Albspirit

Media/News/Publishing

Mehmetali Rexhepi: KONOTACIONET FILOZOFIKE TË URËS

Ese

 

    Prend Ndue Buzhala: NDËRTUESI  I  URAVE (poezi); Rishkrime lirike, 8 prill 2019

 

“Ku me e dijtë pse kaq shumë ura dalin  para sysh e sa pak ndërtues ka”(Prend Buzhala: Ndërtuesi i urave; Facebook, 8 prill 2019);  kjo trajtë pyetësori zgjon rrathë koncentrikë të mendimit. Mendimi është i trajtës prozaike, por nuk e përjashton kundrimin poetik të dukurive…Sipër-shfaqja e tyre mbetet mbi figura e nëntekst… Sytë i drejton pika fiziologjike e trurit. Ata pa universin prej truri do t`i perceptonin veçse pamjet dhe ngjyrat e tyre të jashtme. Çdo gjë ka një prapavijë, një sfond. Asgjë në natyrë dhe jetë nuk ngulitet pa rrënjë për të qëndruar në kohën dhe hapësirën e vet.

Gjithçka e lëvizshme poetit i del përpara: honi, lumi i rrjedhshëm a kunjoni i tharë, grishja e malit tej kufirit, tej detit, brenda e jashtë kontinentit… Malli i sintaksës tij kalon mbi lumenj e dete… Po ashtu,  një mall  i një ndërtimi tjetër sintaksor, i mikut ose miqve, i njerëzve prej gjaku e ndjenjash të trazuara për prishje urash… Ndjeshmëria subjektive kaloi caqet e saja dhe bëri hapa të mëtejmë, por ja: arriti deri tek honi…Mbërritja e gjakuar andej honit… Subjektit poetik i mblidhen e sillen vërdallë brengat, mëdyshjet, shtytja, mallëngjimi për prerjen e lidhjes me miken e dashur, me mikun, me të dashurit e shkëputur… Të gjitha rropatjet, mësymjet mbesin pezull… Për ç`shkak? Vetëm për shkakun e mos-vendosjes së urës! Kësaj ane dhe asaj të përtejmes njëmendësia e lidhjes ishte e brishtë, po të ishte e fortë  do të shtrihej ura… Vend për dyshim ka, përderisa zotëron mendësia romantike e dy-anshme e hezitimit.

Përsiatja për urën dhe urat tej-kohësh, poetit nuk ia bartte vetëm fjalori figurativ. Fjalorit poetik  ai do t`i ngarkojë trininë shtresë-kuptimesh: mitin për urën, pamjen e dukjen arkitekturore të urës dhe filozofinë e saj. Diskursi kërkon vëmendje të përqendruar. Jo me çdo lloj ure mund t`i qasesh secilës zemër.

A është tërësisht objektiv urë-ndërtuesi? Ai me sy urë-lidhësi kap brigjet dhe robëron lidhjet, ngase vibron sinqeriteti, rrotullohet kahja, shpirti i ligështohet, lakmia i shtohet, flirton, sepse urën e ngriti mbi këmbët e vetë-mashtrimit… Çiltërsinë dhe peshën e qarkullimit të ndërsjellë të së vërtetës, ura e improvizuar e gënjeshtrës nuk e mbanë dot.

Shumësia reflektuese e diskursit artistik të Prend Buzhalës na çon te pleksja e diskurseve artistike dhe  mendore. Figura dhe ideja. Çfarë mund të jenë urat poetike të Prend Buzhalës? Janë ura të poetit dhe mendimtarit. Janë sprova filozofike që bartin peshën e rëndë të karakterit njerëzor: urtësinë, butësinë, dhimbjen, flijimin dhe egërsinë; prirjet ndërtuese e rrënuese dhe absurdin e pendesës për rrënimin e  ndërtimin e urës për aktin e vetëvrasjes!

Pyetja retorike e poetit mendimtar: “Ku me  e dijtë pse kaq shumë ura të dalin para sysh e sa pak ndërtues ka”, nuk është skeptikja e kontekstit, as e periudhës rrjedhëse të sotmes urbane. Kjo është  ura e brengës, e foljes së lakuar në tri kohë.

Mbi ura të dukshme mund të ecësh, të ecësh aq sa të mbajnë këmbët e urave, këmbët tua, patericat. Qindra-mijëra këmbë shkelin bri teje, qindra-mijëra këmbë që bartin zemra vullnetesh të çiltra e smirëzeza kanë urat e idealeve dhe  të ambicieve… Kah do të shkojnë a do të kthehen? Mos vallë, akëcilët do t`i marrin me vete urat?!

Ideja e urave është ide e lidhjes, e bashkimit, por dhe e mbetjes peng!… Mes stomesh vërshim i turbullt. Mes nesh këndej e matanë tërbimi vërshues i valëve… E para mësymje të shpie në vorbulla ngufatjeje. Mësymja e dytë  e gjakon urën dhe mjeshtrit e urës… Në bredhjet e tija shpirtërore poeti kishte ngre ura të padukshme, deri tek zemra e të dashurës, deri te koncepti i dashurisë njerëzore. Ishte sfilitëse të hysh brenda  portave të indiferencës, duhej modeli magjik i Shën Terezës… Jo një herë indiferenca e kishte lënë njerëzoren pa urëkalim. Poetit le t`ia ndjekim përvojën e urave të zjarrta që e kishin djegur vetveten, duke mos e kryer misionin e ecjes drejt zjarrit të njëri-tjetrës… Secili poet ka mitin e Urës së vet të Shenjtë. Urës së rrënuar nga besëprerja; urës së mbingarkuar nga kryeneçësia dhe e rënies saj me gjithë peshën e vet… Flijimi për murin e kështjellës dhe shumësi i sherrit mes zemrash, është lajtmotivi i baladës poetike më tipike të artit gojor shqiptar.

Misioni i poetit meditativ është  ndërtimi i diçkaje që e mbanë të bukurën mbi gremina, sido që të quhet ajo. Ai ecë urave shpirtërore mes njerëzish, duke i zgjatur ato me ecjen e tij, drejt polesh, visesh, racash. Ai ecë me kureshtje të pashuar për ta zbuluar mrekullinë, për ta filtruar në shpirtin e vet e, mandej… Mandej për ta shumëzuar për shpirtra njerëzorë. Ai kapet pas fluturakes imagjinatave, metaforike, simbolike dhe kur një arsenal i tillë poetik nuk ia sjell thesarin e gjakuar, ndalet mbi një urë që i lidh kohët dhe i ligjëron sprovat e përvojës së filozofisë.

Ende qëndrojnë urat artistike që ngrenë poetët mes zemrash të popujve, visesh, admirimesh, veçantish e vesesh. A nuk ishte një urë e tillë prej letre të patretur “Shtegtimet e Çajld Harold-it”, e romantikut anglez George Gordon Byron?

Konotacionet e urës jo kurdoherë  i ngërthejnë kapërcimet… Ura si vetëdije tragjike e të dëshpëruarve, e akteve të kërcimeve fatale, dëshmi e humbjes së shpresës në rrjedhën fatale të jetës dinamike urbane!

Çfarë shtytje shqetësuese është ajo së cilës nuk i shmanget “Ndërtuesi i urave? Shqetësimi është i motivuar ngase shumë ura i duhen urbanizmit njerëzor, përderisa mjeshtër-ndërtues të vërtetë ka pak.

Pyetja e intonacionit të ngritur “E ç`duhet këtu dëshira për ta mbrojtur të vërtetën? Çfarë të vërtete do të pohonin nihilistët? Por e vërteta nuk është diçka abstrakte. Po qese do të jesh ithtar rrënuesish të urave, do t`ia pamundësosh edhe vetës kalimin drejt lidhjes me të vërtetën. Kategoria e së vërtetës  mund të nis nga ti dhe të përfundojë në ty! A është e vërtetë kjo, që rrethohet vetëm për vetëm me unin tënd, pa dalë jashtë këtij uni, pa e kapërcyer urën që lidh me kundrimin e të vërtetës tej njëshit? Njëshi nuk mund të bëhet dysh pa u lidhur me shtegun tjetër, pa u bashkuar me urën e duarve të zgjatura drejt njëri-tjetrit. Kush e bëri trashëgiminë njerëzore? Gjithsesi dyshi. Njëshi i Mbinjeriut ose është shkatërruesi ose konkurruesi i padenjë  i Njëshit të adhuruar të Perëndisë, Ndërtuesit të supozuar të qiejve e të gjithësisë: Zotit të Madhërishëm!

Poeti mendimtar ose poezia refleksive e Prend Ndue Buzhalës, në vijimësinë dialektike të ndërrimit të brezave, rrugëtoi deri aty ku mundi të mbërrinte, për ta pasuruar konceptimin e të bukurës, të këndshmes, të fisnikërisë dhe, për t`i mbajtur këto të pashkëputura nga e vërteta. Të vërtetës, që të ishte pronë e të gjithëve, shpesh i prisheshin urëkalimet, ose nuk i ngriheshin fare, për  të mos e kërkuar më tutje, për të mos e gjetur të atillë çfarë ishte, për të hequr dorë “vullnetarisht” nga ajo.

Kush nuk e donte të vërtetën ose atë e donte  veçse si të vërtetë për veten e tija?! Ai personazh u shndërrua në ndjekës të paskrupullt i ndërtuesit të urave. Pikërisht aty zënë fill kurdisjet e tragjedive që nga Antika deri tek modernia; bllokuesit e urave, “Rojet e urës…” Këta togfjalësh simbolizojnë ngërthesa ogurzeza të ndarjes, vetizolimit, thurje në geto, vetëkënaqje dhe refuzim të shumësisë së veçorive etnike, kulturore si begati e vlera gjithënjerëzore, universale. Mu këtu e kanë ngjizjen teoritë konspirative të zhbërjes së të tjerëve! Zhbërja e tjetrit vazhdon të ushqehet  pandërprerë dhe  gjatë dhjetëvjetorëve të parë të këtij mijëvjetori!

Pse ndodh ende kështu? Kështu ndodh, sepse ngado që hedh shikimet poeti sheh ura të munguara dhe mjeshtër urash të pakët. Brenga e poetit është brengë e caqeve botërore. Kjo brengë plekset me ato të  fisnikërisë së mjeshtërve, urtarë të paqes.

Vesa mbi lulet e çelura avullohet, retë nuk kanë shi, por errësojnë ditën. Ndjeshmërinë për të bukurën e mbulon dhe zbulon atmosfera e mendimit. Aty kultivohet ura e shpresës, se ja: mos iu dorëzoni thatësirës, se urës së vet do të vijë shiu i ngrohtë, rrezet pastaj klorofili!

Përgjatë rrugëtimit jetësor poeti ngre simbolikën e urës, të sprovës së pasjes a mos pasjes së lidhjeve, kur andej e këndej urave lulëzon e trashet paragjykimi dhe merr trajta fantazmash… Ndonëse mbi urën, që nuk e ngrehte për veti, ai ndoshta nuk do të ecte, por do të ecë dialektika e ardhjes së gjakut të ri, e vrullit rinor.

Në çastet e një përmbylljeje relative të diskursit simbolik, poeti vështron nga ura “një disk të zjarrtë” të shpirtit, që i rrokulliset lumit drejt detit  paqësues:

“E disku lundron si barkë e dhimbjes dhe bën dritë,

diku në fund të ujërave”

Ndonjëherë qasja për ta zbërthyer vargun, poetikën e vargut, pikërisht atëherë e turbullon natyrshmërinë e rrjedhës tij të kulluar.

 

*

Ecejakeve të hapësirës poetike të Prend Ndue Buzhalës, relievi i rrafshit dhe ngjitjes semantike të kësaj hapësire, të jep shkase të shumta, shtigje të tërthorta dhe të drejtpërdrejta, për t`i lidhur pamjet që shfaq me magjinë e mëngjesit dhe ngrysjen e bardhësisë së ditës me pleksje nuancash të mendimit.

Kjo është poezia e një pjekurie tashmë të arrirë, andaj të zgjatë dorën të hysh në sezamet e saj dhe ti, pa hezituar, do t`ia shtrish. Aty  ku me shkathtësinë e tij hyri poeti dhe shpërfaqi jo vetëm perceptime sipërfaqësore, por dhe dëftime kundrimesh të mendimit, për të ecur krejtësisht paqësor urave të tija poetike, përderisa poshtë tyre rrjedhin a nuk rrjedhin lumenj simbolikë… Varet prej stinës së frymëzimit se  a pikojnë, ngrihen ose thahen  idetë e figurat e reja… Atëbotë, sërish i presim shirat pranverore e vjeshtore, që nën ura të rrjedhin lumenjtë e mendimit nga Prend Buzhala.

 

Gjilan, 10 prill 2019.

Please follow and like us: