Albspirit

Media/News/Publishing

Rilindja dhe SHQUP-i dinë të bëjnë vetëm pazare

Arben Rrozhani, Sekretar për PR i Partisë Zgjidhja

Rama iu rikthye pazareve të dy viteve më parë me PD-në, duke u shprehur se do të ofronte zgjedhje të parakohshme, por vetëm nëse PD-ja do të fitonte një bashki më shumë se partia e tij, në zgjedhjet vendore. ‘Lulzim Bashës dhe atyre që e ndjekin pas i themi që na vjen keq. Premtuat se do të jeni zëri i atyre në parlament. Por një ftesë e kam ende për ju. Jeni ju qe keni rrokatisur kokën shqiptare dhe ndërkombëtarëve për reformën zgjedhore dhe votimin elektronik. Hajdeni ta miratojmë. Pastaj ne e votojmë vetë në parlament. Nëse ju fitoni një bashki më shumë ju them se jemi gati për zgjedhje të parakohshme”- iu drejtua SHQUP-it kreu i Rilindjes.

ZGJIDHJA e ka thënë shumë herë se partitë e vjetra nuk dinë dhe nuk duan që të bëjnë reforma integruese dhe demokratizuese për vendin. Ato bëjnë vetëm pazare për të mbajtur njëra-tjetrën në pushtet.

Kështu kanë bërë që nga 21 prilli 2008, kur Berisha dhe Rama ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor për të çimentuar pushtetin e kryetarëve të PD-së dhe PS-së.

Kështu bënë edhe më 17-18 maj 2017 me marrëveshjen famëkeqe, që pasoi ‘Çadrën e lirisë’. U harruan zgjedhjet pa Edi Ramën kryeministër, u bë një qeveri e përbashkët PS-PD dhe ishte menduar se pas zgjedhjeve të 25 qershorit, këto dy parti të formonin qeverinë e Integrimit. Por Rilindja arriti të vjedhë më shumë vota se SHQUP-i, e mori të gjithë tepsinë për vete, me shumicë në Kuvend dhe mori edhe timonin e pushtetit. Rilindja dhe SHQUP-i do të pranonin çdo pazar që u jep amnisti penale krimeve të tyre të panumërta dhe që i mban ato në pushtet.

Tani po përsëritet e njëjta skemë. Rama e di se partia e sunduar prej tij është në tatëpjetë elektorale, sepse qindra mijëra socialistë nuk kanë më besim te Rilindja. Por ai e di se PD-ja e Bashës është shkërmoqur dhe se ajo nëse do të bëheshin zgjedhjet nuk do të arrinte të mbante as gjysmën e atyre bashkive që kanë. Ndaj ofron sërish pazare, që të fitojë zgjedhje ku pushteti nuk zgjidhet me përfaqësimin e shumicës së votuesve, siç duhet të jetë, por me një pjesë të papërfillshme të elektoratit që është i detyruar të shkojë dhe të votojë për partitë e vjetra. Janë ata njerëz që sot u morën me dhunë nga shtëpitë e tyre, nga mbarë Shqipëria, për të qenë në mitingun e Rilindjes në sheshin ‘Nënë Tereza”, t’i bënin hosana kryeministrit dhe kryebashkiakut që janë në shërbim të oligarkëve, mafies së krimit dhe të drogës, por jo të shqiptarëve. Këta njerëz që kërcënohen me vendin e punës dhe me bukën e gojës deri në rrethin e shtatë të miqësisë dhe të krushqisë, për të votuar Rilindjen.

ZGJIDHJA i fton shqiptarët që të mos kenë më asnjë iluzion se PS, PD apo LSI do të luftojnë për parime dhe vlera demokratike. Nuk e kanë patur kurrë këtë vlerë. Kanë ditur dhe kanë bërë vetëm pazare, pazare ku kanë përfituar vetë dhe kanë humbur shqiptarët. Koha është për ZGJIDHJA-n, partinë që do të risjellë popullin në pushtet, Republikën, votën e lirë dhe të barabartë.

Please follow and like us: