Włodek Goldkorn: Dilema e hebrenjve
Lajmet për zgjedhjet e politike të Izraelit që do të mbahen të martën e 9 prillit, janë dy dhe nuk janë aspak të mira. Lajmi i parë: nuk është e thënë që partia e re e qendrës e cila drejtohet nga ish-shefi i ushtrisë Benny Gantz të marrë shumicën në Knesset (Parlamenti izraelit me 120 vende). Sondazhet e tregojnë në avantazh të lehtë ndaj partisë së kryeministrit aktual Benjamin Netanyahu, por partia e qendrës po humbet besimin e qytetarëve duke kaluar nga 35% në sondazhe në 31%, kundrejt 28% që qëndron “Likud” e Netanyahu-t.
Lajmi i dytë është se për të qeverisur, nuk mjafton të kesh 61 mandate nga 120 të tilla në Parlament. Ose të paktën, ky është mesazhi që po transmeton Netanyahu në opinionin publik. Për kryeministrin izraelit një koalicion së bashku me deputetët arabë do të ishte diçka jo normale.
Polemika mes aktores së njohur Gal Gadot dhe kryeministrit nuk është aspak folklorike. Kur Netanyahu thotë se Izraeli është një Shtet që i përket vetëm popullit hebre dhe askujt tjetër (pohim të cilin Gadot e konteston) ka parasysh pikërisht këtë gjë: qeveria legjitime është vetëm ajo e hebrenjve dhe vetëm e hebrenjve.
Le ta shpjegojmë këtë gjë me çështjen Rabin, kryeministri që u vra më 1995. Ajo që e djathta nuk i fali kryeministrit të atëhershëm nuk ishte vetëm angazhimi i tij në procesin e paqes me liderin palestinez Yasser Arafat dhe synimi për t’i lëshuar pe Palestinës në problemin e Rripit të Gazës, se sa kishte të bënte me faktin se për të qeverisur, për të pasur mazhorancën në Knesset kërkoi bashkëpunimin e deputetëve arabë. Për këtë arsye, kabineti i tij shihej nga pjesa më e madhe e opinionit publik si jo legjitim. Le të kujtojmë protestat me fotot e Rabinit të veshur si nazist. Prandaj gjatë kësaj kohe, Netanyahu i ka bërë thirrje elektoratit që të mobilizohet pasi “arabët do t’i drejtohen pasivisht kutive të votimit”.
Korrikun e shkuar, kryeministri aktual Netanyahu aprovoi në parlament një ligj që e quante Izraelin shtet të popullit hebre. Nuk ishte një ligj që synonte të privonte qytetarët arabë, të cilët përbëjnë rreth 20% të popullsisë, nga të drejtat e tyre civile. Asnjë gjyqtar apo mjek palestinez nuk u largua dhe as u pushua nga puna. Qëllimi i vetëm ishte që të jepej mesazhi se qeveria politike nuk i përket minorancës arabe dhe se palestinezët e Izraelit mund të aspirojnë të mbrojnë të drejtat e tyre, por pa qenë pjesë e qeverisjes. Të gjitha partitë e opozitës, votuan kundër. Nuk bëhej fjalë vetëm për të mbrojtur parimet e demokracisë sipas së cilave qytetarët janë të gjithë të barabartë dhe se votat numërohen, nuk peshohen.
Kush ndodhet sot në opozitë, e di se pa partitë arabe, që në Knesset aktualisht kanë 13 mandate, nuk është e mundur të formohet qeveria. Pikërisht për këtë fakt, përpara se të fillonte fushatën elektorale, Gantz, sfidanti i Netanyahu-t paralajmëroi se ligji për Izraelit shtet të hebrenjve do të anulohej. Pra, në zgjedhjet që do të mbahen më 9 prill do të jetë në lojë natyra e shtetit, jo thjesht postet e ministrave./Përktheu Erjon Uka, Opinion.al