Albspirit

Media/News/Publishing

Flet babai i poetit të pushkatuar nga diktatura: Si ju qep Sigurimi…pse ma morën jetën e djalit?!

Pas një udhëtimi mes peizazheve magjike buzë Shkumbinit, ku fshatrave kodrinore kishte nisur shpërthimin gjelbërimi, mbërritëm në fshatin Bërzhezhdë të Librazhdit, në shtëpitë ku lindën dy poetët e pushkatuar nga diktatura Vilson Blloshmi dhe Genc Leka. Udhëtimi ishte i organizuar nga Klubi i Poezisë i drejtuar nga Rexhep Shahu dhe Instituti i Studimit të Krimeve të Komunizmit (ISKK), me pjesëmarrjen e Agron Tufës dhe dhjetëra intelektualëve të vendit që kanë denoncuar pas viteve ‘90 një nga krimet më të errëta të diktaturës, siç ishte pushkatimi pas asnjë vepër penale të kryer, i dy poetëve të rinj e të talentuar. Pelegrinazhi në shtëpinë e poetëve u bë me rastin e prezantimit të një libri të ri voluminoz “Poetët martirë Genc Leka e Vilson Blloshmi në shtypin shqiptar”. Botimi i veprës, por e dhe udhëtimi i pjesëmarrësve drejt shtëpisë së lindjes së poetëve u sponsorizua nga biznesmeni humanist Flamur Hoxha, që vjen prej një familje të persekutuar nga regjimi komunist.

Ndërsa mbërritëm në shtëpinë e Vilson Blloshmit, e denjë për muze edhe në aspektin arkitektuarl, por mjerisht e braktisur, pjesëmarrësit morën fjalën e rastit. Agron Tufa u shpreh ndër të tjera se “Libri pasqyron natyrën e diskursit mbi pushkatimin, njerëzit, rolin e Komitetit të Partisë së Librazhdit dhe organeve të drejtësisë komuniste që i çuan poetët në pushkatim më 17 korrik të vitit 1977. Gjithashtu, në libër pasqyrohet edhe diskursi i “avokatëve të diktaturës” sot.”, u shpreh Tufa. Ndërsa Rexhep Shkaku kujtoi se “nisma për të kujtuar poetët është e iniciuar për katër poetët e pushkatuar nga diktatura nga jugu në veri të Shqipërisë”, duke kujtuar më tej se projekti ka nisur me botimin librit të Hazvi Nelës dhe pelegrinazhin në Kukës, pastaj në Peshtan të Tepelenës, ku u ngrit busti i Trifon Xhagjikës, të parit poet që diktatura pushkatoi në vitet ’60, dhe vijoi dje me pelegrinazhin në shtëpitë e dy poetëve të Librazhdit; të Vilson Blloshmit dhe Genc Lekës. Biznesmeni Flamur Hoxha i bëri një apel Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve  qendrore të shtetit, duke dhënë idenë e tij “që shtëpia e Vilson Blloshmit të kthehet në një rezidencë të poetëve, duke u bërë edhe një bujtinë pelegrinazhi turistik në këtë zonë me vlera të rralla natyrore”. Pjesëmarrësit në këtë pelegrinazh si poeti Sadik Bejko, studiuesi dhe shkrimtari Mehmet Elezi, Bujar Leskaj, e të tjerë iu bashkuan këtij propozimi. Agron Tufa ka kujtuar ndërkohë që propozimi që shtëpia e Vilson Blloshmit, por edhe e Genc Lekës (tashmë vetëm rrënojë) të kthehet në muze nuk është marrë asnjëherë parasysh nga Ministria e Kulturës dhe institucionet. Bedri Blloshmi, vëllai i Vilson Blloshmit që ka vuajtur burgun bashkë me të me pak fjalë tha: “Unë nuk jam as poet e as shkrimtar, por këtë di ta dëgjoj, ta ndjej se muret e kësaj shtëpie ende vajtojnë për gjëmën që u ndodhi”, tha Blloshmi duke kujtuar sesi 19 anëtarët e një familjeje të madhe i shpërngulën nga vatra e tyre duke i internuar sa më larg.

Lotët e pashterur të Sami Blloshmit

Babai i Vilson Blloshmit, një plak 90-vjeçar shtatlartë, i fortë në pamje të parë, por me zemrën si qelqi që kris sa e prek, ashtu me lot në sy tregon me dhimbje për fatin tragjik të të birit; për djalin e ditur, të pashëm, të mençur, të mbarë që ia morën më qafë pa asnjë faj. Në fytyrën epike të këtij burri, lotët përtërihen sa herë kujton dramën, përtërihen nga një peshë ankthi që s’e lë kurrë të qetë. “Që, s’më lë as të vdes!”, -thotë ai, duke më kujtuar se diktatura ka dënuar shumë shkrimtarë për gabimet ideologjike në letërsi, por nuk i pushkatoi. “Pse, pse, ia bënë këtë tim biri”, thotë Sami Blloshmi mes lotëve, duke shtuar se “së paku ta kishin dënuar e të ishte sot gjallë.” Edhe vetë Sami Blloshmi ka bërë 7 vjet burg pas tragjedisë së të birit. Ndërsa nuk më hiqen nga mendja lotët e kristalizuar të Sami Bloshmit vlen të kujtojmë edhe peshën e dhimbjes që ndjemë kur vizituam rrënojat e mbetura të shtëpisë së Genc Lekës.  Vilsoni ishte një poet i talentuar ndërsa Genc Leka me profesion mësues ishte një studiues i mirëfilltë, ku hapat e para të kërkimev të tija shkencore në studimet etnografike u prenë nga plumbat që ranë në trupat e dy poetëve të pushkatuar 42 vjet më parë, më 17 gusht të vitit 1977.   Rrëfimi i thjesht i babait të Vilson Blloshmit përkon me “gjuhën” e dokumenteve të sigurimit të shtetit; ku në raportet e spiunëve Vilson Blloshmi e Genc Leka quheshin “objektivi” që duhej survejuar apo goditur. Vetë terminologjia e përdorur nga sigurimsat është një akt-akuzë për krimin e sistemit komunist ndaj dy poetëve.

Në një raport të sigurimit të datës 8.6.1987 operativi V.Gjorka pasi raporton për përpjekjet për ta futur në kurthin e përgjimit Vilson Blloshmin, raporton  se Vilsoni është shprehur se “po rrojmë si qeni, nuk rrohet kështu”. Dhe , shënon edhe një sqarim në fund të raportit: “Sqarim. Vilsoni ndiqet për “tendencë arratisjeje” dhe “agjitacion e propagandë”. Është me arsim të mesëm pedagogjik, kulak. Vlerësimi  i dhënë ka rëndësi se objekti flet për pakënaqësi ndaj njerëzve për mënyrën e jetesës.” Ndërsa Genc Lekën e kanë hequr arbitrarisht nga mësimdhënia në shkollë pas një kontrolli me objektiv goditjen dhe denigrimin e tij, derisa e burgosën me akuza të rreme, ashtu si Vilsonin”.

Intervista me Sami Blloshmin

Ju shoh me lot në sy dhe pa u bërë e bezdisur për dhimbjen që ndjeni për djalin tuaj Vilsonin, më lejoni t’ju ju kujtoj se sot ai është bërë njeriu më i dashur i shkrimtarëve dhe intelektualëve të vendit. Si e ndjen veten pas rivlerësimit të tij?

-Ndihem i lehtësuar. Ndihem shumë mirë që kishte ato vlera që kishte dhe për këtë ju falënderoj të gjithëve ju dhe atyre që e kanë kujtuar dhe më përmendin sa herë meritën e tij. I falënderoj, por s’kam ç’të bëj tjetër, ata shkrimtarë e kanë bërë punën e tyre (Qan)

Kur ishte djalë shumë i ri dhe ju e shikonit Vilsonin mes libarve dhe fletoreve, parandjejse se do të bëhej një njeri i madh, sepse edhe me aq vepër sa ka lënë ai është një poet i madh?

-Më kujtohet kur ishte fare i vogël. Ka qenë tradita në fshatin tonë që kur lindnin djemtë dhe kur shkonin në moshën 1 vjeç iu vinin disa sende pune përpara për të mësuar se çfarë do të bëhej. Dhe Vilsoni fëmijë mes gjithë sendeve mori stilografin. Dhe kur u rrit atë gjithë kohën e shihje duke shkruar e lexuar.

Pra një poet i lindur me penë në dorë! Dhe kur u rrit si mendoje djalin tënd, ccfarë dëshiroje që të bëhej?

-Ne e çuam në shkollë, larg shtëpisë në Elbasan, se ai mësonte shumë. Në shkollën e Elbasanit ai shkëlqente, edhe në lëndët politike ai ishte korrekt, i mësonte mirë. Dhe i kanë bërë një kontroll provimi ku ishte edhe një sekretar partie, dhe kur e pyesnin se çfarë thoshte Stalini apo Lenini për shoqërinë komuniste ai përgjigjej në mënyrë të shkëlqyer dhe mësuesi i tha se “po të kishte më shumë notë se dhjetë atë do ta merrje ti Vilson”. Por ai sekretari i partisë që ishte atje, ia la nëntë e gjysmë notën se ishte familje kulaku. Kështu nisën ta pengonin që në fillim e vazhduan kështu e nuk e lanë të ecte, nuk e lanë. Ia prenë jetën në mes, E dënuan kot. Të gjitha akuzat i krijuan kot. Sepse në shkollë të gjithë e thoshin se ishte i shkëlqyer dhe për inteligjencën. Dhe ata kanë dashur që Vilsoni të punonte për Sigurimin. Por Vilsoni nuk e bënte dot këtë punë, s’mund ai t’u bënte keq njerëzve të fshatit të tij, e të afërmeve. S’kishte zemër të tillë ai, që t’iu bënte keq njerëzve. Ai ishte poet. Dhe kështu nuk ka pranuar. Kjo ka shkaktuar zemërim e dyshime tek ata që drejtonin dhe gjetën pretekst pas preteksti si ta dënonin, ku at dënonin dhe këtë nisën ta kërkonin tek ato që shkruante e lexonte. Mirë që gjenin shkaqet e tyre, po pse të ma pushkatonin, të paktën le ta kishin burgosur e dënuar, që të ishte sot gjallë. Pse, pse ta pushkatonin. Ai ishte djalë shumë i ri. Pa bërë asgjë, dhe e pushkatuan. Pse t’ia bënin atë atij.?!

Si rrodhën ngjarjet?

Vilsonit iu qepën t’i gjenin një sebep për të bërë atë që bënë. I vunë sigurimsa pas. Dhe ai ishte shprehur se “sido që të shkoj kjo punë edhe po të më vrasin, unë nuk bëhem spiun i tyre”. Dhe pa e ditur këtë ia kishte thënë njërit të sigurimit. Ma morën më qafë djalin. Vilsoni mblidhte dhe shprehje popullore dhe një ditë kishte thënë: “Këtu nuk di si të sillesh. Të sillesh si cjap të therin. Të sillesh si dhi të mjelin”

Si e kujton Vilsonin sot. Cilat janë moment që sillni më shpesh në mendje?

-Lexonte shumë. E kujtoj në tavolinë me libra e kujtoj. Lexonte dhe fliste shpesh për librat me vëllanë e madh. Mbyllej në dhomë shuam kohë dhe studionte, e donte shumë shkollën./shqiptarja.com/

Please follow and like us: