Nardi Olli: Falangat e kazanit mediatik në mbrojtje të bashkisë së Tiranës
Ka një zell të habitshëm nga kazani mediatik i pushtetit për të mbrojtur projekte të qeverisë apo bashkisë me justifikimin se janë në dobi të komunitetit. E për këtë i referohen gjithmonë protestave për mos ndërtimin te Parku i Liqenit apo edhe në zona të tjera. Edhe pse e kam thënë personalisht me qindra herë, më duhet ta përsëris sërish pasi e vërteta as më lodh e as më mërzit.
Nuk kam qenë e as jam kundër veprave në dobi të komunitetit, po jam kundër krimit që mbulohet me këtë pekt. Nuk kemi qenë kundër ndërtimit te Liqeni, por kemi protestuar dhe vijoj të protestoj se ky ndërtim u realizua në kundërshtim me të gjitha ligjet në fuqi dhe vijon të mbetet një ndërtim i paligjshëm, që dikur do të ndëshkohet nga ligji.
Për më tepër koha provoi pretendimin tonë se ky “merak i madh” për fëmijët ishte vetëm akti që i parapriu zhdukjes së “7 xhuxhave” për të ndërtuar sikur po ndërtohet. Dhe këtë besoj se e shikon i gjithë kazani mediatik i ERTV dhe gjithë qytetarët. Kështu edhe për ndërtimet në zona të tjera sikundër edhe rasti te UBT.
Pyetja të nderuar shërbëtorë të pushtetit nuk shtrohet a ka nevojë Tirana për shkolla e kopshte, se këtë e di dhe bufi, pyetja që duhet të shtrojmë të gjithë është apo ndërtohet duke respektuar ligjet e shtetit shqiptar. Fakti që ndërtimet mund të kryhen në kuadër të interesit publik nuk mund të justifikojë kurrë shkeljen e kuadrit ligjor. Prandaj lejeni populizamt dhe qurravitjet gjoja në emër të fëmijëve, kopshteve dhe shkollave se janë lotë krokodili për të mbuluar krimet e padronëve.
Sikundër kam thënë atëhere po e rithem edhe sot: Ndërtoni po të doni edhe baza për lëshimin e raketave bërthamore, por bëjeni duke respektuar ligjet e shtetit shqiptar jo duke i shkelur me të dyja këmbët. Kostumi i drejtuesit të shtetit nuk është imunitet ndaj paligjshmërisë, por përkundrazi rrezik i madh për shpërdorim detyre e abuzim me pushtetin. Prandaj ka ligje dhe një shtet të së drejtës që janë imuniteti real ndaj së drejtës dhe të mirës publike.
Gjithçka tjetër është shërbimi i ulët dhe i pamoralshëm që i bëhet diktaturës së urisë ramiste.