Ardian Ndreca: Kuptimi i historisë na çliron prej peshës të së kaluemes pse të vërtetat e saja krijojnë hapsinë për kultivimin e njerëzve të lirë
Po flitet këto ditë për krime të komunizmit dhe faqet e para të gazetave i kanë marrë peng fundrrinat e asaj kohe, ish prokurorë dhe xhelatë të pashpirtë që i kanë shkaktue vuejtje pafund njerzve të pafajshëm.
Jemi popull pa kujtesë historike; edhe pse kalojmë kohën tue u marrë me përralla pellazgjike kemi harrue se çka ka ndodhë para tri-katër dekadash.
Ma s’parit duhet “krijue memoria” (μνήμην ποιεῖσθαι) siç thonte ati i historisë, Herodoti, pse kjo asht baza e historisë e pa këtë të fundit s’ka as qytetnim dhe as progres të mirëfilltë. Bahet fjalë për kujtesen e asaj që nji komb ka përjetue, për reflektimin kritik të ngjarjeve me randësi nepërmjet të cilave asht përshkue dhe vlerave që ka mbërrijtë me prodhue.
Kuptimi i historisë na çliron prej peshës të së kaluemes pse të vërtetat e saja krijojnë hapsinë për kultivimin e njerëzve të lirë.
Në vitin 2019 të vjen të ndytë kur sheh sesi kriminelat e diktaturës hoxhiste në vend që me kërkue ndjesë trimnohen, që fundrrinat e asaj kohe ngrehalucen në parlament dhe në të gjitha partitë politike pa përjashtim.
Mjerisht në këto vite nuk ka pasë asnji ndërmarrje serioze për me dekomunistizue sistemin dhe kjo kauzë asht përdorë dhe instrumentalizue paturpsisht. Sot shihen frytet e asaj politike makabre, prandaj s’duhet me u skandalizue me kriminelat por me ata që kanë instrumentalizue kauzën e dënimit të krimeve dhe të autorëve të tyne.