Ermal Mulosmani: Zbythja e fundit e një arroganti të vogël…
Kryeministri ynë nuk e ka për gjë edhe të vejë duart rreth qafës një Presidenti të një shteti të fuqishëm ose të flasë në prani të tij sikur flet me, fjala vjen, Pandin ose Erisën. Sepse thellë-thellë, në bindjen e tij, Shqipëria nuk është kurrkund me dimensionin e tij udhëheqës. Gjithmonë ai ka qenë i bindur se kapacitetet e tij intelektuale,artistike, botëkuptimore dhe politike i kalojnë me dhjetëra herë kufinjtë e Shqipërisë.
Ai duhej të ishte ndonjë kancelar gjerman ose kryeministër anglez. Keq e keq, Kryeministër i Italisë.
Por, fati i keq e çoi në këtë humbëtirë të vogël komunisto-lindore.
Dhe këtu fillon gallata dhe fillojnë të qarkullojnë legjendat për të. I pari ishte kryeministri serb, Aleksandër Vucic. Ai shumë shpejt e kuptoi delirin e tij dhe në një dalje televizive të përbashkët deklaroi plot cinizëm “Unë jam lider lokal i serbëve, Rama është lider botëror”.
Por, kush po e llogarit “vogëlushin” serb. Le të thotë çfarë të dojë.
Kryeministri i vuri syrin Kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel. Në takimet e para, thonë, e gajasi duke treguar barcaleta nga Shqipëria komuniste. Kancelarja nuk hante bukë gjithë darkës, mbante barkun me dorë nga të qeshurat…
Servilët erdhën në Tiranë dhe dhanë verdiktin! Rama është i përzgjedhuri i kancelares. Një lloj lideri i Ballkanit. Në televizion dhanë edhe ca pamje ku dukej vetëm Rama me Kancelaren. Kaq shumë u teprua sa u duk si romancë. Kryeministri vazhdimisht kërkonte nga media pyetjen “A është e vërtetë që ju vetë jeni i përzgjedhur i Kancelares”? Dhe pasi e kishte nxitur vetë, jepte edhe përgjigjen e heshtur, nënkuptuese,nënqeshëse me gjasme “nuk pyetet në publik për këso gjonash”.
Dhe njerëzia besonte se vërtetë ekziston diçka të tillë. Evropa na priste prapa derës, dukej çështje ditësh.
Por, një ditë të bukur, Ministri i Jashtëm gjerman e zhbëri këtë legjendë. “Nuk ka një datë të caktuar për hapjen e negociatave për anëtarësim” deklaroi ai. Pastaj Kancelarja deklaroi “ Nuk ka ndryshim të kufinjve të Kosovës me Serbinë”!
Dihej kush e sponsorizonte teorinë e korrigjimit të kufinjve…
Dy shuplaka të drejtpërdrejta ndaj Ramës!
Deliri kryeministror arriti kulmin në zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Besoi se është aq i rëndësishëm sa mund të jepte edhe konsiderata për Donald Trump-in. Dhe jo këtu, brenda për brenda, në mëmëdhe, por në median më të rëndësishme të botës deklaroi:
“Larg qoftë! Zgjedhja e Donald Trump-it do jetë fatkeqësi për Amerikën”.
U habit edhe moderatori, i cili, i heq vërejtjen “A e keni të qartë se po flisni për zgjedhjet e një vendi tjetër”?
Kryeministri iu përgjigj: “Edhe udhëheqësit e tjerë të Evropës mendojnë kështu”.
Se kështu e mendonte veten vërtetë. Zëdhënës i mendimit më përparimtar evropian! Udhëheqësit e Evropës mendojnë kështu, por vetëm unë kam kurajon ta them të vërtetën e nënkuptuar….
Kur Trumpi u zgjodh President, për ca kohë nuk dinte ç’të bënte… Sigurisht duhej zbythur por nuk ishte aq i pasur “sa të blinte të shkuarën”. E mori kthesën me kujdes, ditë pas dite derisa u mburr me foton e bërë në Samitin e Natos me as më pak as më shumë, por me “Largqoft-in” Donald Trump!
Një zbythje shembullore!
Arroganca e tij do merrte një shuplakë të fundit këto ditë nga një “kryetaruc” i vogël fare! Ky këtu poshtë nesh, greku.
Por si qëndronte çështja dhe pse u bë si pulë e lagur një 2 metrosh delirant nga një “vogëlush” pragmatist si Cipras?
Gjithçka zë fill nga një vendim qeverie në fund të vitit që shkoi. Sipas vendimit, Qeveria rishtetëzonte të gjitha pronat në vijën bregdetare të regjistruara në hipotekë, në pronësi të qytetarëve që janë bërë pronarë në bazë të ligjin 7501 të shpërndarjes së tokave të kooperativave bujqësore dhe ish-ndërmarrjeve bujqësore.
Pra, ia jepte shtetit pronën e qytetarëve, pasi ua kishte dhënë fillimisht vetë atyre.
Njerëz të informuar për arsyet e këtij vendimi thonë që kjo bëhet për interesa të oligarkëve që do të bënin në zonën Himarë -Vlorë resorte turistike luksoze etj etj. Por, kjo është e parëndësishme për sa kohë nuk është e vërtetuar. Ajo që është e vërtetë këtu, është fakti që disa shqiptarë që kanë përfituar tokë do të shpronësoheshin!
Por kush po çan kokën për ca shqiptarë. Ata nuk i pyet njeri, gjynafqarët, ua marrim pa problem.
Problemi i madh është se aty janë edhe ca minoritarë grekë…Dhe këtu nuk të fal njeri!
Fillimisht u përpoq ta mbajë të fshehtë por sinjali shkoi edhe në Athinë. Ciprasi, Kryeministri i Greqisë, duket vërtetë i qetë e i qeshur por ia futi dy këmbët në një këpucë Kryeministrit tonë. Ky i yni i jep vërtet leksione historie me të cilat Ciprasi qesh. Njësoj si Vucici. Por, ai nuk ka llafe, kalon direkt në kërcënime: “Nëse informacionet se minoritetit grek po u mirret toka, atëherë ky është një zhvillim që në këtë moment nuk na jep optimizmin për sa i përket ecurisë kritike europiane të këtij vendi”. Pra, thjesht e bukur, qeveria e Greqisë do të vërë veton kundër integrimit evropian të Shqipërisë…
Dhe Kryeministri ynë trimosh e heq fillimisht VKM-në nga Fletorja Zyrtare, nga siti i Kryeministrisë dhe duket sikur përkohësisht është anulluar gjithçka…
Ndonëse mediat greke njoftojnë për një telefonatë të ashpër në mes dy Kryeministrave, ku Ciprasi ia bëri të qartë Ramës se “nuk linte asnjë hapësirë keqinterpretimi nga ana e udhëheqjes shqiptare, në lidhje me kushtin e respektimit absolut të të drejtave dhe pronës së pakicave”, Kryeministri ynë dhe mediat pranë tij nuk kanë përgënjeshtruar asgjë deri më tani.
Shyqyr prej minoritarëve përfitojnë edhe ca shqipatë autoktonë…
Dhe kjo është zbythja e fundit e një arroganti!/gazeta express/