Albspirit

Media/News/Publishing

Teuta Skenderi: Mbi kufijtë…

Teuta Skenderi

Bashkimi kombëtar ndodhi për mua atë ditë kur prindët e mi të lodhur, të dërrmuar- të dëbuar nga shtëpia jonë plot libra, këngë dhe dritë, nga personat me maska në fytyrë dhe urrejtje në zemër; u pritën tek kufiri nga një ushtar i panjohur me lot në sy, dhe u mbështollën me një mbulesë të vjetër, të leshtë ngjyrë hiri, ashtu sikur mbështjellë nëna fëmiun kur ai ka të ftohtë.
Kufijtë u zhduken atë dite kur Babi im i ujiste lulet në kopshtin e Zotit Orhan Kraja në Tiranë, sikur të ishin lulet e kopshtit të tij- ky ritual i perditshem ia hiqte mërzinë e grumbulluar në shpirt me vite të tëra, ia shlyente nga mendja fotografitë e zymta të luftës, ankthet e përnetshme që shihte duke fjetur në bodrumin e shtëpisë sone, me rrobat e tija më solemne, (ato ngjyrë hiri te cilat i vishte në dasma dhe në gjykatë), dhembjën e thellë në shpirt per djemtë e Bajram Kelmendit, vajzën, nipat dhe mbesat e Hani Hoxhes…
Uji i Lanes ne ato dite te majit te vitit 1999 sikur ishte uji i Lumbardhit qe derdhej ne Drin dhe arrinte mrekullisht ne kopshtin e një miku të ri në Tiranë, per të larë plagët e vjetra, plagët e reja. Të gjithë lumenjte derdhen në Det…
Lumenj njerëzish arritën ato muaj, dhe deti i mikpritjes dhe i bujarisë u krijua befasisht-me këngë te Bik Ndojes nēn pemën e fikut, dhe me raki rrushi, lot te derdhur për fatet e përbashkëta, dhe në perqafime te fuqishme me fjalë ngushëlluese te lashta, qe kumbonin sërish ne pragun e një shekulli të ri. Ky det u fut ne albumin tonë familjar. Do të tregohet me breza.
Familja Kraja nga Tirana, strehoi prindet e mi, me një bujari dhe fisnikëri qe nuk do të harrohen kurrë. Ata ndanë buken e rrumbullakët, të ngrohtë per shume dite me rradhë në disa pjesë më shumë. Me këtë ndarje të bukës më dysh, kufijte ranë, u tretën. Në mendjen time ato më nuk ekzistojnë. I shikoj në hartën e Botës. Buzëqesh. Sa qesharake që më duken! Tashmë e di, se një ditë maji ato u shndërruan në pluhur. Pluhurin e perandorive dhe regjimeve që u munduan me kot të mposhtin një det të tërë, në sytë e një ushtari të panjohur, me një mbulesë ngjyrë hiri nē duar.

Please follow and like us: