Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: STAFETË E DHIMBSHME E NJË DASHURIE PARISJENE (4)

– Mirë atëhere, dijeni se: si shkencëtarët, piktorët a skulptorët, por edhe artistët në përgjithësi, e kanë vështrimin të përqendruar dhe vëzhgues. Këtu hyjnë edhe disa ‘të tjerë’, por për modesti s’po i them, ngaqë në ta bëj pjesë dhe unë, gjithashtu.
– Ku? – buzëqeshi francezja.
– Te ‘të tjerët’, zonjushë.
Dhe fizikania nga Normandia e kuptonte, tashmë, se njeriu i mbështetur te dërrasa e varkës, gjysmë të përmbysur, me gjasë ndryshonte nga të tjerët. Madje kryekëput. Atë çast ajo mori një vendim me rëndësi: s’ishte dhe aq e domosdoshme të studionte psikologji se sa t’i jepte vlerën e duhur njeriut, me të cilin rasti e solli të takohej e t’i kushtonte po atë seriozitet që u blatonte edhe eksperimenteve të saj. Dhe befas iu ndërmend një bashkëpunëtor italian. Ai tregonte se po kthehej nga Odesa me një vapor të vogël. Kur mbërritëm në Bari, u kujtua të pyesë një nga personeli që shërbente:
– Udhëtimi qe i shkëlqyer edhe pse kjo anije ishte fare e vogël në krahasim me atë që shkova në Odesë.

Tjetri kishte buzëqeshur:- Keni të drejtë, zotëri. Anija jonë është e ngarkuar me dinamit, prandaj. Tashmë ura qe hedhur dhe italiani nxitoi ta kalonte atë dhe të zbriste menjëherë në tokë i tmerruar.
Fizikanes, pas kësaj, natyrshëm i erdhi për të qeshur. Qe një vetëqesëndisje. Jo aq për ngjashmërinë e gjasave. Se ato qenë: njëra-vjegë e tjetra-hallkë. Por për pangjashmërinë e pakraha- sueshmërinë e pasojave. Se dëmi i së parës (mos, o Zot, në rast shpërthimi) do të qe tepër i rëndë por…, gjithsesi lokal. Ndërsa këputja e një hallke në fizikë, do të shkatërronte të gjithë zinxhirin e kësaj shkence. Dhe për këtë s’duhej lutur Zoti të mos ndodhte, por mbase për të kundërtën: që të ndodhte, madje sa më parë, megjithatë. Kishte ardhur, natyrshëm, çasti që të mënjanonte shpërfilljen dhe gjuhën me shpoti, e cila, çuditërisht, iu duk se qe e detyruar të përshtaste: një të folur më shumë ngacmuese dhe me karakterizime jo dhe aq të ujdisura: ‘pirat’, ‘misterioz’, a ‘falltar’. Se të tria këto epitete jo vetëm që s’e rrisnin shpejtësinë e komunikimit, por përkundrazi. E pengonin atë si tri parzmore të cilat dialogun e shndërronin në dyluftim midis të saponjohurve. Aq më keq kur këta janë të sekseve të kundërt. Kurrsesi s’duhej në rastin në fjalë kur biseda, me gjasë, parakushtin e kishte të ngrihej në nivelin e një vozitjeje virtuale, kur herë njëri dhe herë tjetri të merrte rolin e varkëtarit. Mbase ky duhet të qe shkaku pse ajo mendoi se i përkiste asaj roli i lundërtarit në këtë rremëtim. Kësisoj, tanimë, dialogu i njëmendtë do të rrafshonte brigjet e panevojshme dhe do të rridhte në një shtrat më të qetë. Përfundimi? Do të ngjisnin kreshtën e këtij ‘mali’, ku i grishi me bujari rëra në bregun e detit.
Era s’reshtte së fryri dhe francezja, si u largua cazë, kapi njërin kind të shallit dhe e ngriti dorën në lartësinë që ajo të valëvitej paskokës së poetit. Coha e ibërshimtë ia ledhatonte zverkun tek përhidhej dhe, ashtu siç e kishte paramenduar ajo, poeti e kapi dhe e mbështolli fort në dorën e tij dhe e puthi. Pastaj, me një zë si pëshpërimë, tha: – Kur e puthura vjen, ajo duhet nderuar… po me ato mjete.
Era, që tashmë ishte shtruar, me gjasë qe shkaku që tjetra të mos dëgjonte, ose të bënte mosdëgjuesen, se s’qe më shumë se një hap larg, de!
– Për çfarë mjetesh e keni fjalën, zotëri?
Ai qeshi dhe sërish po me të njëjtin ton duke shtuar kësaj radhe edhe ca nota të thekura të të përvëluarit, tha:
– Për mjetet e puthjes, bukuroshe, e për çfarë tjetër?!
– Pyesni nëse kam shall tjetër?
Ai ia plasi gazit. Ajo ose vërtet s’dëgjonte, ose luante shurdhen e njëmendtë. Por, sido që të qe, ai e merrte për të rrejshme ‘shurdhë- sinë’ dhe se diçka tjetër Ajo, nga Ai, priste. Dhe… Poeti vërtet ra në grackën e saj. Ai, me dorën e majtë, i bëri shenjë të qasej më pranë. Dhe ajo, ndonëse atë nojmë priste, s’u afrua menjëherë, se deshi ca imta kinse për të mbështjellë disi cohën, me të djathtën e saj dhe, në vend që të hidhte atë hap të munguar, vendosi njërën shputë të këmbës pranë tjetrës, si të donte ta maste distancën me këtë çapitje, a këtë… ’Hap kozmik’! – do ta quante poeti. Ajo, më në fund, mbërriti tek ai, pas një duzinë këmbësh. Dhe hundët e tyre thuajse u puqën, ngaqë ishin ballë për ballë. ‘Hap kozmik’! Por kësaj here jo për francezen, por për poetin të shkonte tek ajo. Se ai ishte me milimetër larg dhe s’lëvizte dot.
Era, gjithsesi, bënte të sajën. Ajo valëviste pas qafës së poetit, cohën si sharrën ndër pyje, që dy njerëz e tërheqin secili nga vetja për të prerë një lis. Asnjëri nga të dy nuk ia donte mortjen tjetrit. Aq më pak në këtë mënyrë. Fizikania s’kishte arsye. Përkundrazi. Simpatinë nisi t’ia shfaqte qoftë edhe me këto… kolpo a katekule. Poeti kurrsesi. Por ai patjetër që do të ndërmendte ç’kishte lexuar një natë më parë, gjë që jo vetëm binte ndesh, por e përmbyste qëndrimin afrues e, madje, disi miklues të deritanishëm. Thua të qe paravendosur për poetin një fund i ngjashëm tragjik, veçse me ndryshimin e ‘Perëndeshave’ nga “Hipo në Hipertermi?
Ajo ia kishte ngulur vështrimin dhe i tha me të njëjtën pëshpërimë:
– Më pyetët a kam shall tjetër, zotëri, apo deshët të zonjën e shallit ta nderonit po me ato mjete?
Dhe francezja ngriu në një përgjigje të kotë. Se, në çast, poetit iu ndërkëmbye figura. Silueta e saj u zëvendësua me atë të ëndrrës: Perëndeshën Hipertermi.

Please follow and like us: