Prof. Sami Repishti: 38 vjet nga protesta e studentëve të Universitetit të Prishtinës
Në numrin e 1 Janarit 1981, gazeta DIELLI e Boston-it, botoi Memorandumin II drejtue 35 Ministrave të Jashtëm të vendeve europiane (dhe SHBA) firmuese të Helsinki Agreement (i njohun si Helsinki Final Act, 1975). Të mbledhun në kryeqytetin Madrid, Spanjë, për herën e parë, do të shqyrtohej plotësimi i angazhimeve të marruna nga secili shtet-anëtar. Mungonte Shqipëria komuniste që refuzoi këte ndërmarrje themelore për ruejtjen e paqës në Europë.
Në bashkëpunim me organizatën Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, Memorandumi II u përgatit anglisht dhe u nënshkrue nga aktivisti për të drejtat e njeriut, Prof. Sami Repishti. Memorandumi II kishte 9(nandë) faqe dhe shoqënohej nga nji Annex prej 100 (njiqind) dokumentësh që konfirmojshin përmbajtjen. Memorandumi II ka datën 15 tetor 1980.
Nji kopje iu drejtue Ambasadorit amerikan, Max Kampelmann, i cili u përgjegj zyrtarisht se do të bante detyrën në ngritjen e problemit të pakicës kombëtare shqiptare në ish RSF të Jugosllavisë.
Memorandumi II i referohet Aktit Final të Helsinkit, 1975, dhe ban thirrje për të gjithë pjesëmarrësit të respektojnë të drejtat dhe liritë e pakicave kombëtare që ekzistojnë në territorin e vendeve pjesëmarrëse me nji theks të veçantë për të drejtat e pakicës kombëtare shqiptare në ish Jugosllavinë. Memorandumi II shprehë besimin se :
“…ata do të respektojnë të drejtat e personave që u takojnë pakicave të këtilla, barazinë para gjyqit, dhe se do të mundësojnë oportunitetin e plotë për nji gëzim të të drejtave dhe lirive themelore për të gjithë, dhe se, në këte mënyrë, do të mbrojnë interesat legjitime në këte sferë…”.
Në mes të pakicave nacionale “… që jetojnë në shumë nga shtetet kombëtare dhe multi-nacionale të Europës”, thekson Memorandumi II, “ashtë edhe pakica shqiptare prej ma shumë se dy miljonë qytetarësh që tani banon mbrenda kufinjëve ndërkombëtare të RSF të Jugosllavisë, kryesisht mbrenda Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”.
Memorandumi II numëron nji seri shkeljesh të të drejtave dhe lirive të popullsisë shqiptare dhe kërkon respektimin e tyne. Aty dyshohet se “….pozicioni i padëshirueshëm i pakicës kombëtare shqiptare në RSF të Jugosllavisë, dhe shkeljet sistematike të të drejtave dhe lirive të kësaj popullsie- si dhe të individëve të aktivizuem- nuk do të ndihmojë me pengue trazina në këte zonë potencialisht eksplozive të kontinentit europian”.
*
Nji parashikim i saktë por fatkeq për shqiptarët në Jugosllavi!
Vetëm tre muej ma vonë, mars, prill, 1981, Kosova shpërtheu në demonstrata të fuqishme me përfundime tragjike. Studentët shqiptarë që demonstruen, u rrahën egërsisht, u burgosen për vite të gjata, dhe u vranë nga “U.D.B.a” dhe Ushtria Jugosllave, që ishte krijue me mbrojtë e jo me vra qytetarët e vet. Statistikat zyrtare jugosllave japing numrin 11 për viktimët e vrame, dhe 57 të tjerë të plagosun randë; disa prej tyne vdiqën në spitale ose në shtëpi nga moskujdesja e frika e arrestimit. Me qindëra numërohen studentët e arrestuem, në kundërshtim me trajtimin e studentëve në Beograd dhe Zagreb që demonstrojshin pa frikën e egërsisë ushtarake jugosllave. Burime tjera të jashtëme tregojnë për hapjen e ma shumë se 100 varrezave për viktimët; Prof. Pedro Ramet, Washington University, që vizitoj Kosovën shpejt mbas ngjarjeve mendon se numri i viktimave në të gjithë Kosovën e Tetovën afrohet shifrës 1.000. (Për solidaritet, studentët e Tetovës demonstruen bashkë me ata të Prishtinës dhe qyteteve tjera të Kosovës).
Parulla kryesore ka qenë “Kosova Republikë!”
Në vitin 1981, numri i studentëve të Universitetit të Prishtinës kishte arritë numrin 30.000, nga të cilët 60 përqind ishin studentë shqiptarë.
Universiteti i Kosovës u hap në vitin 1970 (si Universiteti i Prishtinës) jo si nji gjest simpatie, as edhe si manifestim mirëkuptimi për nevojët e Kosovës, por kryesisht si rezultat i presionit të ushtruem ndaj Qeverisë Jugosllave mbas demonstratave kosovare (dhe të Tetovës) të nandorit të vitit 1968., dhe ma vonë 1971.
Vetëm nji vjet mbas hapjes, 1971, Universiteti i Kosovës u lëkund nga lëvizjet studentore që kundërshtojshin konditat shumë të këqia dhe trajtimin inferior të këtij instituti të naltë arsimor. Demonstratat e 1981-se, nuk u trumbetuen nga shtypi jugosllav zyrtar, por ishte e qartë se Kosova kishte arritë në nji pikë ku shpërthimi studentor do të trondiste themelet e Kosovës, dhe se autoritetet duhej të kujdesoheshin ma shumë për përmirësimin e konditave të jetës në Kosovë në se dëshirojshin me evitue rrjedhimet katastrofike.
Për ma tepër, konflikti ngjau në nji kohë kur Jugosllavia po kalonte nji periudhë krize ekonomike të thellë. Në vitin 1980, inflacioni ishte mbi 30 përqind. Kosova, si vendi ma pak i zhvilluem në vend, mbante peshën ma të madhe të këtij depresioni ekonomik.
Politikisht, Jugosllavia po kalonte nepër pengesa të mëdha. Arrestimet e disidentëve u shtuen, veçanërisht kundër shqiptarëve. Burime të besueshme japin shifrën 150 të viktimave shqiptare (të burgosun të ndërgjegjes). Në burgjet jugosllave për çdo të burgosun jugosllav politikisht kishte 5-6 të burgosun shqiptarë.
Tue shkrue mbi Charter 77, avokati për të drejtat e njeriut, H.Gordon Skilling, spjegonte:
“….Në se ne- individët, organizatat private, dhe qeveritë- nuk jemi në gjendje me gjetë mjete konktrete me ndihmue (të përndjekurit) në , gjendje të vështirë, fjalët tona të bukura dhe mbështetja e jonë janë pa vlerë. Aksioni efektiv në mbështetje të kauzës së tyne, përkundrazi, ashtë i dëshirueshëm dhe jo vetëm për hir të vetë individëve. Aksioni ndihmon me hapë rrugën për sukses të luftës së tyne për të drejtat e njeriut, dhe kështu me hjedhë bazat e nji zbutje serioze të tensionit, mbështet në komunikim të hapët dhe mirëbesim real e mirëkuptim në mes të Lindjes dhe Perëndimit”.(“Czechoslovakia on Trial” Queen’s Quarterly,1980)
Bashkësia shqiptaro-amerikane organizoi nji demonstratë të madhe në Washington D.C. Organizata Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë, shpërndau nji trakt (anglisht) me thirrje për kundërshtimin e terrorit jugosllav- kryesisht serb- në Kosovë. Trakti shkruente:
“Të dashtun bashkatdhetarë dhe miq:
Sot, kemi ardhë këtu në Washington D.C. kryeqyteti i kombit amerikan, me kerkue nga Qeveria e jonë, dhe bashkë me ju bashkëqytetarë të ndershëm, me u përpjekë për ndalimin e vrasjeve, dhe përdorimin e dhunës, me kundërshtue favorizimin e dhunës nga qarqet zyrtare të Jugosllavisë komuniste.… “
Mbasi spjegon ngjarjet në Kosovë, trakti shton:
”….Në mes të kësaj atmosfere të frikëshme dhe gjithëpërfshirëse viktimët shikojnë drejt nesh, drejt këtij vendi të lirë e bujar, me shpresë se fjalët tona dhe veprimet tona do të kenë sukses me ndalue vendosmëninë e qeverisë komuniste të Jugosllavisë në përdorimin e të gjitha masavet ndeshkimore të munduna kundër popullsisë së pakicës kombëtare shqiptare që lufton për liri, dinjitet dhe drejtësi…” Trakti firmohet nga Maliq Arifaj, nji aktivist i ri Kosovar.
Demonstratat në Kosovë tërhoqën vemendjen e agjensive botënore të lajmeve. Për të parën herë, bota e jashtëme u njoftue për vendin, popullin dhe situatën në ate Krahinë. Mbasi theksojnë varësinë e Kosovës nga Serbia, fletoret e Perëndimit shkruejnë se kjo varësi politike konsiderohet si përulëse nga të gjithë shqiptarët që shohin në këte formë organizimi, provën ma të mirë të pafuqishmënisë së tyne politike. Sot jetojnë ma shumë se dy miljonë shqiptarë në Jugosllavi. Ky numër ashtë i barabartë me 44 përqind të të gjithë popullsisë shqiptare me banim në Ballkan, dhe përban njikohësisht grupin e tretë etnik në Jugosllavi, mbas serbëve dhe kroatëve.
Në shtypin jugosllav u paraqit situata nga agjensia TANJUG:
”Me 11 mars, demonstrata u zhvilluen në Prishtinë nga elementë armiqsorë që tentuen të shfrytëzojnë pakënaqsinë e nji farë numri të studentëve të pakënaqur nga cilësia e ushqimit në restaurantin e universitetit…”(12 mars 1981). Simbas UPI “…nji numër studentësh u lendue gjatë përleshjeve me milicinë, para se të shpërndaheshin”. Simbas Reuter “ma shumë se 1.000 studentë morën pjesë në këte demonstratë dhe u shtypën nga Policia me gaz lotues…”
“Me 26 mars (1981) studentët shqiptarë zaptuen konviktin e Universitetit të Kosovës, Prishtinë, mbas nji seri përleshjesh me policinë, e cila ndërhyni kur demonstruesët proklamuen parulla pro-shqiptare, për të dytën herë mbrenda dy javësh. Okupimi i Konviktit të Prishtinës, kryeqyteti i Kosovës filloi të merkurrën dhe zgjati pa nderpremje deri në orët e para të mbasdrekës së ditës së enjte “(UPI)
Zyrtarisht u pranue se “në përleshje u plagosën 35 persona dhe u arrestuen 21 studentë “(Rilindja, 29 mars 1981)
“Çka filloi me 11 mars si nji protestë e izolueme, dhe në dukje e parandësishme, u zhvillue me datën 2 prill në nji manifestim të fortë revoltimi që përfshiu afër 20.000 demonstrues, në gjashtë qytete të ndryshme “(The N.Y.Times, 19 prill 1981) .
Gazeta londineze The Times, 3 prill 1981, shkruente me germa të mëdha:
”Ekziston frika e Beogradit se mund të krijohet nji efekt-zinxhir i ngjarjeve mbas bashkimit të punëtorëve me lëvizjen e studentëve.”
U njoftue zyrtarisht se “9 persona kanë mbetë të vramë, dhe 203 të plagosun”(Borba, 14 prill 1981)
“Reparte ushtarake dhe përforcime policore u vërsulen me vrull në drejtim të Kosovës. Tanket zunë pozita nepër rrugët e Kosovës, parashutistët zaptuen aeroportet dhe helikopterët ushtarakë fluturuen mbi qytetet që ngritën krye. Shtypja mori nji karakter të dendun e brutal atëherë kur policia dhe repartet ushtarake filluen të qëllojnë me armë zjarri studentët e pa armatosun. Në këte gjendje të vështirë, ata gjetën perkrahjen e shumë punëtorëve që erdhën në ndihmë, tue përfshi edhe anëtarë të Lidhjes Komuniste Jugosllave…”(Dielli 16 maj 1981) U krijue nji kombinacion student-punëtor, nji recetë shumë e randësishme për çdo fitore të lëvizjeve revolucionare.
Për të dytën herë mbas L2B Jugosllavia deklaroi gjendjen e jashtëzakonshme; herën e parë me 8 shkurt 1945, përsëri në Kosovë. Shkollat dhe shumë qendra pune u mbyllën. Nji shtet-rrethim që nga ora 8 e mbramjes deri në orën 5 të mëngjezit u imponue mbi të gjithë Kosovën, ndërsa gazetarët e huej nuk u lejuen me veshtrue zhvillimin e ngjarjeve dhe raportimin e tyne. Kontrolllimet e paligjëshme nepër shtëpitë dhe arrestimet vazhduen. Zyrtarisht u tha se u arrestuen 28 demonstrues. Ende nuk dihej fati i 50 të arrestuemëve nga të cilët 11 u dënuen me burgime nga 3 ne 11 vjet për pjesëmarrje në demonstratë.
“Shumica e atyne që pyetëm- shkruente The N.Y.Times me 20 prill 1981,- përgjigjen se nuk dëshirojshin me diskutue me gazetarët në lidhje me demonstratat….Disa të tjerë, të rinjë njizetëvjeçarë, pyetën me inat në se gazetarët kishin të drëjtë të shkonin atje dhe të flasin për demonstratat…Nji student universitar pyeti në se kishte mundësi me dergue nji letër në Botën e Lirë, me të cilën të tregonte të vërtetën mbi ngjarjet. Në përgjithësi, ata dukeshin të shqetësuem, qartazi nga frika se mos shiheshin tue folë me nji të huej….”.
Nji element i ri në këte situatë komplekse ka qenë hymja e Partisë së Punës së Shqipërisë në këte arenë, me përkrahjen e parë dhe të pakushtëzueme të kërkesës së demonstruesve “Kosova Republike!” nji pozitë kjo që ashte denoncue me tërbim nga udhëheqsit politikë të Kosovës (dhe Jugosllavisë) si nji ndërhymje direkte në punët e mbrendshme të Jugosllavisë,” shkruente Dielli i Bostonit (19 prill 1981) me qellim copëtimin e këtij shteti shumëkombesh. Manifestime masive përkrahje për studentët kosovarë u zhvilluen nga bashkësitë shqiptare të Europës dhe SHBA-së e Kanadasë. Këto bashkësi kanë qenë të mendimit se, ngjarjet e reja në Kosovë janë nji tregues i pagabueshëm se procesi i bashkimit të mbar kombit shqiptar tashma kishte fillue. Nji ecje e këtillë mund të vonohet, por nuk mund të ndalohet ma.
Siç e theksonte edhe The N.Y.Times: ”Nji stuhi kaloi, por stuhi të reja po grumullohen në qiellin e Jugosllavisë”(19 prill 1981)
Demonstratat kosovare të mars-prillit 1981 pa dyshim kanë qenë hapi i parë i shpërbamjes së Federates Jugosllave, që përfundoi me shpalljen e Kosovës shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik me 17 shkurt 2008..
Thirrje të vashdueshme nga grupe shqiptarësh në të gjithë botën, dhe sidomos nga organizata kosovare RSHKBL (New York) u drejtuen prej mijëra shqiptarëve të diasporës tue kërkue ndihmë e përkrahje të lëvizjes studenteske, dhe Kosovës në përgjitheësi. Lobimet në Washington,D.C. dhe në Gjermani u treguen veçanërisht aktivë, dhe fituen shumë miq e përkrahës mbrenda dhe jashtë qarqeve qeveritare. Me 14 shtator 1981, Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë i drejtoi nji Memorandum Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Kurt Waldheim, ku thuhet se qeveria jugosllave ka pranue publikisht 9 studentë janë vra, 257 janë plagosë, rreth 1.700 persona jane arrestue deri me 19 qershor 1981….Shumica e atyne që u akuzuen kanë qenë intelektualë, profesorë dhe studentë universitarë.
Memorandumi rregjistron 32 (tridhetë e dy) raste revoltimi popullor kryesisht në shkolla të mesme dhe në universitet, dhe përfundon: “….Shqiptarët kudo në botë, dhe miqtë e tyne po jetojnë momente frike dhe dëshprimi. Cila do të jetë e ardhmja e tyne për këto prindë të pafat, për këto vëllazën dhe motra që banojnë sot në Jugosllavi nuk ashtë e qartë, por na, të gjithë na, kemi shumë frikë e shqetësim për ata. Na jemi shumë të tronditun nga fakti se kori i terbuem i zaneve anmiqsore, thirrje histerike, dhe deklarata publike e kercënuese, mund të sjellin për atë popullsi nji valë të re ndërhymje ushtarake, dhe inevitabilitetin për ma shumë vdekje dhe ma shumë shkatërrim.
Na i lutemi Sekretarit të Përgjithshëm që për arsyet e parashtrueme ma nalt në bashkëpunim me Qeverinë Jugosllave, të studjohet mundësia e formimit menjiherë të nji grupi ad hoc për hetime të matejshme të situatës anormale të krijueme në krahinën e Kosovës që banohet nga pakica kombëtare shqiptare….”
Memorandume të këtilla janë përgatitë dhe dergue OKB-së çdo shtator me hapjen e seancave vjetore, si dhe personaliteteve ndërkombëtare me randësi. Si “shperblim” bashkësia shqiptaro-amerikane ka fitue mirënjohjen e shumë personaliteteve amerikane për punë të ndergjegjëshme dhe kambëngulëse në emën të Kosovës, nji veprimtari që ka ndihmue shumë orientimin e udhëheqjes politike amerikane në mënyrë të favorshme në emën të Kosovës. Deri në fitoren finale të 17 shkurtit 2008!
Angazhimi i plotë i diasporës shqiptare në Amerikë dha rezultatet e veta edhe me nji Konferencë Ndërkombëtare mbi Kosovën të organizueme nga Prof. Arshi Pipa dhe Prof. Sami Repishti, të mbajtun me datën 6 nandor 1982 në Graduate Center të City University of New York.
Kjo ka qenë Konferenca e parë që mbahet me këte subjekt, e ndjekun ma vonë nga nji seri konferencash dhe simpoziumesh të organizueme nga bashkësia shqiptare-amerikane. Konferenca dallohet për numrin e madh (14), të shkencëtarëve dhe historianëve ndërkombëtarë (Europë dhe Amerikë) që morën pjesë, si dhe për larminë dhe seriozitetin e refererateve të mbajtuna.
Përfundimisht, materiali i Konferencës u botue me titullin: Studies on Kosova , Edits. Arshi Pipa e Sami Repishti (Columbia University Press :New York, 1984)
Për këto veprimtari, të gjitha bashkësitë shqiptare në emigracion janë kryenaltë! Rasti i mobilizimit për Kosovën ka tregue edhe vitalitetin e diasporës shqiptare në botë dhe mundësitë e pakufizueme të ndihmës që ajo mund të japin në rast nevoje për Atdheun Nanë !