Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Rama-Veliaj po i bëjnë gjëmën Tiranës

KUJTESË!

Protestat e studentëve dhe të pedagogëve të Universitetit Bujqësor të Kamzës janë sot në ditën e dytë. Dhjetra prej tyre, të udhëhequr nga dekani i Fakultetit Ekonomik, janë kundër shkatërrimit të Fidanishtes, për të ndërtuar aty një shkollë me skemën e PPP-ve famëkeqe nga Erjon Veliaj. Dekani i Fakultetit Ekonomik, Maksim Meço tha se kjo pronë, ku po ndërtohet shkolla ka qenë private dhe është ende në proces gjyqësor dhe nuk mund të ndërhyhet pa patur një vendim të formës së prerë. Sipas Meços Rama u pati premtuar se do të financonte universitetin për të blerë pronën private, por ia shiti bashkisë së Tiranë më 1 prill. “Ne nuk jemi informuar mbi ndërtimin që ka nisur në Fidanishten e korpusit universitar. Kjo është pronë private dhe është ende në proces gjyqësor. Por kryeministri Rama na gënjeu kur na tha se do të na jepte paratë për ta blerë pronën private, ku qeveria projektoi të ndërtojë objekte në funksion të korpusit universitar, por më 1 prill ia shiti Bashkisë së Tiranës, për interesat e tyre”, tha dekani.

Gjithçka është një mashtrim i dyshes Rama-Veliaj. Kjo zonë u shërben studentëve për praktikat dhe si për ironi të fatit, një vit më parë, Veliaj, i rrethuar nga kamerat, mbillte pemë, po në atë vend ku sot po gërmon për të hedhur beton.

Një vit më parë, më 26 shkurt 2018, denoncova deklarimet e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se i ka 10 fishuar taksat ndaj bizneseve. Deklarova se “Lali Eri” është një nga përfaqësuesit më tipikë të mendësisë së politikanëve të korruptuar të Shqipërisë që erdhën në pushtet nga hiçi, nga vulgu dhe asgjëja dhe e ngritën begatinë dhe pushtetin e tyre mbi shtypjen dhe rrjepjen e popullit dhe njerëzve të punës. Ja deklarata ime e një viti më parë:

Në emisionin “Opinion”, kryetari i bashkisë së Tiranës krenohej se ka 10 fishuar taksat dhe po i rrjep bizneset! Mburrej haptazi dhe përsëriste pa pushim se “unë i kam rrjepur ata!”. Ky është një nga përfaqësuesit më tipikë të mendësisë të politikanëve të korruptuar të Shqipërisë që erdhën në pushtet nga hiçi, nga vulgu dhe asgjëja dhe e ngritën begatinë dhe pushtetin e tyre mbi shtypjen dhe rrjepjen e popullit dhe njerëzve të punës. Sipërmarrësit kontribuojnë me 80% të prodhimit të brendshëm bruto, punësojnë mbi 400 mijë persona dhe e mbajnë këtë paloshtet në këmbë me taksat që paguajnë. Këta sipërmarrës janë përditë nën dhunën e pushtetit, parapaguajnë nën dorë 20 deri 30 për qind të vlerës për çdo kontratë e leje që marrin dhe përballen çdo ditë me dyzinat dhe hordhitë e inspektorëve dhe gjobaxhinjtë mizorë, të pashpirt dhe të panumërt të Rilindjes: inspektorët kundër rrufeve, të gazit, të duhanit, të ushqimit, të vaksinave, të punës, të higjenës, të ajrit, të sigurimit teknik, të puseve të ujit etj. etj! Kryebashkiaku përpiqet të na hedhë hi syve përnatë nëpër ekrane duke mbjellë disa pemë, ndërkohë që po betonizon gjithë zonat më të rëndësishme të Tiranës. Vetëm në 9 muajt e fundit, ai ka dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 406 mijë metra katrorë, dy herë më e lartë sesa gjithë viti 2016. Këto janë të dhëna zyrtare të INSTAT.

Në fakt, ai po rrjep popullin e thjeshtë, të gjithë njerëzit që blejnë apartamente. Sipërmarrësit paguajnë nga xhepi i tyre vetëm tatimin mbi të ardhurat personale dhe mbi fitimin, ndërsa të gjitha taksat e tjera i transferojnë te konsumatori fundor. Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur muajt e fundit me 100-200 euro për metër katror, pasi ndërtuesit kanë reflektuar “taksat rrjepëse”. Lali “rrjepsi” po i bën gjëmën Tiranës dhe qytetarëve. Vetëm klientët e Lalëve të pushtetit janë të lumtur sot, të gjithë të tjerët ndihen çdo ditë e më thellë në rrathët e ferrit!

Please follow and like us: