Edicioni i njëmbëdhjetë i Panairit Profesional “Neranxi” çel siparin
Në mjediset e kompanisë Neranxi është çelur sot, më 13 prill 2019, panairi i njëmbëdhjetë profesional “Neranxi”, në prani të mijera të ftuarve nga trupi diplomatik, përfaqësues të politikës, medias, shoqërisë civile, shoqatave turistike dhe hoteliere dhe mjaft të ftuarve të tjerë.
Pjestari i stafit të kësaj kompanie Arben Sinojmeri, duke iu uruar mirëseardhjen të ftuarve, tha se tashmë është bërë traditë që në këtë muaj ne të organizojmë panairin e përvitshëm, i cili shkon në edicionin e njëmbëdhjetë dhe pasurohet edicion pas edicioni.
Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun pranë kësaj kompanie, gazetari Artur Nura, në fjalën e vet përshëndetëse, tha se kompania “Neranxi” ka veçorinë e vet që ka nisur si biznes familjar dhe është bërë një markë e njohur jo vetëm brenda hapësirës shqiptare, por edhe në mjaft shtete të tjera në rajon dhe më gjerë. Panairi, si një moment reflektimi, nga viti në vit është bërë më i larmishëm dhe ka shtuar bashkëpunëtorët dhe miqtë.
Presidenti i kompanisë Nikollaq Neranxi, duke vlerësuar panairin e sivjetshëm, si ndër më të rëndësishmit, tha se në këtë edicion ne duam të shkëmbejmë përvojën tonë me operatorë të tjerë turistikë, vendas dhe të huaj.
Ai vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë me ambasadën spanjolle, me ambasadën kineze, me ambasadën ruse, por edhe me disa operatorë të tjerë, të cilët vijojnë të bashkëpunojnë me kompaninë “Neranxi” dhe me Institutin Kulinar me të njëjtin emër, që tashmë është i gjithgjendshëm nga veriu në jug, pothuaj në të gjitha pikat turistike të vendit jo vetëm në bregdet, por edhe në mjedise të tjera që ofron natyra e mrekullueshme dhe e papërsëritshme shqiptare.
Zoti Neranxi vijoi më tej duke thënë se kompania “Neranxi” është një markë e veçantë që ka brenda përkushtimin e stafit të kësaj kompanie, të trupës mësimdhënëse dhe të qindra të diplomuarve, që janë një aset më shumë për rritjen e turizmit në vendin tonë.
Në fund të ceremonisë së parë, presidenti i Shoqatës së Restoranteve Turistike, Kujtim Dervishi, mbasi vlerësoi kompaninë dhe Institutin Kulinar, tha se Kompania “Neranxi”, falë seriozitetit dhe përkushtimit është bërë një nga kontribueset më të rëndësishme të zhvillimit të turizmit në mbarë vendin.
Një kronikë rreth kësaj veprimtarie mund ta gjeni edhe në linkun e mëposhtëm:
https://shqiptarja.com/lajm/hapet-panairi-profesiona-i-11te-i-kompanise-neranxi-promovohet-kulinaria-e-shijes-dhe-jetegjatesise
Të ushqehesh është një nevojë, por të ushqehesh në mënyrë inteligjente është art