Albert Z. ZHOLI: Zonja ‘Malboro’
Vila në periferi të Athinës ishte e rrethuar me mure të lartë, e më një portë rrëshqitëse elektrike. Brenda mureve një kopësht me gjithëlloj pemësh e lulesh. Vila ngrihej katër kate me ballkone të gjelbëruar e me dritare, dyer të veshur me xhama dritëthithës ngjyrë gjethe portokalli, ku në të dy anët e ndërtesës ishin vendosur dy kolibe ngjyrë limoni, nga ku ngrinin veshët e mprehtë dy qenë leshatorë. Në të djathtë shtrihej e futej thellë një garazh, ku një djaloshi veshur me kominoshe, pastronte pesë makinat “Mercedes –Benx” ku në plan të parë ndriçonin një ngjyrë bardhë e një ngjyrë mente…
Derën qëndrore e hapi një vajzë e veshur me përparëse e kordele të bardhë. Lindita e ndoqi pas vajzën me të bardha e u gjend në një sallon të madh, me kolltuqe të rëndë e shandanë, që ndriçonin edhe të pandezur, me qylyma persianë, ku këmba fshihej e dukej, mes luleve ngjyrëndezura e me muret mbushur me piktura klasike, të bëra e të stërbëra me mijëra herë që nga jeta e piktorëve. Në një nga kolltuqet e rëndë afër oxhakut, ishte ulur zonja e shtëpisë. Këmbët i kish rënduar mbi njëra-tjetrën dhe një fustan i gjatë i kish fshehur gjithë bukuritë e tyre. Tymoste me përtaci cigare “Malboro”, duke e hedhur cigaren nga njëra dorë tek tjetra, sikur gishtat e ngarkuar, me s’dihet sa unaza diamanti, të mos e duronin dot edhe atë send tymues.
Lindita u afrua e ndrojtur. Gjithë ai luks i rëndë, me në krye Zonjën “Malboro” iu duk si në përrallat e Njëmijë e një Netëve.
-Mirdita!- e përshëndeti ajo greqisht.
-Mirdita!-ia ktheu zonja, duke lëshuar një shëllungë tymi të bardhë, nga goja, e duke i shëtitur sytë nga koka tek këmbët e Linditës.
Lindita kishte një bukuri tërheqëse. Sapo e kish festuar 25–vjetorin e jetës dhe 1-vjetorin e martesës. Fëmijë nuk kishte. Dukej më tepër vajzë se nuse.
Zonja po ia fuste sytë e saj ku të mundëte: në sy e në buzët gjysmë të çelura, në vrimat e veshit, e në qafën e bardhë e të shëndetshme, në gjoksin e hedhur e në frymëmarrjen e ndruajtur, pastaj i ndaloi tek shuplakat e duarve dhe foli:
-E dini mirë greqishten?-Dhe zëri i saj u bë i fortë e ngacmues.
-Jo shumë mirë. Po mësoj çdo ditë me metodikë dhe fjalor. Di të komunikoj mirë në anglisht dhe italisht.
-Si? Anglisht dhe italisht? Ku i ke mësuar?—dhe zonja lëvizi të ndenjurat e trasha në kolltuk, bëri ndërrimin e këmbëve mbi këmbë dhe lëshoi bishtin e cigares në një tavolinë argjendi.
-Në universitet – foli më kurajoze Lindita, kam mbaruar shkollën e lartë për ekonomiste me rezultate shkëlqyeshëm. Zonja e shtëpisë shfaqi një qeshje ironike në fytyrë, duke përdorur vetëm sytë dhe buzët. Duke lëvizur muskujt e faqeve të tulta foli:
-Universitetet shqiptare nuk pijnë ujë në Europë – dhe lëvizi gishtat e dorës së majtë sikur donte t’i shlodhte nga pesha e të florinjtave, apo t’i tregonte shërbëtores me universitete se para gishtave të saj nuk kishte vlerë shkolla e lartë…Ata florinj në gishta vlenin sa disa universitete, por përsëri pyeti, si për t’u siguruar, për ç’kish dëgjuar.
-Dhe sa vjet shkollë keni kështu?
-Gjashtëmbëdhjetë dhe një vit pasuniversitar, gjithsej shtatëmbëdhjetë – ia numëroi Lindita, për të lënë zonjën të shtypte trurin në llogaritje.
– Makinën larëse dini ta përdorni?-pyeti përsëri Zonja –
-Po!- u përgjigj shkurt Lindita.
-Po fshesën me korent – pyeti përsëri zonja, sikur donte që një nga pyetjet e saj të dilte mbi dijet e shqiptares së ditur.
-Po, di ta përdor edhe fshesën elektrike – u përgjigj përsëri shkurt Lindita .
-Gjëra të tilla kishit në vendin tuaj?
-Makinë larëse, gati, ka çdo familje. Unë kam patur edhe fshesë elektrike – e sqaroi Lindita, duke ndenjur, ashtu, në këmbë, si në provimet e shkollës.
-Po këtu ç’ke mësuar?-pyeti përsëri Zonja, duke pritur përgjigjen që donte.
-Edhe këtu kam mësuar shumë gjëra, në radhë të parë si të punoj në shtëpi zonjash e si t’i respektoj zonjat…Ky ishte fati im!
Zonja qeshi për herë të parë me faqet e tulëta dhe u ngrit nga kolltuku për ti treguar punët që do bënte. Me vete mërmëriste shkolla apo paraja? Paraja apo shkolla? Po të mos kesh paranë…