Ina Kosturi: “Koncert në vitin 1936”
Kur realizuan filmin “Koncert në vitin 1936”, ndër më të mirët filma shqiptarë, duket se në morinë e personazheve gdhendën dhe figurën epike të Nuri Beut. Tok me filmin na lanë trashëgimi dhe këtë personazh simbol të çdo kohe në shoqërinë shqiptare. Pas dekadash ai rezistoi e shfaqet sot në jetën e përditshme me të njëjtën pamje ligësie, interpretuar mjeshtrisht. Mbeti në kujtesën tonë nga fëmijëria bashkë me frazën “Sa lekë do t’ia prishësh koncertin”?
Në heshtje në tranzicionin shqiptar e deri sot u modernizua dhe personazhi, u sofistikua me metodat moderne e u shfaq në jetën shqiptare shpesh e më shpesh. Trukuar me stilin modern, me gjithë arsenalin e parukerive që mbinë anembanë Shqipërisë, Nuriu e Nurijet pa dallim u shfaqën gjithnjë e më shpesh si personazhe reale që i fuqizoi gjithë lukunia, babëzia dhe rrëmuja që përfshiu shoqërinë tonë në gjithë këto vite.
Sa herë u përshëndetëm me Nuriu e Nurijen tashmë modernë pa syze, me syze Gucci, me lente…me flokë, bionde, brune! Të gjithë takuan Nuriun e Nurijet sipas profesioneve, nga fshatarët e tregut që shesin pak mall, që u duhet pak vend e deri në institucione të rëndësishme, në çdo kohë në çdo qeverisje.
Nuriu e Nurijet janë termometri i korrupsionit, janë trendy i degradimit e problemeve të shoqërisë, janë pasqyra e degradimit të figurës së individit, janë shkelja e ligjit. Nga pak Nuri e Nurije takojmë të gjithë ndonëse heshtim, derisa e kuptojmë se Nuriu e Nurijet janë si grip, e kur ato përhapen shoqëria vuan nga një epidemi e rëndë, e pasherueshme.
Nuriu e Nurijet janë fytyra moderne e shoqërisë shqiptare të sotme humbur pas parasë e interesave, me besimin se komandojnë, se janë më të mirët. Si kudo në çdo fushë Nuriu e Nurijet shfaqen dhe në art, media, kudo. Ndonëse personazhe të maskuara shpesh, ndoshta për shkak se zanafillën e kanë në koncert, në botën muzikore fiksohen më gjatë.
Nurijet e muzikës janë personazhe që spikatin derisa dalin në skenë, në atë skenën e madhe ku njerëzit i pëshpërisin njëri- tjetrit njësoj si në film “Bobo, lojti nga fiqiri…”!
Dhe vjen një ditë e u del grimi e mbeten ashtu shëmtuar bashkë me shërbëtorët që iu shkojnë pas…
Please follow and like us: