Jorgji KOTE: In memoriam Esmeralda Uruçi
Kisha dëgjuar për profesoren e njohur të ekonomisë qysh në mesin e viteve ‘80 dhe veçanërisht mbi angazhimin e saj si prurje e re origjinale në jetën politike në PS-në nga fundi i viteve 90. Por rastin që ta njihja më nga afër e pata në gusht 2001, kur ajo erdhi dhe përshëndeti ceremoninë solemne të çeljes së Ekspozitës Etnografike të vendit tonë të organizuar nga ambasada jonë në Berlin në bashkëpunim me Muzeun Qendror të Mynihut.
Sidomos në atë kohë, kureshtja dhe emocioni kur takoje një ministre grua të këtij formati dhe e para nga Shkodra pas viteve 90 ishin të mëdha.
Ministrja e Kulturës, Rinisë Sporteve, e ndjera Esmeralda Uruçi la mbresa te të pranishmit e shumtë, te ne diplomatët dhe bashkëshortet tona me thjeshtësinë, çiltërsinë, përulësinë dhe komunikimin e këndshëm e të natyrshëm. Ishim dhe në disa veprimtari të tjera gjatë dy ditëve që qëndroi në Mynih. Binte menjëherë në sy se te ajo mungonte sjellja dhe të folurit ” ex katedra “. Na kërkoi me sinqeritet mendimet tona për fjalën që do të mbante, tregonte respekt për përvojën tonë në diplomaci, krijonte intimitet dhe bënte hera-herës dhe humor.
Këto cilësi të spikatura intelektuale të trashëguara nga familja ajo i kishte zhvilluar më tej qysh në bankat e shkollës dhe në të dy fakultetet ku ishte diplomuar (ekonomi politike/drejtësi) me rezultate të shkëlqyera.
Esmeraldës i ngarkuan detyrën e ministres në një gjendje tejet të rëndë që kalonte vendi ynë pas ngjarjeve të vitit 1997 – 1998 dhe konfliktit të armatosur në Kosovë. Vërtet qëndroi në atë post vetëm dy vjet, se aq e lanë, por sfidat, jehona dhe arritjet ishin dhjetë herë më të mëdha se mandati i saj. Ishte koha kur në Tiranë kërkohej dhe filloi me vrull ringritja e institucioneve kulturore të shkatërruara ndërsa në anën tjetër të kufirit lipsej po aq me urgjencë bashkëpunimi dhe ndihma për Kosovën dhe trevat e tjera që i mbanin sytë nga Atdheu i tyre amë. Veç të tjerash, kishte “uri” fondesh për të mbështetur gjithë këto veprimtari brenda vendit, por dhe në Kosovë dhe gjetkë.
Me po aq ngut kërkohej krijimi i një imazhi dhe perceptimi cilësisht të ri për vendin, ku roli i kulturës, rinisë dhe sporteve ishte i pazëvendësueshëm. Aq më tepër që sapo ishte shpalosur procesi i stabilizim – asociimit me BE-në, ku arti dhe kultura jonë ofrojnë më shumë vlera se në çdo sektor tjetër.
Këtë mision dhe përgjegjësi historike ministrja energjike e përballoi me sukses nga viti 1999 deri më 2001. Esmeralda nuk ishte specialiste kulture, por shumë më tepër se aq; ajo ishte misionare dhe personalitete rrezatuese që mishëronte frymën dhe vlerat më të mira të kulturës dhe rinisë tradicionale shkodrane dhe shqiptare.
Pikërisht në atë periudhë u organizuan veç të tjerash për herë të parë në 10 vitet e demokracisë pluraliste aktivitete dhe festivale të përbashkëta me institucionet kulturore, rinore dhe sportive të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi dhe u sigurua mbështetja financiare për krijimin dhe dërgimin e ansambleve tona artistike dinjitoze në Evropë, SHBA dhe gjetkë, krahas aktiviteteve tingëlluese në Tiranë si ” E duam Shqipërinë “. Gjithashtu, u nderuan personalitete të spikatura të kulturës sonë jashtë vendit me titullin ” Ambasadore të Kulturës Shqiptare ” etj. Po gjatë asaj periudhe u propozua me dosjen përkatëse voluminoze që Berati dhe Gjirokastra të pranohen në trashëgiminë botërore të UNESCO.
Tipar tjetër mbresëlënës, siç ka pohuar letrari dhe publicisti i njohur, Ermir Nika, ishte se si ministre, ajo nuk pranonte kurrsesi të bënte emërime politike, nepotike, me lista dhe trysni nga Partia, por vetëm mbi bazën e meritave dhe të CV-së reale. Mbeti deri në fund e papajtueshme me çdo shfaqje korrupsioni, abuzimi dhe dukuri të tjera negative që i ushqente trualli dhe mjedisi kaotik i asaj periudhe. Ajo karakterizohej, gjithashtu, nga fryma e respektit dhe vlerësimi i drejtë për bashkëpunëtorët dhe punonjësit e dikasterit dhe kulturës në përgjithësi.
Pasi militoi për vite me guxim, ndershmëri dhe qytetari në qytetin e saj të lindjes nën siglën e PS-së dhe LSI-së në Shkodër, ajo u largua nga politika aktive, ashtu siç hyri, pa zhurmë, pa sherre, pa inate personale. Sepse ajo nuk e shihte politikën si privilegj, por përgjegjësi, jo konflikt personash por kohezion në diversitet, jo si servilizëm por si shërbim ndaj publikut, jo si pazar individual por si perspektivë sociale. Por dhe xhelozitë e rastit përballë një politikaneje eksperte ndryshe dhe nga Shkodra e panjohur për të majtën deri atëherë, sidomos në gjendjen e nderë në të cilën ndodhej PS-ja në vitet 2001 – 2003 nuk munguan.
Por Esmeralda ishte dhe mbeti ” esmeraldë ” në personalitetin e saj vezullues, u fut me po atë pasion dhe zell aty ku ndihej më e fortë në ‘olimpin’ e vet universitar akademik me një karrierë që e pasuroi më tej 10 vitet e fundit të jetës së saj dinjitoze. Lektore, dekane dhe zv.rektore e Universitetit ” Aleksandër Moisiu ” në Durrës, promovuesja e njohjes së programeve ” Bachelor ” dhe doktoraturave në ekonomi, autore e shumë teksteve universitare, referuese në veprimtari ndërkombëtare shkencore në bashkëpunim me autorë të huaj, etj. Si Prof.Dr. në ekonomi, ajo ka shtjelluar me kompetencë të lartë efektet dhe pasojat e tranzicionit në fushën e turizmit, pronës, investimeve të huaja, biznesit të vogël e të mesëm, etj. Si pedagoge ajo shquhej dhe për lidhjen/ndërveprimin e natyrshëm me studentët dhe bashkëbiseduesit.
Me gjithë këtë veprimtari intensive të parreshtur, familjarët, të afërmit, shokët dhe shoqet e saj tregojnë me emocion dhe dhimbje se krahas kualiteteve elitare dhe akademike, Esmeralda ishte nënë, bashkëshorte, vajzë, motër, kolege dhe shoqe model; jo vetëm nuk mungonte, por ishte organizatore e rregullt e gëzimeve familjare te kolegët dhe bashkëpuntorët me familjen e saj vërtet të shëndoshë dhe solide; rrezantonte kudo dhe kurdoherë seriozitet, mirësi, butësi, dhe thjeshtësinë tipike të qytetares shkodrane në çdo situatë.
Këtë e pohon dhe shoqja e saj e ngushtë e gjimnazit dhe Fakultetit Ekonomik, njëkohësisht kolege pedagoge, Dr. Majlinda Hafizi ( Bushati ) drejtore në Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave; ajo tregon me shumë dhimbje dhe krenari se nisur nga këto veti dhe virtyte fisnike, Esmeraldën e cilësonin ” Zonja e Shkodrës ” dhe e tillë ka mbetur përjetësisht.
Fatkeqësisht, këto kulme të aktivitetit të saj të gjithanshëm e të pareshtur i ndërpreu papritur dhe tragjikisht në Vorë, në dhjetor 2011 goditja fatale pas automjetit me të cilin kthehej nga puna me Dashamirin, shokun dhe bashkëshortin e saj të pandarë. Me gjithë përpjekjet e mjekëve austriakë dhe luftën e paepur të së ndjerës, ajo ndërroi jetë ditën e parë të pranverës, më 21 mars 2012, kur ishte vetëm 51 vjeç.
Ceremonia e lamtumirës në Teatrin e Operës dhe Baletit me homazhet e nivelit më të lartë nga të dy krahët e politikës dhe kultura jonë ishte e merituar dhe më e pakta që mund të bënte shteti dhe qeveria për këtë margaritar të arsimit dhe kulturës sonë.
Esmeralda la pas një trashëgimi të gjallë të misionit të saj të cilin e vazhdojnë miqtë, shokët dhe kolegët universitarë në Durrës, Shkodër dhe gjetkë. Po ashtu, të afërmit dhe familja Uruçi e mbajnë lart emrin dhe kujtimin e saj të çmuar. Bashkëshorti, intelektuali i shquar Dashamir Uruçi, djali i Muhametit, luftëtarit dhe antifashistit të shquar, drejtuesit të arsimit të Shkodrës në vitet 40 dhe 50 vazhdon në gjurmët e të shoqes sidomos me riorganizimin e shoqërisë civile dhe me botime prestigjioze.
Veç të tjerash, Dashamiri bën pjesë prej dekadash te ata intelektualë me kontribut të jashtëzakonshëm qysh në orët e para dhe më të vështira kur dha gjithçka për çlirimin, mbështetjen, pavarësimin dhe demokratizimin e Kosovës; është bashkëthemelues dhe drejtuesi kryesor i Shoqatës atdhetare “Kosova” nga viti 1992 deri në shkrirjen e saj më 2008 me shpalljen e Pavarësisë.
Bujaria dhe solidariteti i çiftit Uruçi dhe dy fëmijëve të tyre shkëlqyen sërish gjatë konfliktit të dhunshëm në Kosovë, kur mbajtën çelur për një vit të tërë dyert e shtëpisë në Shkodër për 15 familje me fëmijët e tyre të ardhur nga Deçani.
Në Universitetin ” Aleksandër Moisiu ” në Durrës, vazhdon të punojë në gjurmët e nënës dhe profesores së tij të paharuar djali, Enisi, si pedagog mjekësie; ashtu si prindërit dhe ai është diplomuar në dy universitete dhe po tani mbron doktoraturën. Falë dhe kualifikimit universitar për menazhim biznesi, Enisi vazhdon të jetë aktiv dhe me rreth 15 publikime dhe referate shkencore mbi temat dhe reformat më të rëndësishme shëndetësore në revista dhe konferenca prestigjioze ndërkombëtare
Vajza, Besmira, pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në Sorbonë për drejtësi, ka vite që punon dhe dy vitet e fundit drejton një departament të rëndësishëm juridik në Kompaninë e njohur ” Selectra ” në Luksemburg.
Ajo e shoqëronte shpesh qysh studente dhe si bashkëautore nënën e saj në konferenca jashtë vendit; në vitin 2013 Besmira përfaqësoi rininë shqiptare në UNESCO dhe në forume të tjera si Sekretare e Përgjithshme e Universitetit Veror franko – gjerman, etj.
Këto vitet e fundit, gjatë punës në ambasadën tonë në Bruksel dhe në Luksemburg kemi ndjerë nga afër Atdhedashurinë, ndihmën, pasionin dhe pozitivitetin e saj tipik uruçian; Besmira është ndër përfaqësueset më dinjitoze të komunitetit shqiptar në Luksemburg; prej gati dy vitesh, ajo është bashkëthemeluese dhe zv.Kryetare e Dhomës së Përbashkët të Tregtisë Luxemburg – Shqipëri. Miqtë, kolegët dhe të afërmit e familjes ndjekin me vëmendje dhe adhurim Enisin dhe Besmirën kur pohojnë me butësinë dhe modestinë tipike se nëna e tyre e ndjerë ishte dhe mbetet model njerëzor dhe intelektual dhe se shpirti i saj u ndriçon rrugën përpara.