Albspirit

Media/News/Publishing

Kostas Karyotakis: Pranverë

 

 

Pranvera ëmbël po mbërrin – me lajle e cicërima –
dhe dimri i ngrysur hijerëndë u nis edhe po shkon,
i çon ajo lulet e saj, ai borë me vetëtima,
kjo, buzagazin e pa faj me lotnë e tij bashkon.

Dhe Apoloni madhështor që lart, nga qiell’ i ndritur,
nis e shpërndan i patravajë rreze me plot shkëlqim,
e ç’ gjen në rrugë me ngjyrë e lan, e rend pa u mërzitur,
nga pas lë shpresën e pa skaj, aroma tërë gëzim.

U mbushën pemët jeshillëk, petale – hijeshuar,
dhe nis e oshëtin në pllajë një fyell baritor,
i gurgullon këngën e vetë agimit ar – praruar,
me zogjtë që himne i blatojnë, të lumtur dhe gaztorë.

Ngado gëzimi po merr dhenë. Veç ti moj mikja ime,
rri e shikon tërë bukuritë me sy lotëturbulluar.
Eja! hap krahët dhe gëzo afshin e puthjes time.
Se po rreh flladi pranveror! Harroje monë e shkuar!

Shqipëroi: Arqile Garo
nga libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”.

Please follow and like us: