Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Plaku në radhën e qumështit

 

Tregim

….kësaj radhe objekt i besedës ishte skllavja Izaura.
-Po edhe këta të televizionit, këto filma me kryqe në qafat e grave na japin…
-Hë, hë nuk paske sy ti, -tha plaku. -Po pse kryqet shikon ti. Shiko ore mishin që të mbush trupin me gjëmba e të bën purtekë në erë. Mos qeshni ju të tjerët. Se ja kështu, nga këta njerëz shkon dëm nata. E merrni vesh. Po kështu është. Se edhe filmi…, me një fjalë ai që ka bërë filmin këtë ka dashur të thotë. E di mirë unë. Mbaj mend kur e xhironim Izaurën. Duhet të ketë qënë nga 1960 a’70. Kemi qënë ne atje posi. Mos shqyej sytë ti çun. Se baba është i bredhur.
Në fakt i shqeva sytë. Po ai seç përmendi një emër të partisë komuniste në Brazil, Zhoao Amazona të cilin e kisha parë në televizor. Foli dhe në gjuhë të huaj. Ai zakonisht fliste shumë bukur në italisht. Fliste dhe gjuhën bullgare. Thoshte se në Itali e çoi mbreti të studionte shkencat politike. Më vonë e çoi vetë Enveri në Bullgari. Me delagacionin e dimrit. Ikën me tren nga Jugosllavia. Gjithë Sofja kishte dalë në rrugët e zbardhura nga bora. Brohorisnin sofjanët sa u shkri me ngricka dhe borërat ku ishin e nuk ishin nga fryma e tyre. Dhe rrugët u bën asfalt i zi prej mëndafshi. Plaku tha se me vet Gjergj Dimitrovin ndau kafshatën e ngjyer në kripë. Atje në stacionin mizëri. Kur zbriti Enveri.
-Po mirë me të vërtetë ashtu ka qënë Brazili, skllavëri. Se ata e shikonin burrin nga dhëmbët, nga këmbët. Varur ajo dërrasa në qafë. Si kafshët në tregun e gjës’ së gjallë?- e pyeti dikush.
Ai u bë serioz. Kaloi dorën mbi flokët e bardhë. Pa nga kodrat. Diku andej u dukën hiret e para mëngjesore.
-Ashtu, ashtu. I nxirrnin burrat në treg, të lidhur. Jo me litar, me zinxhirë. Edhe gratë. Biles gratë, me çmim më të lartë ishin ato me gjokse të mëdha. Si lopët. Ajo që jep më shumë qumësht, ka dhe çmimin e kripur. Për dy reale e blem të ëmën e Izaurës. Atë të vërtetën, jo atë të filmit. Se kështu erdhën punët. Ajo mu lut mua për të bijën. Ne, që ta marrësh vesh ti, u përgatitëm mirë në Bullgari. Dhe shkuam të ndanim eksperiencën me popullin mik të Brazilit. Ne ua kemi mësuar telenovelat atyre. Posi, si kujtoni ju. Ngjarjet e filmit bëhen në fshat, mes fushave me kallam sheqeri. Duke lexuar historinë e këtij vëndi, dizenjuam kasollet, odat me shërbyese e plot të tjera. Kostumet. Ç’tju them baba juve. Mizëri me njerëz, vend i madh. E kafshoje kallamin, plot lëng, sherbet safi. Dhe nuk të shkonte mëndja për bukë gjithë ditën. Po një histori nuk do e harroj, sa të jem. Jam betuar që ta marr me vete në varr. E shoh që ju po më hani të gjallë me sy, por mos mu lusni kot. Nuk ua tregojë?
Sipas tij kjo histori kishte të bënte me sekretaren e Zhoao Amazonas. Dhe ishte punë me zarar. Se dilte fjala dhe kushedi, e hante kokës plaku. Po burrat iu përbetuan aq shumë sa plaku e harroi premtin.
-Mirë, veç ta dini se po më degdisën në Gjazë, nga ju e kam, – tha dhe sërish pa nga kodrat. E çelta e mëngjesit qe përhapur mbi qytet. -Po futem në temë. Bëra duel me shpatë me Zhoaon. Nuk e dija që ajo ishte e dashura e tij. Do thoni ju po pse u lidh me ty? E drejtë, po gratë kështu janë. Duan të nxjerrin gozhdën me gozhdë. Zhoao gjithmonë i thoshte se donte atë më shumë se gruan që kishte në shtëpi. Një ditë do të ndahej nga gruaja dhe do martohej me ‘të. Por vitet kalonin dhe ajo e kuptoi që ai e gënjente. Ia thashë edhe unë, që burrat kështu veprojnë kudo. Mu dhimbs, sepse orë e çast qante në supin tim. Se si më vinte, rrinim nëpër kasollet ku xhirohej filmi. Me vete kishim garderobat e aktorëve. Sheqer, energji. Ajo ndërroi disa herë veshjet. U veshëm të dy si qëmoti. Si në film. Si ata të pasurit. Unë vendosa edhe një kravatë në formë trëndafili. Ngjyrë blu. Kurse ajo, një kapele të madhe zonjash. Kalëruam nëpër plantacionet e sheqerit. Thashë të guxojë. Një burrë kur nuk guxon nuk merr asgjë. Pastaj grave u pëlqejnë burrat e guximshëm. Ashtu bëra. Dhe kisha të drejtë. Bëm dashuri në sytë e kuajve. Nën hijen e kallamave të sheqerit. Kështu filloi. Ajo më kërkoi që ta merrja me vete kur të ikja nga Brazili. Pranova. Mirëpo, u tregova mëndjelehtë. Zhoaoja kishte edhe hafije. Më zbuluan. Ai u prek në sedër. Burrat brazilianë janë si ne. Nuk të falin kur shkon me të dashurën e tyre. Për gruan nuk ndihen, se nuk duan që tu dali nami. Kështu më ftoi në duel. Në të njëjtin vend ku bëra dashuri. Desdemona qante. E kishin lidhur në një hu nga ato që ndëshkonin skllevërit. Po unë e munda. Mbajta majën e shpatës tek zverku i tij dhe ia fala jetën. Dhe burrash vendosëm që të ngelej midis nesh. I kërkova të mos i thoshte Enverit se e dija, që plumbi më priste. Ja kështu djema. Tani po i afrohem të nëntëdhjetave. Kam bredhur shumë botë. Kam mësuar shumë. Dhe a e dini? Ja u them unë. Kjo dynja është si puna e lakrorit që bën plaka ime, petë sipër, petë poshtë. Ne jemi lakra me shumicë.
Sakaq erdhi kamioni i qumështit. Të mugtin e shtyu dita e re deri në Brazilin e largët. Nxitova të kryesoja radhën. Kur dola, plaku mbante në gjoks dy shishe me qumësht. Foli sa foli me hamejtë e kamionit. Pastaj iku trotuarit duke tërhequr zvarrë një palë shapka plastike nga ato që përdorin gratë. I drejtë, i bardhë. Edhe pse gjysmë zbërthyer e i pa rruar.
___________
Nga vëllimi me tregime Kaubojsi dhe agjentja. E gjeni ne Amazon.com.

Please follow and like us: