Albspirit

Media/News/Publishing

Edmond Caja dhe e vërteta ime për revoltën në burgun e Qafë-Barit

 

Skënder Tufa

 

Çdo gjë e ka një limit në këtë jetë. Thonë se ujku në një kope me 100 dele shqyen 99.

Sot ne përballemi me makutëri e pafytyrësi pa limit!

Kam dëgjuar shpesh justifikime si ajo e ish hetuesit tim, Dilaver Bengasi.

– Ne kemi vepruar në përputhje me ligjet e kohës.

Po a ishte ajo koha e diktaturës?

A janë diktaturat të dënueshme në të gjitha vendet e botës?

A duhet të dënohen këto krime?

Edhe oficerët nazistë kanë zbatuar ligjet e kohës, por vazhdojnë dhe sot mbas 75 vjetësh të dënohen.

Kam parë dhe reagimin e prokurorit Fuga që ka dënuar Dom Shtjefën Kurtin dhe që ky prokuror ia la amanet z. Nikolin Kurti që ta botojë pas vdekjes së tij faljen që ai kërkonte për këtë dënim dhe ashtu u bë.

Por nuk mundet të mos mbetem i habitur kur shoh të prononcohet publikisht ai që kërkon të shlyejë borxhin kundrejt familjes e të afërmeve duke dalë jashtë çdo etike.

Gjuha e përdorur tregon vulgaritetin e një të pandreqshmi, i cili jo vetëm nuk jep shenjën më të vogël të pendesës, por sulmon me epitete dhe aspak denjësisht të dhunuarit e tij.

Toni dhe mënyra e artikulimit të shprehjeve të tij na japin ndjesinë se ky person vazhdon të gjykojë e përbuz me megalomaninë e kohës së shkuar, duke mos llogaritur se duhet të jenë ata të cilët ai i përgojon që duhet të flasin, jo të ulërijnë për çka kanë kaluar nën terrorin e tij.

Diku ai me mllef pyet: – A ke familje? A ke dinjitet? A ke respekt për veten?

Nuk e besoj se ai ia ka bërë ndonjëherë këtë pyetje vetes.

Me një gjykim të verbur ai i quan personat që guxuan të bëjnë atë që duhej të bënte ligji, ordiner, vjedhës, shpërdorues. Për të sqaruar sado pak opinionin që na ndjek, e shoh të arsyeshme që të sqaroj se:

 

ORDINERËT

 

Burgjet politike ruanin brenda tyre disa kode të pashkruara që ishin përcjellë ndër breza dhe shërbenin për të mbajtur dinjitetin, moralin dhe për të ruajtur traditën. Ambienti i burgut politik të kushtëzonte me anë të “Kanunit” të tij. Kjo kishte bërë që të krijohej hendeku mes të mirës dhe të keqes. Të gjitha hetimet dhe dënimet politike përkufizoheshin në mbyllje – “I degjeneruar moralisht dhe politikisht”. Kjo bëhej për të denigruar personin në maksimum.

Pas amnistisë së vitit 1982 shumë gjëra ndryshuan, hendeku mes të mirës e të keqes u zvogëlua ndjeshëm, elementët negativë shpifnin për të ngatërruar imazhet, ndoshta qe udhëzim. Pikërisht kësaj situate i referohet ky që sulmon turpshëm për t’u mbrojtur!

 

QAFA-BARIT

 

Pas amnistisë së vitit ‘82 u pregatit nga Spaçi kontigjenti për në burgun 311, Qafë-Bari, në të cilin bënin pjesë punëtorë e minatorë të fuqishëm dhe elementi i padëshirueshëm politikisht për komandën e Spaçit.

Në ditën e trasferimit bëri një i ftohtë që u shoqërua me stuhi dhe për një kohë fare të shkurtër dëbora arriti në një metër. Trasferimi u shty për të nesërmen. Burgu i Qafë-Barit ishte një “Spaç” në miniaturë, i ndërtuar në fundin e një hink-malesh që kufizohej me një cop qiell. Policët e shërbimit ishin nga burgu i Bulqizës. Në fillim ishin të lirshëm se ishin mësuar me ordinerët. Kontrasti i parë që të binte në sy ishte komandanti-ish bujk pa arsim në moshë të madhe dhe shefi i policies-në moshë të re.

 

KAUBOJSI

 

Të nesërmen na dërguan në punë në minierë, e cila kishte shumë vështirësi dhe pa kushtet më elementare të higjenës e sigurisë. Ushqimi ishte i një cilësie tepër të dobët.

Drejtimi i burgut politik kërkonte profesionalizëm për këtë arsye drejtoria e burgjeve ja kaloi kompetencat në mënyrë graduale shefit të policisë, i cili e eklipsoi komandantin e tij plak.

Çdo herë që vinte nga Tirana, ai ndërmerrte veprime shtrënguese, udhëzonte policët të distancoheshin sa më shumë me të dënuarit politikë, e të ishin të ashpër e kërkues.

Filloi të futej në kamp me grup policesh dhe kush nuk i çohej në këmbë e nuk hiqte kapelen kur kalonte ai, përfundonte te “zyra teknike” që përkthehet “trajtim i nxehtë ose i dhunshëm”. Kur filloi të mësonte gjermanisht, e ngrinte ballin e kapeles si nazistet. Dikush e quajti “Kaubojsi” dhe kur vinte në kamp, thonin: Erdhi “Kaubojsi”!

 

STRATEGJIA E KRIMIT

 

Është dëshmuar se komunizmi ka qenë më gjakatar se nazizmi, pasi ka ekzekutuar me e pa gjyq mbi pesëfishin e atyre që ka ekzekutuar nazizmi në kohë lufte.

Komunizmi në Shqipëri ka qenë më i egri dhe më konservatori. Jo më kot u dorëzua i fundit për t’u transformuar e rigjeneruar në formen që kemi sot. Gjatë përiudhes 45- vjeçare diktatura është ushqyer me kurbane periodike, të cilat gjendeshin në fusha të ndryshme. Ende më ka mbetur si enigmë thënia e Kadri Hazbiut para arrestimit: Ne kemi vepruar sipas legjendës.

Kurbanët shërbenin për të siguruar pushtetin nëpërmjet terrorizimit.

Kam bindjen e plotë se revolta e Qafë- Barit më 22 maj 1984 është sajuar në këtë kuadër.

 

ME TY

 

Nuk kam patur asnjëherë dëshirën që të shihem, jo vetëm për bëmat e tua, por edhe se hija jote më sjell ankthin e kohës së shkuar. Dalja jote publike më detyron që për vuajtjet që më ke shkaktuar mua dhe atyre që nuk janë mes nesh, të mos hesht përballë arrogancës, mashtrimit e dizinformimit.

Së pari dua të ndalem tek purifikimi që kërkon t’i bësh vetes me monologun ku mesa duket nuk e ke llogaritur se ne jemi akoma gjallë dhe kemi kurajon të përballemi me ty dhe pse gjuha jote e helmuar nuk ka asnjë sens njerëzor.

-Thua se flas me emra pa i pyetur ata në janë dakord me deklarimet e tua. Çdokush mundet të marrë informacion e të përmendë emra, ky nuk është argument që të besojmë si të vërteta thëniet e tua.

Ti i sulmon të gjithë ata që të kanë bërë portretin e pjesshëm të bëmave të tua, me sa duket nuk ke bërë asnjëherë autoportret.

Jo çdo reagim publik është mbrojtje aq me pak kur ky reagim bëhet për borxh ndaj familjes.

Për pak sa nuk më çudite me akuzat kundër Visar Zhitit, ta akuzosh atë për pervers duhet të hedhësh poshtë opinionin e një burgu të tërë që ka jetuar me vite me të.

Ju dhe makina juaj gjithçka bëni. Për pak e besova se ai ishte spiun, pasi na e ndërtove si letrar fabulën, por kur e përfundon fjalinë me –“komunikonte me operativin me celular”-celular në vitin ‘84 në burgun e Qafë–Barit?!

Dysheqet ndoshta mund t’i kesh ndryshuar për arsyet e tua, por deri në vitin ‘86 ne kemi fjetur ashtu siç thotë Bajram Vuthi, në dyshek me kashtë të perzier me gjemba.

Ti thua se kujdeseshim për të rinjtë në një kohë që punohej për të degraduar burgjet politike.

Të sapo ardhurit futeshin në një kapanon pranë lavanterisë që quhej “karantina” dhe për rreth dy javë trajtoheshin dhunshëm para se të hynin të traumatizuar në kamp.

Ti flet për higjenën kur të dënuarit nuk kishin kohë as për t’u ndrruar, disa duhej të vinin për së dyti ,16 orë, për të plotësuar normën, pa përmendur që uji ishte i ftohtë.

Ti gënjen kur thua se ke ndërhyrë që mos rrëmbenin ushqimet e familjes të fortët. Në burgjet politike nuk ka patur të fortë.

Ti flet për trajtim ushqimor ku pa e përmendur sasinë a cilësinë, nuk besoj se ke harruar që më ke peshuar në peshoren e guzhinës ku si rezultat i mirëtrajtimit unë rezultoja të isha 47 kg.

Ti sulmon në mënyrën më ordinere Bedri Blloshmin.

-Ti pyet të tjerët -a ke familje, por vetë nuk e di çfarë ështe familja. Problemet e familjes, Bedriu i zgjidh vetë. Ti je i akuzuar për krime dhe nuk i shpëton atyre duke ndërhyrë pafytyrësisht në çështjet sociale të të dhunuarve të tu!

Kur përmendet emri yt, mua personalisht më kalon një e dridhur në të gjithë trupin. Nuk besoj se e ke harruar, do të ketë qenë fillim pranvere e vitit 1986 kur ti me eskortën tënde ishe drejtuar hyrjes së fjetoreve.

Unë nuk të pashë, se gjithmonë kur të shihnim mundoheshim të mos përballeshim me ty, ti më thirre atje pranë “çangës”, e me zërin e trashur m’u drejtove duke më thënë:

– Hë more Tufa, pse nuk rruhesh ti?

Unë të thashë se nuk rruhem, nuk kisha kaluar asnjëherë brisk në faqe. Ti e more si kundërshtim e më more me policët e tu e më çove te berberi që ishte aty pranë dhe më rrujte në “të thatë”.

Ti gënjen kur thua se ndihmoja në lirimin e të burgosurve. Lirimi i të burgosurve politikë në vitin ‘90-‘91 ishte kusht i OKB-së për Shqipërinë.

Të analizosh ty dhe thëniet e tua, duhet kohë e durim, prandaj po kaloj direkt te:

 

BËMAT DHE PASOJAT

 

Po ti ishe tepër i ri dhe gërmoje çdo skutë për të rënduar jetesën e të dënuarve.

Rizai, komandanti, ishte i vjetër e ti çdo gjë e bëje për karrierë, sigurisht dhe megalomania e moshës. Nuk besoj se ke harruar që të papunët që ishin të sëmurë, ti i lije në dëborë e vapë jashtë tërë ditën; policët nën drejtimin tënd qenë bërë agresiv dhe rasti që jep Visari për të dënuarin që i ra të fikët tek kontrolli dhe polici e dogji me cigare, është i vërtetë.

Ti kërkoje më shumë hapësirë e pushtet.

Ti i nxirrje të dënuarit në aksion ditëve të diela, ku ju kërkoje të bënin dy dhe trefishin e prodhimit ditor.

Nuk e di nëse e ke marrë urdhrin në Tiranë apo apo të ka ardhë me radiogram, por unë të akuzoj ashtu siç ka bëre miku ynë, i ndjeri Haxhi Baxhinovski, ti je nxitësi dhe shkaktari i vërtetë i revoltës së 22 maji 1984 në Qafë-Bari.

 

E VËRTETA IME PËR REVOLTËN

 

Kishte kohë që policët po “fërkoheshin” me të dënuarit, duhet patur parasysh se asgjë nuk bëhej pa urdhrin e shefit, ishte e qartë për të dënuarit se gjithçka vinte prej tij.

Data 22 maj ishte e veçantë se përkonte me 11 vjetorin e revoltës së Spaçit të vitit 1973!

Dy personat që nuk e kishin bërë normën ishin të lodhur dhe të pa ngrënë. Ata po i kërkonin të dilnin në punë edhe turni i dytë. Kjo dalje ish bërë aq e shpeshtë sa nuk po durohej. Dhe policët këmbëngulnin. Për një moment pati reagime. Të dënuarit kundërshtuan duke bashkuar disa zëra që vinin duke u shtuar. Policët tentuan t’i merrnin me forcë, aty pati reagim. Ndërhyn policia e cila kërkon të futemi në mensë.

