Zuzana Čaputová, presidentja e parë grua në Sllovaki
Zuzana Čaputová ka fituar edhe në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki, duke u bërë gruaja e parë që merr postin e Presidentes së vendit. Ajo ka arritur të fitojë me 58% të votave, kundrejt 42% që mori kundërshtari i saj i qendrës së majtë, Maroš Šefčo. Čaputová, me profesion avokate, nuk ka eksperienca të mëparshme politike por ka fituar besimin e qytetarëve duke e zhvilluar fushatën mbi premtimin për luftën ndaj korrupsionit dhe vlerave pro-europiane. Roli i Presidentit në Sllovaki është më shumë ceremonial dhe përfaqësues, por gjithsesi ka rëndësinë e tij në termat e korrupsionit pasi Presidenti ka fuqinë e vetos në emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Čaputová është 45 vjeç, ka dy fëmijë dhe është e divorcuar. Ajo është liberale dhe pro-europiane, ndërsa bën pjesë në partinë e vogël Sllovakia Progresiste, e krijuar në vitin 2017 dhe deri më tani e papërfaqësuar në Parlament. Čaputová është pro martesave homoseksuale si edhe adoptimit të fëmijëve nga këta të fundit. Krijimi i partisë “Sllovakia Progresiste” lindi si rrjedhojë e protestave të shoqërisë civile pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak.