Kristina NERANXI: Mbresat e mia nga studimet në Universitetin ‘Tsinghua’ të Kinës
Studentja shqiptare Kristina Neranxi, shprehu mendimet e saj për Universiteti Tsinghua, gjatë një interviste me CRI – Shqip, në 29 Prill 2014. Ajo flet gjithashtu për jetën e saj në Kinë dhe njohjen me kulturën kineze. Më poshtë artikulli i Kristinës, mbi jetën e saj në Kinë: ¨Sweet and Sour¨ Beijing. Linku i shkrimit të plotë gjendet më poshtë: (http://albanian.cri.cn/381/2014/04/23/302s131239.htm)
Pas saktësisht dhjetë ditësh do të jem në avion, me destinacion kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën, ku është dhe shtëpia ime. Kjo më bën të reflektoj mbi gjithçka që kam përjetuar gjatë një viti të mrekullueshëm dhe është pak e vështirë për mua të besoj se sa shpejt ka kaluar koha që kur erdha në Pekin. Por së pari do të desha të tregoja si filloi përvoja ime me Kinën…
Kina është një vend magjepsës me një histori dhe kulturë të lashtë e unike. Kur mendoja për Kinën, ndër gjërat e para që më vinin në mendje ishin Muri i Madh, filozofi i madh Konfuci dhe poeti i shquar Li Bai. Nga librat e historisë në shkollë kisha mësuar për vuajtjet e popullit kinez nga pushtimet e ndryshme, por edhe për sakrificat e lavdinë e luftës të mishëruar më së miri tek Marshimi i Madh i udhëhequr nga Mao Ce Duni dhe suksesi i Reformës e Hapja të ideuar dhe realizuar nga Ten Hsiao Pini. Më vinin pastaj ndër mend ngjarjet më të fundit, si organizimi i shkëlqyer i Lojërave Olimpike të Pekinit 2008, kur Kina i tregoi botës se si kishte arritur të integronte të gjitha elementet tradicionale e moderne në organizimin e një evenimenti botëror që kalonte kufijtë e sportit. Prej gjithë këtyre më lindi një dëshirë e madhe për të vazhduar studimet pasuniversitare në Kinë.
Unë quhem Kristina Neranxi dhe jam nga Shqipëria. Erdha në Pekin saktësisht më 18 shkurt 2013. Nuk ishte hera e parë, pasi kisha qenë në Kinë edhe rreth 3 vjet më parë. Kina më kishte lënë mbresa mjaft të mira dhe gjithmonë kisha në mendje të kthehesha përsëri për ta vizituar. Çdo gjë filloi kur mora vesh nga ambasada kineze në Tiranë për mundësinë e aplikimit për studime pasuniversitare në një nga shkollat elitë të vendit, Universiteti Tsinghua. Pas disa javësh që kisha bërë aplikimin mora një thirrje nga ambasada kineze për intervistë si një kandidate për bursë studimi. Pasi shkova në intervistë dhe më thanë se dola me sukses e që shkolla më kishte pranuar, ajo u kthye në një nga ditët më të gëzueshme të jetës sime. Isha e lumtur që jo vetëm do të rikthehesha në Kinë, por dhe do të kisha mundësinë që të studioja e të diplomohesha në këtë universitet kaq prestigjioz të nivelit botëror. Kështu mbas disa javësh, të zëna me përgatitje për një udhëtim të gjatë dhe takime me njerëzit e afërm, nisa këtë aventurë fantastike.
Nga njëra anë ndihesha e mërzitur që do të jetoja kaq larg familjes dhe shoqërisë, por nga ana tjetër isha shumë e emocionuar që po ndërmerrja këtë përvojë në një shtet me një kulturë krejt të ndryshme nga ajo e vendit tim. Gjatë gjithë udhëtimit më vinin mendime të shumëllojshme, siç mund t’i ndodhë çdokujt kur vete drejt një vendi tjetër. Edhe pse kisha qenë më parë në Kinë, më saktë në pjesën jugore të saj, në qytetin Guangzhou, por ishte vetëm për një javë dhe si turiste. Pra ndjesia që kisha kësaj here, duke ditur që do të jetoja për një vit në Pekin, në veri të Kinës, ishte krejt ndryshe nga ajo e udhëtimit tim të parë.
Kur erdha në fillim gjithçka ishte krejt e ndryshme nga jeta ime e mëparshme. Para së gjithash, ngase fillimisht nuk mund të flisja dhe as të kuptoja gjuhën kineze, ishte tepër i vështirë komunikimi dhe ky qe një aspekt themelor që e bëri shoqërizimin në këtë qytet një sfidë për mua. Mendoj që çdo vend bëhet edhe më interesant nëse fillon ta shohësh me syrin e dikujt që banon në atë vend. Kështu që unë fillova të eksploroja vende të reja në Pekin, për të ditur sa më shumë rreth këtij qyteti kaq të madh dhe të mahnitshëm, me shumëllojshmerinë e aktiviteteve që ofron.
Kur vjen për herë të parë në Pekin, është klima që të bie në sy. Ajo është e thatë dhe e ftohtë në dimër, e nxehtë e me lagështirë në verë, ndërsa një problem tjetër është edhe ndotja e ajrit. Në fillim mendova se koha ishte me mjegull, si ndonjëherë në ato ditët e ftohta dhe të zymta të Tiranës, por më pas kuptova se ajo që kisha përpara syve ishin grimca pluhuri e jo mjegull. Në ditë të tilla në Pekin shikon njerëz që mbajnë maska për t`u mbrojtur nga ajri i ndotur.
Gjëja e dytë që të bën përshtypje, sidomos kur vjen nga një vend me pak banorë si Shqipëria, është trafiku i dendur i makinave, i karrocave, i biçikletave, por edhe i shitësve ambulantë e i këmbësorëve. Me humor mund të them se mendoja që vetëm në Shqipëri ndodh që semafori i kuq për makinat do të thotë jeshil dhe semafori jeshil do të thotë përsëri jeshil. Por kjo gjë ndodhte edhe në Pekin. Shikoje shpesh makina të rrisnin shpejtësinë kur semafori ishte portokalli që të kishin mundësi të kalonin, dhe duke qenë se ato kanë të drejtën të kthehen djathtas edhe kur semafori është i kuq, këmbësorët dhe biçiklistët e kanë të vështirë të kalojnë, ndërkohë që makinat mund të ecin në korsinë e biçiklisteve ose të bëjnë kthesa të papritura. Këto janë gjëra që fillimisht të bëjnë përshtypje, por më pas të bëhen të përditshme, pasi i shikon shpesh gjatë ditës.
Ndërsa Pekini merr shpesh një ngjyrë të zymtë për shkak të ndotjes së lartë të mjedisit, qyteti në të vërtetë ka me mijëra hapësira të gjelbëruara. Një nga aktivitetet më popullore për vendasit është thjesht shëtitja nëpër parqe si një vendtakim për disa orë. Pikërisht nëpër këto hapësira – dhe jo në qendrat tregtare gjigante dhe qiellgërryeset moderne – mund të ndiesh pulsin e vërtetë të kryeqytetit kinez. Pekinit ofron shumë parqe gjigante ku mund të shkosh për një ecje dhe të shijosh liqenet dhe monumentet kulturore, si parku “Beihai”, Pallati i Verës, Parku “Chaoyang” etj.
Por me të vërtetë Pekini është një qytet mahnitës. Ka shumë gjëra për të parë dhe shumë aktivitete për të bërë. Është një qytet shumë modern dhe në të njëjtën kohë plot me histori, rrënjët e së cilës janë të paprekura. Muret dhe portat e mëdha të qytetit të lashtë ende qëndrojnë si monumente, ashtu si Pallati i Verës tregon begatinë e vet të mëparshme dhe Qyteti i Ndaluar pushtetin e lashtë.
Para se të udhëtoja për në Kinë, dëshira për përjetimin e përvojave të reja në fushën e kulinarisë ishte i madh, dhe kështu që bollëku i gjellëve të reja, shumëngjyrëshe dhe ngacmuese që gjeta në Kinë, ishte një kënaqësi e re për mua.
Por prapë, meqë shumica e pjatave ishin të panjohura për mua, më duhej pak kohë të mësohesha me shijet e reja. Por nga ana tjetër gjëja e mirë ishte që këtu mund të gjeja shumëllojshmëri gatimesh me zarzavate nga më të ndryshmet, te cilat unë i adhuroj.
Prezantimi im i vërtetë me kuzhinën kineze, me tavolinat rrethore dhe me enët e shumta e me pasuri aromash tërheqëse, erdhi natën e dytë që ndodhesha në Pekin. Dy vajzat kineze nga stafi i universitetit, të cilat ishin përgjegjëse për klasën tonë, na çuan për darkë në një restorant tipik të Pekinit që shquhet për gatimin e së famshmes ¨Rosa e pjekur e Pekinit¨.
Prania e vajzave vendase, të cilat mund të flisnin gjuhën kineze, ishte e domosdoshme, pasi ato ishin në gjendje të komunikonin me stafin e restorantit dhe të zgjidhnin gjellët më të shijshme. Darka u shoqërua edhe me disa mësime interesante mbi kulturën e të ngrënit në Kinë, të tilla si metoda e ndarjes së ushqimit rreth një tavoline rrethore, rrotullimi i tavolinës dhe përdorimi i shkopinjve, por për këtë të fundit unë kisha eksperiencë edhe më përpara. Përveç kësaj, provuam markën e famshme kineze të birrës “Tsingtao”, e cila kishte shije të kënaqshme.
Një nga gjërat interesante për sa i përket ngrënies, janë të famshmet ¨ushqime në rrugë¨ që i shikon me shumicë në rrugët e Pekinit. Zakonisht i gjen në vendet ku qarkullojnë shumë njerëz dhe ku ka restorante ose lokale. Aty sheh njerëz të rreshtuar që shesin barbeky të shumëllojshme, që nga shishqebapet me mish, mëlçi, tofu, zarzavate, kërpudha etj. Vendet ku shiten ato janë gjithmonë të gjalla nga pamja dhe joshëse nga aroma, të parapëlqyera nga shumica e njerëzve edhe për arsye të çmimit të ulët.
Ngrënia jashtë në Kinë është gjithashtu një mënyrë për t’u socializuar, dhe me këtë dua të them se është shumë e zhurmshme. Më përpara isha mësuar me edukatën e të ngrënit në heshtje në një restorant, dhe me shprehje të tilla si “Më falni, kamerier. Mund te më sillni një gotë me ujë?¨ Por shpejt kuptova se në Kinë, megjithatë, mund vetëm të bërtasesh: “Kamerier! Më sill një gotë me ujë”! (Fuwuyuan, lai yi bei shui!).
Restorantet kineze zakonisht janë të mbushura me njerëz, të zhurmshme dhe me tym duhani. “Ndalohet duhani” e gjen kudo nëpër restorante në Pekin, por duket se askush nuk i kushton rëndësi. Dija se bërja e zhurmës gjatë kohës që hahet ushqim nuk është diçka e sjellshme, por këtu në Kinë mësova se, kur bën zhurmë, sidomos kur je duke ngrënë makarona, kjo është shenjë që ti po i shijon ato.
Pavarësisht nga të gjithë këto ndryshime kulturore të lidhura me ushqimin, mund të them sinqerisht se një nga gjërat më të mira këtu në Kinë është pikërisht ushqimi dhe ngrënia jashtë. Kuzhina kineze është aq e pasur, me shumëllojshmëri shijesh dhe gatimesh, saqë mund të kalosh një jetë të tërë këtu dhe të mos i kesh provuar të gjitha.
Duke jetuar përditë në Pekin vë re ritmet e larta me të cilat jo vetëm qyteti, por edhe i gjithë vendi zhvillohet. Aty ku më përpara nuk shikoje asgjë, tani sheh komplekse banimi të sapondërtuara, ose qendra tregtare të mëdha e moderne të sapohapura.
Kam mësuar shumë gjëra gjatë qëndrimit tim në Kinë, dhe kam fituar mjaft cilësi të cilat tashmë janë bërë pjesë edhe e personalitetit tim. Ishte një privilegj për mua të studioja në Kinë dhe të kisha përvojën e jetesës në një vend të bukur me njerëz punëtorë dhe shumë miqësorë. Edhe pse kam jetuar dhe vizituar shumë shtete të botës, mund të them pa dyshim që përvoja ime në Kinë ka qenë më e veçanta nga të gjitha. Për më tepër, studimi në Universitetin Tsinghua, në një mjedis të shkëlqyer akademik, jo vetëm ka forcuar njohuritë e mia, por edhe më ka dhënë mundësinë e një përvoje të veçantë në një mjedis multikulturor.
Nuk harroj një shprehje që na thanë në ditën e parë në Universitetin Tsinghua gjatë seminarit orientues: ¨Të huajt që vijnë të studiojnë në Kinë, vijnë duke qarë, dhe kur ikin, ikin përsëri duke qarë¨. Në fillim asnjë nga ne nuk arrinte të besonte që kjo ishte e vërtetë, por sa më shumë afrohen ditët e largimit, aq më shumë besoj që është shumë e vërtetë që ndodh kështu…