Policët dibranë dhe oficerët hynë me shkopa gome ndër duar duke e bërë më të rëndë situatën. Ata kërcënuan dhe kur hasën kundërshtime dolën tek dera e mensës dhe thanë: Kush të dëgjoj emrin të shkojë në kapanon. Tek dera dikush tha: po t’iu prekin (rrahin) bërtisni.

Kur doli Kosta Gjordeni u dëgjua thirrja e tij që dilte nga dhimbja e goditjes, në atë moment dera shpërtheu e të dënuarit dolën jashtë, policët nuk kishin kohë të reagonin.

Të dënuarit kërkuan Kostën. Sokoli thërriste: na sillni djalin këtu. Toma, Martin Leka, Dush Martini, Petrit Moriseni, Bajram Vuthi dolën të parët. Pas tyre dolën të gjithë në oborr, por vetëm një pjesë u afrua nga vraponin policët e tmerruar. Një polic nxori Kostën nga biruca dhe doli nga dera e punës, te fusha lart.

Ti o trim më kishe ikur me të parët. Në kamp kishte mbetur zv komisari dhe Myzaferi me pak policë. Kur Kosta zbriti tek sheshi i Zyrës Teknike dhe tregoi se e kishin qëlluar, Toma mori disa tulla që rrethonin lulishten dhe ju sul Myzaferit me shokët, pas tij vraponim dhe ne.

Aty ishin Toma me tullat, Sokol Sokoli, Martin Leka, Lush Bushgjoka, Dush Martini, Lazër Shkëmbi, Petrit Moriseni, Kosta, Gurali Beshi, unë Skender Tufa, Vasjar Tabaku.

Shefi i financës që ishte oficer roje kish hipur në vendrojen te porta e jashtme dhe që aty qëllon me pistoletë për të goditur Tomën që ishte duke ndjekur policët, por veprimet janë kryer aq shpejt dhe ne ishim aq pranë sa ai plumb mund të zinte këdo nga ne. Kosta ndjeu vetëm një të pickuar pas krisjes së pistoletës, Dush Martini ka nxjerrë qesen e duhanit dhe Guraliu me Martinin ja kanë izoluar plagën.

Nga vendrojet filluan të hapin zjarr mbi kokat tonna. Ashtu siç thotë Haxhiu, në murin e mensës gjen dhe sot plumba. Ndërkohë zv. komisari me shkop në dorë ishte i rrethuar nga Haxhi Baxhinosi, Met Tufa, Fatmir Lakasi, Nue Pisha, Llazi Koci, Agron Hoxha e të më falin ata që s’më kujtohen, vetëm ishim pak. Ai ishte kapur me Haxhiun dhe për një moment e godet me shkop gome.  Xhikja nxjerr një thikë artizanale e punuar me material lopate dhe ja drejton në bark. Nuk mund të them me saktësi në e shpoi pak apo veç ja nxorri, vetëm se në çast oficeri iku me vrap duke lënë kapelen në tokë.

Për disa orë kampi do të ishte në duart e të burgosurve.

Erdhën dy zv. ministra të Brendshëm me helikopter dhe forca speciale nga Tirana e Shkodra.

U futëm të gjithë në kapanone dhe u bë thirrje kush të dëgjojë emrin të dalë te porta. U thirrën 14 plus një. Dhuna që është ushtruar aty ishte e paparë, fjalët e mia sido që t’i përdor nuk do te mundin t’i përshkruajnë ato skena makabre që ato bisha me fytyrë njeriu bënë mbi djemtë tanë. E ti ishe ne çdo çast i pranishëm, ti ju dole dhe dëshmitar në gjyqin kundër atyre.

Shkelja jote ligjore është nxjerrja me dhunë në punë duke shkelur konventën e vitit 1954 e cila, edhe sipas teje, ndalon detyrimin e të burgosurve të bëjnë punë të detyruar.

Pse të akuzoj ty për nxitjen e revoltës së maj ‘84 dhe vrasjen e Sandër Sokolit?

Konflikti me dy të dënuarit që nuk dolën në punë dy turne për mungesën e një vagoni është veç fasada për të fshehur qëllimin e vërtetë të nxitjes së kësaj revolte që ishte eleminimi fizik i Sandër Sokolit.

Duke iu referuar fakteve vërejmë se Sandri as nuk mori pjesë e as ndërhyri e as u pa në zallamahinë e revoltës. Sandri ishte njeri korrekt. Sandri nuk ishte atakuar asnjëherë me policinë qoftë dhe për gjënë më të vogël. Unë të pyes ty: Pse duhej të merrej Sandri?

Unë e di shumë mirë që nuk je ti vrasësi i drejtpërdrejtë, këtë e them me kompetecë se e kam nga burim i brendshëm, por di gjithashtu që ti e di shumë mirë se vrasesi i Sandër Sokolit është ish shefi i mbrapavijës, dibrani Sadedin Çekiçi.

 

PSE U ELEMINUA SANDËR SOKOLI?

 

Sandrin kam patur fatin ta njoh në burgun e Spaçit në vitin 1981 ku më dërguan për të kryer dënimin. Qëlloi që ishim në të njëjtën brigadë në zonën e parë. Unë isha nivelist, ndërsa Sandri punonte në front, nxjerrje minerali. Ishte njeri i nderuar, korrekt, i thjeshtë, i zgjuar dhe i dashur. Mua më respektonin dhe për motivacionin e dënimit. Kujtim Ymeri më thirri i pari “valuta” dhe në përgjithësi kështu më thërrisnin. Gjithmonë kur kishim mundësi si kur prisnim për të hyrë në kamp apo për të dalë në punë, une, Sandri dhe Ramazan Spahiu bisedonim e bënim shaka. Unë dhe Ramazani i bënim opsion bindjeve të tij gjithmonë miqësisht.

Sandri ishte largpamës dhe me intuitë intelektuale. Ai e parandjente se koha po afronte për ndryshim bile kishte një bindje të brendshme se 1984 do të ishte viti vendimtar. Ai ziente dhe filloi të bënte miniorganizim paraprak.

Takimet bëheshin tek infermjeria. Sandri të bënte për vete dhe ishte shumë serioz e bindës. Ai u pre dhe parandjeu dhe fundin kur një person që nuk është më në jetë u trasferua pak para se të bëhej revolta.

Mesa dukej pesha e Sandrit dhe mënyra e grumbullimit të tij rreth vetes të përkrahësve kishte tingëlluar keq në pikën “0”.

Hajredin Fratari, Dalip Zhaboli, Drago Vujoshevic, Nuredin Skrapari jo vetëm nuk morën pjesë në revoltë por as u panë rreth saj. Ti e di shumë mirë pse i morën.

Hajredini e Dalipi që ti thua se i kam shpëtuar u morën e u torturuan. Çfarë ndihme u ke dhënë ti. A mos ishin edhe ata për t’u eleminuar!

Ti nuk u ndëshkove për këtë ngjarje të ndodhur në sektorin tënd përkundrazi u ngrite e u bëre dhe kuadër partie. Të gjitha arritjet e tua ti i ke fituar duke derdhur gjak njerëzish, pa përmendur këtu terrorin që ti ke bërë pas revoltës në Qafë-Bari ku njerëzit për t’i shpëtuar ndëshkimit tënd hynin në hapësira duke lënë jetën.

Ti nuk ke as gjak, as fytyrë e as dinjitet njerëzor ku thua se dy të dënuarit Dilaver Hysi dhe Ylmi Çoçka që zuri galeria e i nxorën mbas një jave i nxore ti nga shembja dhe nuk thua të vërtetën që ata mbetën në shembje se duhej të bënin vagonat. Pasi në rast të kundërt përfundonin ke birucat me “racion” tre herë në ditë mbas buke dajak (rrahje). Pra shkurt i çove ti me presionet dhe dhunën tënde drejt vdekjes. Ardhja e brigadës avari shpëtimit në raste të tilla ishte detyrim ligjor. Pa verifikimin e trupave të tyre ti nuk mundje të vazhdoje asnjë punë.

Ti je shqetësuar dhe ke reaguar se të thanë tre herë kriminel kur për ty as fjalori nuk e përmban fjalën që të përshtatet për të përshkruar mostruozitetet e tua. Bëmat e tua nuk mbarojnë as me disa vëllime, por po mjaftohem këtë rradhë me kaq!

Miku mi, ndjeri Hysen Sheshori për tipat si ti e “PENECILINA” thoshte:- kam nyt(ndoht) me ja përmen emrin.

Dhe unë meqë ndaj të njëjtin mendim me të – kam nyt me ta përmend emrin o “Kaubojsi i Skëterrës” së Qafë-Barit.

Please follow and like us: