Albspirit

Media/News/Publishing

Nehat Kaloshi: Vlerësoj qëllimin e Samitit të Diasporës. Ja arsyet pse shqiptarët duhet të mblidhen sërish

 

Edhe pse kaloi me jo pak pakënaqësira, mjaft pikëpyetje dhe shumë debate, Samiti i Diasporës i mbajtur në Tiranë disa javë më parë, tërhoqi vëmendjen e shumë bashkëkombasve. Të ftuar prej Diasporës në mbarë botën, edhe komunteti shqiptar në Kanada pati një përfaqësi të sajën. Pas përfundimit të tij, vlerësime si “Ambasador Kombi” u dha edhe për shqiptarët që jetojnë në Montreal. Sipërmarrësi shqiptar dhe njëherësh krytar i Shoqatës Shqiptare në Montreal, Nehat Kaloshi ishte njëri prej tyre. Edhe pse në mungesë, Kaloshi vlerëson objektivin e Samitit dhe dëshirën për të rikthyer një kontigjent të konsiderueshme të shqiptarëve në vendlindje. Përtej gjithë zhurmës mediatike që e shoqëroi atë aktivitet, Kaloshi përzgjedh të vlerësojë qëllimin për një ritakim në Tiranë të të gjithë atyre që u thirrën të jenë pjesëmarrës. Në një intervistë për Albanian Montreal Press, Nehat Kaloshi sqaron sot kontributin e tij dhe të të tjerëve për të çuar përpara qëllimin e shqiptarëve për të qenë një zë i përbashkët.

Cili është kontributi juaj për komunitetin shqiptar në Kanada?

Fillimisht ju falenderoj për mundësinë që me jepni për të shprehur mendimin tim nëpërmjet kësaj interviste. Që të jem realist, me pyetjen rreth kontributit tim në komunitetin shqiptar, do të theksoja se jam përpjekur të jap maksimumin por gjithmonë mjaftueshëm për të përmbushur të gjitha nevojat e mundshme për të ngritur nivelin e shërbimeve në dobi të komunitetit shqiptar në Montreal dhe më gjerë. Në vazhdim të kësaj, shërbime për mua në kuptimin tim janë aktivitetet social-kulturore, të cilat duhet të ishin dhe të jenë në të ardhmen më shumë dhe të prekshme, për të rritur dhe mbrojtur vlerat e pakufishme të shqiptarisë, ku për të cilat unë ndjej detyrim moral dhe shpirtëror për ta përmirësuar gjendjen dhe më mirë se kaq.

Cili është sensacioni juaj për vlerësimin që Qeveria Shqiptare ju akordoi?

Në fakt duhet të shpreh që me të vërtetë jam ndjerë i privilegjuar të kem një titull sa domethënës,aq dhe të rëndësishëm por më vendos para një përgjegjësie të cilën dua ta ndaj me të gjithë shqiptarët që ndodhen këtu pasi bashkimi bën fuqinë. Nuk mund të pretendoj se përfaqësimi im me këtë atribuim, është mision i imi personal, pasi kërkon një bashkëpunim solid të të gjithë shqiptarëve.

Çfarë ka për të përmirësuar apo për t’u vazhduar në ruajtjen e vlerave shqiptare në Diasporën e Kanadasë?

Përgjigjja ime për këtë pyetje nga ana ime kërkon dhe një analizë, sa të gjerë aq dhe komplekse për vetë faktin se emigracioni si një fenomen shekullor ndoshta dhe më shumë e ka bërë të vështirë ruajtjen në tërësi të vlerave historike-kulturore të shqiptarëve, dhe për këtë duhet të jemi realistë, apo jo! Por ajo që përmban misioni im, është që këto vlera duhet të ruhen dhe të ngrihen në nivelet e duhura, por këtu duhet të ndalem. Është një fenomen sa i rëndë aq dhe jo produktiv në aspektin e vlerave sepse ne jemi ata që duhet ristartojmë duke filluar nga vetja jonë, pra me pak fjalë mos të përcjellim ato vlera të padëshirura nga vendi jonë, që e kanë shoqëruar për vite me radhë vendin tonë, si korrupsioni, militantizmi dhe servilizëm për një vend pune apo për të përfituar të mira materiale në rrugë të kriminalizuara. Më falni se ndoshta e teproj duke u shprehur kështu, por këtu në Kanada duhet të jemi shembulli më i mirë për të treguar të kundertën e asaj që ndodh në vendin tonë, e cila shpresoj me rrugën e nisur për dekriminalizimin e gjithë klasës politike dhe drejtësisë do t’i bëjë dhe një katarsis gjithë shoqërisë shqiptare duke rritur edhe vlerat që ju përmendni.

Sipas jush, a u arrit qëllimi i Samitit? A vutë re ju ndryshime nga Samiti i parë?

Unë mendoj se qëllimi i tij u arrit prej momentin kur një pjesë e konsiderueshme e të ftuarve, iu përgjigjën atij takimi. Ky aktivitet duhet të shihet edhe me gotën plot. Mesa e ndoqa nga Montreali, nëse objektivi i saj ishte mbledhja në Atdhe e një masë të konsiderueshme të të ikurve nga Shqipëria, do të thotë se interesi për t’i parë gjërat të funksionojnë mirë, është ende. Sipas meje është edhe në interes të të gjithëve ne të jemi aty sa herë që Shqipëria ka nevojë, edhe nëpërmjet Samitit. Sigurisht që mund të ketë gjëra për t’u rishikuar por siç e përmenda, përtej çdo mendimi, Samiti i Diasporës i bëri edhe një herë shqiptarët bashkë.

A e njihni ju kontributin e shqiptarëve të tjerë që u vlerësuan njësoj si ju? A mendoni se mund të kishte edhe shqiptarë të tjerë në atë listë?

Për aq kohë sa kam kaluar në emigrim, kam njohur shqiptarë të të gjitha trevave. Unë e vlerësoj kontributin e çdo shqiptari të ardhur në Kanada, qoftë ai i njohur publikisht, ose jo. Sigurisht që mendoj se lista mund të kishte qenë më e gjatë. Komuniteti ynë është i njohur për shtetin e Kanadasë, që i është përgjigjur integritetit dhe niveleve të jetesës këtu. Çdokush ka kontribuar në mënyrën e tij dhe për këtë shoqatat apo edhe Ambasada Shqiptare në Kanada, kanë luajtur rolin e tyre duke i mbështetur edhe në projektet e tyre.

Albanian Montreal Press.

Please follow and like us: