Reshat Kripa: Homazh për mikun tonë Teki Gjonzenelaj
Ike i dashur vëllau ynë Teki, ike duke na lënë një boshllëk të madh brenda vetes. Donim të të kishim gjithmonë pranë, të dëgjonim zërin tënd, mendimet e tua. Ti ishe burri me një karakter të fortë, i pathyeshëm para tiranisë së diktatorëve dhe i papajtueshëm me prapaskenat e intrigantëve të pamoralshëm. Por ti ike duke na lënë të vetmuar. Ne donim të të kishim gjithmonë pranë, gjithmonë në krye të rrugës që kishim nisur së bashku, sepse kishim nevojë për prezencën tënde, për fjalën tënde të urtë. Por ti ike. Zoti kishte vendosur të të merrte pranë vetes dhe Zoti gjithmonë zgjedh më të mirët dhe ti ishe më i miri. Nuk besoja se do të isha unë që do të shkruaja këto rreshta për përcjelljen tënde në parajsën qiellore.
Ishe fare i ri, vetëm shtatë vjeç, kur u detyruat së bashku me motrat dhe vëllezërit e tu, më i madhi vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, të përballeshit me dallgët e tufanit të tmerrshëm që kishte mbuluar vendin. Megjithatë ju nuk u thyet. Ato dallgë i përballuat me krenari dhe dinjitet dhe kjo pasi kishit një nënë heroinë e cila dijti t’ju rrisë dhe edukojë me normat e moralit të lartë pa patur pranë atin tuaj të nderuar, Muhamet Gjonzenelaj, që dergjej burgjeve të komunizmit.
Çfarë të të kujtoj më parë i dashur vëlla, Burrelin e zi apo kampet e punës së detyruar në të cilat ishit të detyruar të jetonit. Nuk ju thyen as internimet, as burgosjet dhe as endjet nga një krahinë e vendit në tjetrën, nga jugu në veri dhe përsëri nga veriu në jug. Bijtë e një familje fisnike e tregojnë veten edhe në rrethana shumë të vështira. Po, Teki i dashur, ti i mbijetove asaj kohe barbare, i mbijetove sepse në venat e tua rridhte gjak fisniku dhe në këto çaste më kujtohet një frazë e filozofit të shquar Niçe:
Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere? Gjaku…
Dhe ky gjak nuk ju mungonte, i dashur vëlla! Fisnikërinë e familjeve të mëdha nuk mund ta errësojnë klithmat e korbave të zinj.
Por kohët ndryshuan. Kuçedra e zezë që kishte zaptuar vendin u shpor. Atëherë ti fluturove në botën që kishe ëndërruar, në botën e lirë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ti i përkisje asaj plejade që kishin një pasion, një dëshirë të madhe për lirinë. Doje të jetoje i lirë, pa gjemba dhe ferra në rrugën tënde. Doje të jetoje në një botë të vërtetë sepse deri atëherë, për fatin e keq të atdheut, kishe jetuar në një epokë të gabuar, në atë epokë kur nuk mund të shprehje dot ato që ëndërroje, ato që të buronin nga zemra e madhe, në atë epokë kur nuk mund të shprehje mendimet e lira, ndjenjat e shpirtit të pastër, në atë epokë kur kishe dëshirë për të studiuar dhe nuk të linin të studioje, kishe dëshirë për të punuar dhe nuk të linin të punoje, kishe dëshirë për të jetuar dhe nuk të linin as të jetoje, në atë epokë kur sistemi totalitar mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij.
E nderuara Didi! Të nderuar Monika dhe Fatmir! Të nderuar Memisha dhe Murat! Të nderuara motra të të ndjerit! Më lejoni t’ju sjell ngushëllimet e mia dhe të shokëve tanë që humbën një mik me të vërtetë të rrallë. Do të kishim dashur të ishim prezent në përcjelljen e tij në banesën e fundit, për mosha e thyer nuk na lejon. Mos derdhni lot. Nuk është zakon të derdhen lot për burrat e shquar. Atyre u thurren vargje, u këndohen këngë .Ai ishte një nga këta burra. Ju humbët me të vërtetë njeriun më të dashur tuajin, por edhe ne nuk kemi humbur pak. Ne humbën mikun tonë më të mirë. Humbëm njeriun që e kishim në krahun tonë. Humbëm mikun tonë për fjalën dhe këshillat e të cilit kishim shumë nevojë. Ne sot i falim tokës mëmë vetëm trupin e tij të drobitur, ndërsa shpirtin e kanë marrë engjëjt dhe kanë fluturuar lart në qiell për ta shpënë te Zoti i madh i madhërishëm, në parajsën e përjetëshme. Ndërsa deri dje kishim në mes mikun tonë të dashur, tani e tutje do të kemi kujtimin e tij të paharruar.
Qoftë i lehtë dheu që do t’i bjerë përsipër!