Bardhyl Berberi: Në shtëpinë e shpirtërave të vdekur në Pogradec
Në shtratin e përgjakur të Mehmet Shehut kanë fjetur gjithë burrat e shtetit: Berisha, Nano, Moisiu, Topi, Nishani dhe Atifete Jahjaga…
Para pak ditësh mësova një fakt interesant. Pas shkatërrimit të rezidencës qeveritare në Pogradec në vitin 1997 drejtoria e shërbimeve qeveritare pas rikonstruksionit të vilës së Enver Hoxhës, që njihet si vila nr. 3 nga një firmë ndërtimi nga Skrapari që vetëm për rikonstruksion u harxhuan për rikonstruksionin e kësaj vile 300 milionë lekë. Kjo drejtori në vitin 2001 sjell në Pogradec, tek dhoma ku flinte dikur Enver Hoxha, në vilën nr. 3 pikërisht dhomën e gjumit të Mehmet Shehut. Atë dhomë gjumi, me të njëjtin dyshek që, po ta ktheje nga ana tjetër, dukeshin shenjst e gjakut… Atë dhomë gjumi megjithë shtratin makbethian ku u vra apo u vetëvra në dhjetorin e vitit 1981 ish kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu. Dihen preferencat që kanë patur udhëheqësit aktualë për Pogradecin. Sipas burimeve të mirëinformuara nga personeli i vilës mësohet se në këtë shtrat të përgjakur kanë fjetur gjatë pushimeve në këtë vilë Sali Berisha, Fatos Nano, Alfred Moisiu, Bamir Topi, Bujar Nishani dhe nuk shpëtoi pa e provuar këtë shtrat për 20 ditë gjatë pushimeve në Pogradec edhe ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga…Kjo dhomë gjumi është zëvrndësuar vetëm para pak kohësh dhe ka kaluar nga vila 3 në vilën 4 pasi u vendosën mobilje të reja të Myrebesit…
Rezidenca
Në pjesën më të bukur të qytetit buzë liqenit, në mes të një parku prej 20 ha ndodhet ish rezidenca e Enver Hoxhës dhe bllokmenëve të tjerë. Ato u ngritën rreth vitit 1964 dhe në vitin 1965 filuan që të pushojnë udheheqësit komunistë që nga Enver Hoxha, Hysni Kapo, Mehmet Shehu edhe të tjerë. Veçanërisht Enveri pushonte çdo verë nga tre muaj në Pogradec. Kur janë ngritur ato vila, ose siç i quante Enveri shtëpitë e partisë, ajo zonë ngjante me një bazë të huaj të rrethuar anembanë me ushtarë, artileri të rëndë, silurues në liqen dhe një hepikopter i gatshëm në çdo situatë. Aty nuk shkelte këmbë njeriu, përveç atyre njerëzve të Bllokut. Në 10 korrik të vitit 1993 u hap zona e ndaluar dhe qytetarët filluan të shëtitin përgjatë gjithë bregut, madje u vu në funksion edhe rruga buzë liqenit që edhe ajo rrugë ishte vetëm e udhëheqjes, madje edhe për të shkuar në Drilon për ata kishte rrugë tjetër dhe për popullin tjetër lokal tjetër. Më pas në vitin 1997 ato u shaktërruan dhe u palçkitën deri në palcë.
Luksi
Dikur ato ishin vila hijerënda të zhytura në një luks të jashtëzakonshëm ku dëgjoheshin të lehurat e qenëve të fisëm të racës, dëgjohej trokullitja e gotave të kristalta nën dritën vezulluese të shandanëve të artë, muzika magjike e Bitëllsave që ishte privilegj vetëm për ‘ATA’, njerëzit e mbyllur dhe misteriozë. Në këtë luks të vilave shëtiste Zeusi, i cili pasi bënte shëtitjen buzë liqenit, më pas qëndronte poshtë mështeknës së famshme që më shumë se sa studionte meditonte dhe thurte plane dhe kurthe për shokët e tij që pasi hante një drekë apo shkëmbente një mendim ata më pas i prisnin prangat dhe internimet. Vilat hijerëndë buzë liqenit, pretendonin se kishin shkëlqimin dhe ndershmërinë, të paktën kështu pretendonin dhe betoheshin banorët e tyre se shkriheshin për popullin për hallet e tij më pas mbylleshin brenda kangjrllave të vilave dhe populli ngelej tutje si hije…i zhytur në mjerim dhe gjithçka e kishte të racionuar me tollona!
Aty gjithçka ishte ndryshe
Zeusi…lodhet dhe i duhet një qingj pirës për shokun, plantacioni i luleshtrydheve brenda Bllokut, verë dhe raki speciale…Shoku është i sëmurë kërkon kos stani; për gjithë natën udhëtonin makinat në drejtim të staneve të Homezhit. Mbesat duan misra të pjekura; nisej furnitori dhe oficeri i Sigurimit dhe gjithçka ishte kryer.
Vilat sot
Por një ditë banorët e këtyre vilave ikën duke mallkuar ata që ia u prishën qetësinë. Ato u shkatërruan dhe u grabitën, madje nuk iu ngeli asnjë prizë e asaj kohe. Njëra prej tyre, ajo që dikur pushonte Zeusi u riparua dhe u deshëm jo pak por 300 milionë në vitet 1999 dhe më pas edhe qindra milonë të tjera për vilën nr. 2 si dhe vilën nr. 4 . Shifrat janë marramëndëse dhe askush nuk tregon shifrën e saktë të tyre. Ato tashmë janë rregulluar dhe restauruar si më parë dhe presin e përcjellin bllokmenët e rinj. Edhe këta lodhen, kanë nevojë të shplodhen. Këto ishin disa rrëfenja nga rezidenca e pushtetarve të rinj të kohës së Demokracisë, megjithëse pogradecarët e quajnë si shtëpia e shpirtërave të vdekur, me dhoma gjumi të përgjakura që ngjajnë me një film horror.