Albspirit

Media/News/Publishing

Nardi Olli: Një këshillë publike për zv.ministrin Gent Cakaj!

I nderuar zv.ministër Cakaj.

Nga edicionet informative mësova se kishit larguar nga shërbimi diplomatik 20 punonjës, pasi sipas pretendimit tuaj, nuk plotësonin asnjë kriter. Do t’ ju lutesha shumë që në respekt të publikut dhe taksapaguesve shqiptarë që i paskan mbajtur kaq kohë më rrogë të bëni publike emrat, kushtet që nuk plotësojnë dhe personat përgjegjës për rekrutimit e tyre. Vetëm me këto premisa na jepni të drejtën të gjykojmë edhe ne.

Së dyti, më shumë si këshillë miqësore, për arsye të moshës dhe profesionit: meqenëse flet për profesionistë, merrni ndonjë të saktë në fushën e komunikimit ose dëgjojini më shumë ata që keni në ministri pasi keni bërë një gafë shumë të madhe pa dashje ose keni thënë një të vërtetë të madhe, sigurisht pa dashje.

Nëse ata punonjës janë larguar se nuk përmbushin vizionin e kësaj qeverie apo kryeministrit Rama, më lind e drejta të besoj se po i largoni politikisht dhe këtë e dëshmoni me deklaratë tuaj. Gjithashtu mos harroni se nëse ka një ministri e cila ka një vijimësi përtej partive politike që marrin mazhorancat, ajo është Ministria e Punëve të Jashtme. Politika e jashtme e Shqipërisë qëndron mbi partitë e kryeministrat, pasi është aset kombëtar e mbarëkombëtar. Si i lexuar shumë që jeni, kaq duhet ta dini për politikën e jashtme dhe diplomacinë.

Mos harroni se edhe ju në atë detyrë nuk jeni prej zotësisë apo ekspertizës në çështjet e diplomacisë, por si i zgjedhur i kryeministrit. Të gjithë e dimë këtë, por të paktën mos e dëshmoni me gojën tuaj. Servilizëm është një “aset” i vyer për karrierë këtu te ne, por jo provë apo aset zotësie.

Prandaj si shumë i lexuar që jeni, besoj se e dini postulatin e vjetër se: sa më shumë mëson, aq më shumë kupton sa e pafund është dija. Prandaj lejini ekspertët t’ ju përgatisin materialet e komunikimit, pasi nëse i keni të zotë, do t’ ju kishin shpëtuar nga këto lajthitje apo ndonjë tjetër në të ardhmen.

Me shumë dashamirësi, Leonard Olli.

Please follow and like us: