Dossier/Kur grupi i grave të Ambasadës së Kinës në Shqipëri vizitonte Institutin Kulinar “Neranxi”
Grupi i grave të Ambasadës së Kinës në Shqipëri, i kryesuar nga ambasadorja Jiang Yu, shkuan në Instituin Kulinar “Neranxi” për të shkëmbyr përvojë lidhur me artin e gatimit me pedagogët dhe studentët e kësaj shkolle.
Presidenti i kompanisë ushqimore “Neranxi” Nikollaq Neranxi dhe drejtues të Institutit Kulinar “Neranxi” u shprehën mirëseardhjen ambasadores Jiang Yu dhe grupit të grave. Z. Neranxi u shpreh se ushqimet shqiptare janë të veçanta, duke marrë më të mirën e ushqimeve mesdhetare dhe duke qenë shumë të pëlqyera. Ai tha se kultura ushqimore kineze është e njohur në botë dhe prandaj Instituti Kulinar “Neranxi” ka hapur edhe një kurs për mësimin e kuzhinës kineze. Nikollaq Neranxi vuri në dukje se në të ardhmen Instituti Kulinar “Neranxi” dëshiron të zhvillojë bashkëpunim me palën kineze për të shtuar miqësinë midis dy vendeve.
Ambasadorja kineze Jiang Yu nga ana e saj i njohu studentët e Institutit Kulinar “Neranxi” me tetë ndarjet rajonale kryesore të kuzhinës kineze, historinë dhe kulturën e kuzhinës kineze, si dhe pasuritë turistike të Kinës. Ambasadorja Jiang u shpreh se Kina është një vend me territor të madh dhe me burime të pasura. Klima, burimet, historia, kultura, doket dhe zakonet e krahinave të ndryshme kanë dallime relativisht të mëdha dhe kanë karakteristikat e veta. Kinezët gatuajnë ushqime të ndryshme sipas kushteve përkatëse vendore, duke formuar kështu gradualisht një kulturë ushqimore të stileve të ndryshme. Tetë ndarjet e mëdha rajonale të kuzhinës kineze përmbledhin filozofinë dhe konceptin për jetën të kinezëve dhe janë mbartëse dhe mishëruese të qytetërimit 5-mijëvjeçar të Kinës, vuri në dukje ambasadorja Jiang Yu. Ajo i inkurajoi studentët të njohin më mirë kulturën ushqimore kineze dhe të bëhen “mjeshtër të mëdhenj”, si në teori, ashtu edhe në praktikë.
Kuzhinieri i ambasadës kineze Zhang Debo dhe anëtarët e grupit të grave të ambasadës shkëmbyen përvoja gatimi me pedagogët dhe studentët shqiptarë, duke u treguar mënyrat e gatimit të ushqimeve kineze dhe njëkohësisht duke mësuar prej tyre mënyrat e gatimit perëndimore. (Du)