Albspirit

Media/News/Publishing

KPK shkarkon prokurorin e Fierit, Fatmir Lushi

Trupa e KPK-së e përberë nga Suela Zhegu, Brunilda Bekteshi dhe Xhensila Pine, vendosi të martën të shkarkojë nga detyra e prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Fatmir Lushi. Shkarkimi i Lushit erdhi pasi KPK, konstatoi probleme me pastërtinë e figurës dhe pasurinë e prokurorit gjatë hetimit administrativ.

Fatmir Lushi ka kryer shkollën e Magjistraturës përgjatë viteve 2006-2009. Në vitin 2009, ai është emëruar prokuror i Prokurorisë së Shkodrës, ndërsa në vitin 2014 është transferuar në Prokurorinë e Elbasanit. Në janar të vitit 2017, Lushi u komandua drejtues i Prokurorisë së Fierit, detyrë të cilën e kryen edhe aktualisht.

Sipas raportit të dorëzuar në KPK nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, prokurori Lushi është vlerësuar si i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, i dyshuar se ka favorizuar person nën hetim.

Në një rast subjekti dyshohet se kishte vendosur pushim të hetimeve pa kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa në një rast tjetër ai akuzohet se kishte lehtësuar të pandehurin për akuzën e plagosjes me dashje gjatë gjykimit.

Sipas KPK-së Lushi dhe familja e tij nuk kishin pasur të ardhura të mjaftueshme për të blerë një shtëpi me vlerë 5 milion lekë në Elbasan, ndërsa u tha se deklarimet e prokurorit në vite nuk kishin qenë të sakta. Gjatë seancës dëgjimore, Lushi i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe DSIK-së.

Please follow and like us: