7 vite brenda në ambasadë, arrestohet themeluesi i Wikileaks
Themeluesi i Wikileaks, Julian Assange është arrestuar sot në bazë të një fletëarresti evropian, pas shtatë vitesh brenda ambasadës së Ekuadorit në Londër. Policia Metropolitane tha se ai është marrë në paraburgim dhe do të paraqitet në Gjykatën e Magjistraturës së Westminster. Assange akuzohet nga prokuroria suedeze për dhunim dhe ngacmime seksuale, por ai thotë se ky është një skenar i nxitur nga autoritetet amerikane, pas publikimit të dokumenteve sekrete mbi luftën në Afganistan. Julian Assange e përdori Suedinë si bazë për Wikileaks, sepse aty ka rregulla mjaft të forta për mbrojtjen e lirisë së shtypit. Kujtojmë se ish-hakeri i kompjuterave zemëroi Shtetet e Bashkuara duke publikuar qindra e mijëra dosje sekrete të qeverisë amerikane. Faqja e tij elektronike publikoi një pafundësi dokumentesh të klasifikuara si sekrete që jepnin hollësi për operacionet ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak. Ai publikoi gjithashtu një video ku shihet një helikopter amerikan në vitin 2007 duke sulmuar në Bagdat dhe duke vrarë 12 persona, përfshi dy anëtarë të agjencisë së lajmeve Reuters. Julian Assange, prej vitit 2012 ishte strehuar në ambasadën e Ekuadorit në Londër, për të shmangur ekstradimin në Suedi, lidhur me rastet e ngacmimit seksual për të cilat akuzohej.