nga pasioni, e kish lënë librin mbi tavolinën e zyrës ?! Ai iu lut asaj nëse mund t’i hidhte një sy raportit, por ajo për hir të dashurisë ia ofroi atë ta lexonte të tërin, me kusht që t’ia kthente deri në orën katër të pasdites, se duhej mbyllur në kasafortë. Pas një hezitimi të shkurtër, gazetari u nis drejt ambasadës izraelite, ku në fillim e pritën ftohtë, madje me skepticizëm dhe mosbesim, por shpejt e kuptuan se çfarë u kish rënë në dorë dhe sakaq e foto-filmuan. Më 5 qershor, raportin të plotë e publikoi The New York Times?! Duket e pabesueshme, por ky raport, për herë të parë u publikua i plotë në Bashkimin Sovjetik të Gorbaçovit, vetëm më 1989, nga gazeta Izvjestia!?
Tashmë që çdokush mund ta lexojë raportin, dalin në pah tmerret e regjimit të kuq stalinian me ekzekutimet, burgjet, gulagët e llahtarshëm, terrorin në masë, varfërinë ekstreme etj, përshkruar nga mijëra prej atyre që e vuajtën atë dhe mbijetuan, ndër të cilët shkëlqen nobelisti Sollzhenjicin me “Arkipelagun Gulag”. Nga ana tjetër, për paradoks, sado e pabesueshme por është e vërtetë se një profesor universitar amerikan (në fakt ai jep Letërsinë Angleze të Mesjetës), i quajtur Grover Carr Furr III, neostalinist paranojak, në disa prej librave të tij të viteve të fundit, si p.sh.”Hrushovi Gënjen”, justifikon krimet e tmerrshme të Stalinit, madje edhe e ekzalton figurën monstruoze të tij! Le ta ilustrojmë lajthitjen e këtij “profesori”, vetëm me një fakt: nga 139 anëtarët dhe kandidatët e K.Q. të PKBS, zgjedhur nga Kongresi i XVII, 98 prej tyre ose 70% u arrestuan dhe u ekzekutuan, ndërsa nga 1966 delegatët pjesëmarrës në Kongres, 1108 prej tyre patën të njëjtin fat të zi!
Konferenca e Tiranës që tronditi Enverin
Enver Hoxha që e përjetoi gjithçka ndodhi drejtëpërsëdrejti, madje dhe e përshëndeti Kongresin, kthehet në Tiranë plot dilema për vijën që tani e tutje do të ndiqte PPSH-ja, e cila po përgatitej për Kongresin e saj të Tretë. Ndërkohë në rrethe, para Kongresit pritej të zhvilloheshin edhe Konferencat e Partisë, nga të cilat ajo e Tiranës, prill 1956, jo vetëm befasoi por edhe e tronditi Politbyronë dhe vetë Enverin me frymën e saj të ngjashme me atë të Kongresit të XX. Enver Hoxha, ky mjeshtër i madh i lojës së dyfishtë, ende nuk e kish ndarë mendjen se me kë do të ishte: Me Stalinin e balsamosur në mauzoleum pranë Leninit në sarkofag xhami, poshtë mureve të Kremlinit në Sheshin e Kuq, apo me Hrushovin, liderin e gjallë sovjetik, zyra e të cilit ndodhej vetëm disa metra më tej…?! Po t’i referohemi kujtimeve të kryesekretarit personal të diktatorit tonë, apo si quhej ndryshe Shef i Sektorit të Përgjithshëm, Haxhi Kroit, këtij burokrati unikal, që mund ta quajmë edhe ROLEX-i i Enverit, Komandanti pushonte gjatë, sa në Karlovi Vari, aq edhe në Soçi e Sukhumi, sa në Drilon, aq edhe në Vlorë, apo Dajt(madje Nexhmije Hoxha nuk lejoi botimin e tyre, pasi dilte që Enveri, tërë jetën më shumë kishte pushuar se sa kish punuar)! Kështu, teksa pushonte për shtatë palë qejfe në rezidencën e tij në Ujë të Ftohtë, mori një telefonatë shumë shqetësuese nga Beqir Balluku, i deleguari i K.Q. në Konferencë, i cili e njoftoi mbi situatën e rëndë të krijuar nga diskutimet e forta dhe pyetjet e shumta drejtuar udhëheqjes, prej një numri të madh delegatësh, mbi shkeljet e abuzimet e Bllokut në luks, ndërsa populli vuante mungesën e ushqimeve, që ishin me triska, mungesën e vendeve të punës, strehimit, veshjeve dhe mallrave të domosdoshme, gjendjen e mjerueshme në fshat, burgosjet, internimet, etj. I kthyer me urgjencën më të madhe, ai hyri si i tërbuar në sallë, që me urdhër të tij tashmë ishte rrethuar nga forca të shumta të Sigurimit dhe Policisë. I informuar më së miri për zhvillimet në Konferencë, ai sulmoi egërsisht diskutantët disidentë, madje duke i etiketuar si të nxitur e frymëzuar nga Legata Jugosllave!? U arrestuan dhjetëra delegatë, disa prej të cilëve si Liri Gega ish-anëtare e Byrosë Politike, Gjeneral Dali Ndreu (bashkëshort i saj), kolonel Petro Bullati (kunat i Vasil Shantos), etj u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan me shpejtësi si agjentë të Beogradit!
Hrushovi i kërkoi Enverit të mos pushkatonte Liri Gegën
Hrushovi iu lut Enverit, të paktën t’i kursehej jeta Lirisë tetë muajshe shtatzënë por ai, si rëndom, nuk pati asnjë pikë mëshirë?! Kongresi i III-të i PPSH u mbajt nga 25 maj deri më 3 qershor 1956. Ai ishte kongres hipokrizie dhe dyfytyrësie i Hoxhës, çka vërtetohet nga fakti se materialet e tij, u botuan disa herë në versione të ndryshme dhe në varësi të koniukturave politike dhe kalkulimeve djallëzore të tij.
Revolta e parë e armatosur ndaj një regjimi komunist të pas Luftës së Dytë është ajo në Shqipëri, që njihet si Revolta e Koplikut e 1945, por Bota njeh si revolta të para ato të shpërthyera në RDGJ, më pas në Poznan, Poloni dhe si kulm Revolucionin Demokratik të Tetorit 1956 në Hungari, të shtypur me tanket sovjetike të Hrushovit, sipas një skenari të Juri Andropovit, ambasador sovjetik i kohës në Budapest, më pas Shef i KGB-së dhe në fund kreu i Partisë dhe Shtetit Sovjetik pas Brezhnjevit (1982-1984). Në këtë periudhë udhëheqja sovjetike përfshihet nga ethet e një gare, të ashtuquajtur paqësore, për ta arritur e madje edhe për t’ia kaluar SHBA në të gjitha fushat, ndërkohë që Lufta e Ftohtë vazhdonte, sovjetikët hodhën në orbitën e Tokës edhe satelitin e parë SPUTNIK (Bashkudhëtari) më 4 tetor 1957, i cili pasi përshkoi 70.000.000 km, ra i djegur. Në delirin e madhështisë deri te krijimi i njëriut të ri sovjetik, Hrushovi urdhëroi hedhjen në orbitë të SPUTNIK 2, kësaj here me një qenie të gjallë brenda, vetëm një muaj pas të parit, në prag të 40 Vjetorit të Revolucionit Bolshevik, më 3 nëntor 1957. Mes tre qenve u përzgjodh LAJKA, që mbijetoi vetëm shtatë ditë, ky program i sputnikëve, qe vepër e shkencëtarit Sergej Koreljev. Shkrimtari Jarosllav Gollovanov në Librin “Kozmonauti Nr.1”, tregon se në të vërtetë raketa e parë me dy qentë Dezik dhe Cigan ishte ngritur që më 1951 deri 100 km. dhe pas 15 minutash kishin bërë ulje me parashutë. Por njeriu i parë që fluturoi në orbitën e Tokës me VOSTOK 3 KA-3 dhe u kthye si hero, ishte Juri Gagarin më 12 prill 1961, i thirrur me humor “xhuxhi gjigand”, nga që ishte vetëm 157 cm i lartë, i cili pati një fund tragjik më 27 mars 1968, teksa avioni që pilotonte u rrëzua dhe u dogj bashkë me të. Pas tij, kozmonautë të shquar ishin German Titov dhe Valentina Tereshkova. Tani ishte rradha e amerikanëve që garën, si ata atletët e distancave të gjata, s’e nisën me sprint, por vrapuan të sigurtë drejt kozmosit duke ulur njeriun e parë në Hënë. Kjo ndodhi më 20 Korrik të 1969 kur “APOLLO 11” u ul pas 385.000 km. rrugë mbi sipërfaqen e të vetmit trup qiellor, satelit i Tokës, me astronautët Neil Armstrong, Michael Collins dhe Buzz Aldrin.
Kompromisi i Enverit me Hrushovin në 1957-ën
Në nëntor të 1957 në Moskë u mbajt Mbledhja e Partive Komuniste të Botës, në të cilën nuk mund të mungonte PPSH dhe kreu i saj Enver Hoxha. I ndodhur mes dilemash të shumta dhe pothuaj i vetëm (PKK dhe Mao Ce-Duni ende nuk dilnin haptazi kundër Hrushovit) ndjeu rrezikun e spostimit nga pushteti, si po ndodhte në shumë vende komuniste në frymën e Kongresit të XX-të të PKBS, me krerët e Partive apo Shteteve respektive, ai vendosi të bëjë një kompromis të përkohshëm me Hrushovin, nisur edhe nga gjendja reale shumë e rëndë ekonomike e vendit dhe nevoja jetike për ndihmat sovjetike dhe vendeve të tjera socialiste për realizimin e Planit të Dytë Pesëvjeçar. Deklarata përfundimtare e Mbledhjes së Moskës, vetëm sa e konfirmoi kompromisin, që zgjati de facto edhe tre vite dhe de jure edhe katër të tillë. Duhet thënë, se Hrushovi ishte i pari që bëri shkrirjen e akujve stalinistë dhe Informbyroistë të 1948-ës me Titon, teksa vizitoi Jugosllavinë e u takua me Titon më 1955 (me vete kishte edhe Bulganinin). Hoxhës nuk kish si t’i pëlqente kjo, pasi nga një servil i neveritshëm i Titos, deri më 1948-ën, ai ishte shndërruar në një armik i betuar i tij me nxitjen e më të fortit, Baba Stalinit! Në të vërtetë ishin të “deleguarit” e Titos, Miladini e Dushani, ata që e kishin sjellë Hoxhën në krye të Partisë e më pas edhe të Qeverisë. Në një akt të turpshëm, të paprecedent dhe të pafalshëm, në korrikun e 1946-ës, gjatë vizitës gati dy javore të Enverit në Jugosllavi, ky i fundit pranoi të poshtërohej nga Marshalli deri aty, saqë edhe pse brodhi e gjezdisi gjithë Federatën, nuk u lejua të vizitonte, as edhe një minutë të vetme Kosovën shqiptare! Nga ana tjetër, edhe vetë Tito, që s’la vend të Botës pa shëtitur, nuk denjoi kurrë ta vizitonte fqinjin jugor, Shqipërinë! Hrushovi bëri disa përpjekje ta pajtonte Enverin me Titon dhe arriti në një farë mënyre ta bënte përkohësisht këtë. Por aty nga fundi i ’57-ës e fillimi i ’58-ës, Hrushovi u ftoh me Titon, që nuk pranoi tërheqjen prapa nga qëndrimet e Kongresit të XX-të ndaj Stalinit në Deklaratën e Moskës. Kjo e detyroi Hrushovin të pohonte se paskësh patur të drejtë Stalini, madje ai, fill pas vizitës në Shqipëri e përcjelljes nga Hoxha e Shehu në aeroport, shkarkoi nga detyra e Ministrit të Mbrojtjes dhe anëtarit të fuqishëm të Byrosë Politike, Marshallin Zhukov, i vetmi i dekoruar katër herë, hero i Bashkimit Sovjetik. Në vitet 1956-’59-të Hoxha vizitoi gati të gjitha vendet e ashtuquajtura të demokracive popullore, e më së shumti vetë BS, ku pati rast që qëndroi edhe deri dy muaj, ashtu si dhe e kundërta që lider të shumtë komunistë vizituan Shqipërinë. Në këtë klimë të krijuar, Enveri mendoi se nuk duhej humbur rasti të realizohej vizita e premtuar disa herë e Liderit sovjetik, N S. Hrushovit në Shqipëri./gsh.al/