Albert Z. ZHOLI: KOKETA
Tregim
Sa mbërrita në Pirea-Athinë, hyra në një dyqan veshëmbathjesh. Në një dyqan të madh plot me njerëz, që blenin ç’u duhej e dilnin të kënaqur, me ato që kishin blerë. Edhe unë kisha vendosur të bleja një pardesy, “të mirë e të lirë”, siç preferojmë zakonisht ne shqiptarët.
U ndala në të djathtë, ku ishin vendosur pardesytë dhe aty mbeta. Për fat, isha i vetëm me hallin tim dhe pardesytë i shihja me nge, siç doja unë t’i shihja. Aty pranë ndjeja lloje parfumesh, që kalonin dëgjoja edhe ndonjë mëmërimë të pakuptimtë por nuk arrin deri në bezdisje. Kur, akoma s’kisha zgjedhur modelin dhe ngjyrën e pardesysë, mu afrua një vajzë me tipare të theksuara të zeza. E gjithë ishte një harmoni bukurie.
– Ç’urdhëroni zotni? Me sa mund t’ju ndihmoj? – më pyeti ajo në gjuhën e dyqanit.
– Një pardesy – iu përgjigja, unë, duke rregulluar fjalët në gjuhën që dëgjova.
Ajo më vërejti me vëmendje, i dha një shprehje të përdredhur fytyrës dhe më pyeti përsëri: “Shqiptar jeni”?!
– Po!- i thashë –po ju nga jeni?
– Edhe unë andej jam- foli ajo, më tepër me përplasje dhëmbësh se me përplasje buzësh, sikur donte të kafshonte fjalën “andej”.
– Këtu punoni? – e pyeta unë, në gjuhën time.
– E, dal nga një herë se mërzitem. Burri nuk do që unë të punoj, por… Ajo fliste, duke i shkundur fjalët nëpër buzë, e ato binin tek këmbët e mia, e pastaj mundoheshin të ngriheshin, deri në nivelin e dëgjimit.
– Pse aq shumë fiton burri juaj? Me ç’punë merret ai në Greqi?
Ajo lëvizi supet, me një hedhje gjoksi, sikur diç e pickoi, harkoi vetullat e zeza, lëvizi buzët në qeshje ironie dhe foli:
“Burri im është pronari i këtij dyqani”. I dha edhe një herë gjoksit përpara, sikur donte të m’i hidhte gjinjtë në fytyrë dhe vazhdoi: “…kemi edhe një dyqan tjetër…”. Mua më doli një afsh i nxehtë nga hundët dhe se si ma dha mendja e iu futa brenda vetes:
– Keni fëmijë?
– Uff, fëmijë?! Ç’më duhen fëmijët?! Unë dua të bëj jetë, nuk dua të bëj fëmijë. Ehe Jani, qejfin tim ka …
Pranë nesh afrohet një burrë rreth të pesëdhjetave, pa qime në kokë, i shkurtër e më tepër se i shëndoshë. Në pamje të parë, m’u duk si një lëmsh i mishtë, me përmasat e një rrote traktori, por pastaj, ai që e kish emrin Jani, mori formë burri e iu afrua më tepër bukuroshes së tij.
– Kukla mu- e përkëdheli ai shqiptaren e bukur dhe e puthi në dy faqet. Ajo i hodhi duart në qafën e tultë dhe nisi ta puthë e ta lëpijë, në buzë e nën buzë, në faqe e mbi faqe, me një rënkimë të pështirë. Edhe ai, shijonte rënkimën e saj, e jargëzohej, nëpër cepat e buzëve.
Pasi pushuan së fërkuari, së rënkuari e pllaqurisuri ajo m’u drejtua mua:
-Jani është burri im i dashur dhe fjalën e burri e zgjati me përkëdhelje sa mua gati, më erdhi për të vjellë. Pastaj diç i tha për mua, por fjalët e saj mbetën nën këmbët e mia e nuk ngjiteshin dot deri tek dëgjimi. Pastaj hyri mes pardesyve, për të më ofruar mua, më të mirën, apo të zgjedhurën e saj, por unë këmbët i kisha çuar tek dera, por vetëm sytë i hodha edhe një herë nga përtej xhamit me një ndjenjë të pakuptimtë brenda vetes. Sa dola nga dyqani, në mend më hyri Niçja: Lumturia e burrit quhet ‘unë dua’. Lumturia e gruas quhet ‘ai do’.