Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Bandat e kryetarëve

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka çertifikuar atë që ‘Zgjidhja’ e thotë çdo ditë: “Në Shqipëri ‘mbretëron’ krimi i organizuar. Është rritur në mënyrë eksponenciale trafiku i kokainës dhe heroinës. Organizatat kriminale shqiptare tashmë kontrollojnë trafikun, nga burimi deri në Europë; Janë rritur dhe fuqizuar ndjeshëm rrjetet e grupeve të krimit të organizuar në Shqipëri’. Është i treti vit rresht, që Departamenti i Shtetit e cilëson Shqipërinë “vend kryesor i pastrimit të parave në botë”.

Qeveria amerikane në raportin e saj thotë që, “Shqipëria mbetet vend i pambrojtur nga pastrimi i parave për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal, kontrabandës, shtimit të rrjeteve të krimit të organizuar dhe mjedisit të dobët ligjor dhe institucional qeveritar”.

Ky raport nuk është përpiluar nga “kazanët”, “kadrinjtë” e “derrat e Tiranës”, por nga aleati i vetëm strategjik i shqiptarëve, SHBA-të.

Kjo situatë përsëritet në mënyrë sistematike dhe ciklike për gati 30 vite.

ZGJIDHJA, që në krijimin e vet, e ka deklaruar se partitë e vjetra shqiptare nuk janë organizata politike demokratike, por banda të kryetarëve, grupime parapolitike klepto-kriminale, që kur bëjnë rotacion në pushtet, janë të detyruara të bashkëpunojnë dhe qeverisin së bashku me krimin dhe bizneset e dyshimta që pastrojnë paratë e tyre. Nën qeverisjen e Ramës kjo simbiozë ka arritur kulmin. E gjithë kjo skemë që e shndërron vendin tonë në parajsë të krimit të organizuar, korrupsionit dhe në një lavatriçe ndërkombëtare të pastrimit të parave të zeza, nis me grabitjen e votës.

Ka ardhur koha që këtë të keqe që po varfëron deri në kufijtë e mbijetesës shqiptarët dhe që po zbraz vendin çdo ditë, ta shkulim nga rrënjët. Krimi i organizuar e ka vendin në burg dhe jo në zyrat e qeverisë dhe në krye të bizneseve.

ZgjidhjaPërShqipërinë

Please follow and like us: