Konsull Nderi-një mashtrues, Ministria e Jashtme i ndërpret mandatin
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin e indianit Nitin Sandesara, i cili shërbente si Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri. Gjithashtu saktësohet se ai nuk është pajisur as me pasaportë diplomatike dhe as me pasaportë shërbimi, megjithëse ligji ia njeh këtë të drejtë.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm”, njofton ministria në faqen e saj online.
Dy vëllezërit Sandesara kanë qenë pronarët e kompanisë farmaceutike “Sterling Biotech”. Përgjatë viteve 2008-2011 ata kanë marrë mbi 725 milionë dollarë kredi nga disa banka shtetërore të Indisë, para të cilat nuk kanë shkuar në llogarinë e Sterling, por janë zhdukur përmes një rrjeti prej 300 kompanish offshore të ngritura nga vetë ata.
Më pas dy vëllezërit janë arratisur nga India dhe kanë marrë nënshtetësi shqiptare, duke investuar një pjesë të pasurisë së tyre në biznese të ligjshme në vendin tonë. Nitin Sandesara ishte emëruar edhe Konsull Nderi i Shqipërisë në Nigeri.
Njoftimi i plotë i Ministrisë:
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme informon sa më poshtë lidhur me rastin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë në Nigeri, Nitin Sandesara:
Procedura e emërimit të z.Nitin Sandesara si Konsull Nderi i Republikës së Shqipërisë në Nigeri ka përfunduar në janar 2019. Në zbatimin e procedurës së emërimit janë marrë në konsideratë kriteret dhe kushtet e përcaktuara në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Konsullore.
Dhënia e nënshtetësisë shqiptare dhe pajisja me pasaportë shqiptare e z. Sandesara nuk është procedurë, e cila ka kaluar nëpërmjet Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, apo është në kompetencat e këtij institucioni.
Për më shumë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, sqaron se, ndonëse ka të drejtën e pajisjes me pasaporta diplomatike dhe shërbimi, sipas VKM-së 335, dt. 2.9.1997, z. Sandesara nuk është pajisur, as me pasaportë diplomatike, as me pasaportë shërbimi.
Rasti i artikuluar së fundmi i z. Sandesara me nënshtetësi shqiptare, mund të cënojë imazhin dhe reputacionin e Institucionit të Konsullit të Nderit, por edhe atë të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe shtetit shqiptar në përgjithësi, pavarësisht faktit se veprimet e ndërmarra prej z. Sandesara janë në emrin e tij personal.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, informon se, ka të gjitha të drejtat ligjore për ndërprerjen e mandatit të Konsullit të Nderit.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërprerë mandatin si Konsull Nderi të Republikës së Shqipërisë në Nigeri për z.Nitin Sandesara me efekt të menjëhershëm.