Albspirit

Media/News/Publishing

Veton Surroi: Radio Kishnjevi në xhungël

1.

Ka qenë një punëtor i Radio Kishnjevit, më thoshte dikur një shqiptaro-amerikan, që kishte shkuar pas shembjes së komunizmit në Moldavi, me detyrë ekskluzive të dëgjonte radiostacionet e huaja dhe të përpilonte një informator të përditshëm të asaj “çka thotë bota”, për nevojat e Komitetit Qendror të Partisë e të Byrosë së saj politike.

 

Punëtori i Radio Kishnjevit vazhdonte ta bënte atë punë, ndonëse nuk kishte më Komitet Qendror e as Byro Politike.

Atëbotë, rasti i Radio Kishnjevit më zgjonte një vistër asociacionesh e metaforash. Ka mundur të shërbente, për shembull, për fillimin e një romani të mirë dhe filmi edhe më të mirë, për krijimin e kohëve paralele. Ose, si një metaforë për njeriun që nuk mund të absorbojë ende informatën, ndonëse merret me to për çdo ditë, se është shembur komunizmi.

Apo, nga perspektiva e sotme, kanë mundur që të jenë të gjitha ato më lart dhe shtuar atyre një njohuri që nuk e dinim atëherë: se punëtori i Radio Kishnjevit vazhdonte të punonte sikur më herët, sepse besonte në rikthimin e asaj që kishte qenë më herët. Ai ka mundur të ketë besimin se çfarëdo që të ndodhë, demokracia apo përpjekja për demokraci në shtetin e tij është vetëm një tranzicion për kalimin prej një sistemi autoritar në tjetrin.

2.

Diçka si këtë konstatim të punëtorit të zellshëm të Radio Kishnjevit pashë javën e kaluar në Beograd. Këndvështrimi nuk ka mundur të jetë më impozant: qesh vendosur në një butik-hotel, që deri vonë kishte qenë ambasada kubane në Jugosllavi, pastaj dhe në Serbi. Fakti që ajo godinë ishte transformuar prej ambasadës kubane në një hotel cilësor, duhej të ishte simbol i mjaftueshëm pamor për transformimin kohor. Beogradi, sipas asaj pamjeje, duhej të kishte kaluar në demokraci, treg të hapur, një fitore e liberalizmit.

Por në mbrëmje qesh ftuar në një TV, më të shikuarin në vend dhe dëgjova në një intervistë të gjatë diçka që duhej të tingëllonte si sindroma e Radio Kishnjevit. Formulimi i pyetjeve, mënyra e të pyeturit, strukturimi i bisedës ishin diçka që tingëllonin tashmë të dëgjuar. Dëgjohej jo më në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, por në ato tetëdhjetë. Më saktësisht, në kohën kur Slobodan Milosheviçi fitoi pushtetin në parti në Serbi, në Mbledhjen e Tetë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Serbisë.

Për ata (të shumtë, tashmë) që nuk dinë se çka ndodhi në atë mbledhje: në Lidhjen komuniste të Serbisë fitoi linja e Milosheviçit, e cila kërkonte që të sundonte mbi Kosovën (dhe Vojvodinën), që të bëhej vlerësues absolut i dëshirave të qytetarëve e kombeve (krejt kush ishte kundër politikës së tyre ishte kundër Jugosllavisë, socializmit etj.) dhe të përcaktonte në fund se kush ishte “shqiptar i ndershëm” e kush jo. Në atë kohë u ngjiz fjalori, i cili përdorte parashtesën “i ashtuquajtur” apo “e ashtuquajtur”, për çfarëdo që nuk ishte në linjën partiake të Milosheviçit. Pra, “të ashtuquajturit intelektualë”, “të ashtuquajturit mbrojtës së të drejtave të njeriut”, “të ashtuquajturat të drejta të njeriut”, “të ashtuquajturit europianistë”, “të ashtuquajturit demokratë”…

Përputhja koincidentale, por dhe si rrjedhë logjike e këtij mendimi, qe se Jugosllavia u prish kur në sipërfaqe doli një mendim dhe veprim ndryshe në Kosovë, ajo që do të quhej “Alternativa e Kosovës”, më 1989 dhe 1990. Për këtë diskurs ajo ishte “e ashtuquajtura Alternativë”, për një fakt të thjeshtë dhe konsekuent: në Kosovë nuk duhej të ekzistonte alternativë, madje nuk duhet të ekzistojë askund tjetër, as si koncept. E vërteta (e KQ të LK të Serbisë) është absolute dhe nuk ka nevojë e as mundësi, të ketë alternativë.

Në tridhjetë vjetët e fundit, Serbia ka hyrë në një melankoli të thellë, ende duke zhvilluar debat të brendshëm se si është e mundur që nuk i dëgjoi kush në Mbledhjen e Tetë të KQ të LK së Serbisë se nuk ka alternativa. Se e vetmja alternativë është e vërteta, ajo absolute.

Kosova është sërish fillimi e fundi i këtij diskursi. Shteti është “e ashtuquajtura Kosovë”, Qeveria është “e ashtuquajtura Qeveri “apo “institucione të përkohshme të vetëqeverisjes”, ndërsa presidenti “i ashtuquajturi president i së ashtuquajturës Kosovë”.

Që të gjitha këto janë të ashtuquajtura, sepse lejen për të qenë “të vërteta” nuk e kanë marrë nga Komiteti Qendror i LK së Serbisë. Këtë fat e kishin edhe e “ashtuquajtura demokraci” në Slloveni, edhe “e ashtuquajtura Kroaci e pavarur” dhe kështu me radhë. Që të gjitha mbetën me vite të tëra pa lejen e realitetit nga KQ të LK së Serbisë, tash e ka radhën edhe Kosova.

Por, KQ i LK së Serbisë nuk ekziston? Vërtet? Shpjegoja këtë punëtorit të zellshëm të Radio Kishnjevit.

3.

Punëtori i zellshëm i Radio Kishnjevit do të kënaqej në Kosovë. Në të çdo ditë njëri grup feudal që e merr pushtetin filloi t’i caktojë haraç shtetit: me dhjetëra a qindra miliona eurosh prej rrugëve, me miliona nga tenderë të tjerë, me miliona nga punësimet e panevojshme në çfarëdo që të ketë emër “publik”. Nuk i vihet haraç vetëm së sotmes: për një dhjetëvjetësh pavarësie grupet feudale kanë krijuar mbi një miliard euro borxh publik. Ky është haraçi ndaj gjeneratave të ardhshme.

Ndërkohë, sa për zbavitje, do të dalë dikush të tregojë se në këtë pranverë a verë do të bëhet liberalizimi i vizave. Nëse jo, në vjeshtë a dimër. Sepse kaq stinë ekzistojnë. Po të kishte më shumë stinë, do të kishte më shumë afate.

Demokracia në Kosovë, edhe më thjesht se në Moldavi, është kështu kalimi i sundimit prej njërit në grupin tjetër feudal. Me shpresë që gjatë kësaj jete të mos bëhet tamam shtet, se prej tij nuk mund të vilet më haraçi.

4.

Nëse në Kishnjev demokracia është intermexo mes njërit sistem autoritar në tjetrin, nëse në Serbi është kalimi prej Mbledhjes së Tetë të KQ të LKS në Mbledhjen e Tetë të KQ të LKS e në Kosovë intermexo mes pushtetit të një grupi feudal dhe tjetrit, atëherë ç’do të bëhet me demokracinë?

Kjo është temë më e diskutuar gjithandej, posaçërisht në mendimin e shkencave politike në demokracitë liberale. Njëri prej autorëve të njohur të kësaj fushe, Robert Kagan, botoi sivjet një libër me titull “Xhungla rritet mbrapa sërish”. Parimi që ngre autori është i thjeshtë: aty ku tërhiqet demokracia liberale (e prirë nga Amerika), rritet prapë “xhungla” e autoritarizmit.

Problemi për Kosovën është dyfish më i madh. Një, sepse institucionet e shtetit janë tepër të dobëta t’i rezistojnë “xhunglës”. Dy, sepse “xhungla” u rrit mu me praninë amerikane (dhe një investimi të madh të demokracive liberale europiane).

Xhungla autoritare duket si të ishte prodhuar nga Radio Kishnjevi. Dhe duket po aq dekurajues sa atëherë, në fund të viteve tetëdhjetë. Kishte pak, shumë pak shpresa për demokraci. Kishte pak, shumë pak njerëz që avokonin demokracinë. Dhe kishte pak, shumë pak njerëz që kuptonin se çka mund të mbërrihej “me demokraci e kundër dhunës”, që ishte njëra prej parullave të “Alternativës”.

Por, ja që pavarësisht të gjithave, dolëm nga xhungla. Tash na kanoset një tjetër. Dhe nga kjo do të dalë./koha.net/

Please follow and like us: