Albspirit

Media/News/Publishing

Miranda Içi: Kërkoj një tjetër botë!

 

Helmi i gjarpërit më vrau para se të kafshohej fruti paemër.
Ika vetë, nga sytë këmbët pa kthyer njëherë kokën.
Noé më la jashtë liste në përmbytjen e madhe,
s’kisha gjak fisnik.
Ndaj ditën e lajmit të mirë e pres kapur në flokët e nënës.
Pres të më ngjiten krahët e thyer dhe ullinjtë të lëshojnë filiza.
Pashë si vetvriten yjet, mbi qiejt e Palestinës pa e gjetur Betlehemin dhe heshta.
Heshta dhe…
Këndova bashkë me gjelat, duke iu thurur tela me gjëmba rrebelimeve.
E vërteta kërkoi sytë e mi dhe ia mohova s’di sa herë.
Asnjë mal s’gjeta të gremis barrën, ja lashë Sizifit mbi kurrizin bërë copë-copë.
Me gurët që më hodhët, ngrita kullën e Babelit, faltore të lajë mëkatet Zoti.
Fundja Ai dhe ne s’flasim të njëjtën gjuhë.
Dhe bredh me trastën e Eolit lidhur në një shkop bohemian, u bënë mijëra vjet.
Tani do t’i lëshoj si qen të tërbuar,
mbi kolonën vertebrale të botës,
sa të shëmbet shakull para një dore të zgjatur kockë e lëkurë.
Erërat më përplasin udhëkryqesh e rrugëve në kërkim të vetes dhe njeriut.
Pa fener,
ashtu kuturu nëpër mjegull e tym.
Ah…tani.
M’u sos fryma, shkumë më del nga goja e zbret deri në gjoks.
Qerpikë e sy përcëlluar nga skërmitjet tuaja.
Shembem përtokë,
në metrin e 42,194…finishin mirazh s’e preka dot.
Shtroni gostinë e fundit, ktheni kupat me gjak dhe hani njëri-tjetrin.
Me gjethe dafinash fshini buzët, duart i lani me borzilok.
Është mbretëri shkabash kjo, hiena e krimba mbledhur tok.
Mua mos më ftoni…
Fishkëllej dhimbjet,
këngë e ëmbël jevgu…
Ika…
Kërkoj një tjetër botë.

11.10.2015

Please follow and like us: