Albspirit

Media/News/Publishing

Policia ushtron dhunë dhe kërkon ndalimin e drejtorit të “Koha Jonë”

Protesta e opozitës po zhvillohet sipas parashikimit të tyre, ndërkohë policia ka marrë masa ekstreme duke kaluar në disa raste edhe në sjellje të dhunshme, pa asnjë shkak të ligjshëm.

Në ora 18.05 policia tentoi me dhunë të arrestojë drejtorin e gazetës “Koha Jonë”, Nikoll Lesi, i cili po shkonte në redaksinë e gazetës “Koha Jonë”. Mënjëherë forca të shumta policie, edhe ato të repartit “Shqiponja”, dolën para makinës së drejtorit të “Koha Jonë” dhe tentuan ta marrin me forcë për në komisariatin e policisë, pa asnjë arsye.

Pasi Nikoll Lesi mori në telefon direkt drejtorin e përgjithshëm të policisë së shtetit zotin Ardi Veliu, forcat e policisë u larguan.

Pas incidentit me policinë, Nikoll Lesi tha se “po shkoja nga sheshi “Wilson” për te redaksia e gazetës “Koha Jonë” për të ndjekur zhvillimin e protestës. Më dolën para, sapo më njohën, disa motora policie dhe me thanë se nuk lejohet të kalosh. I pyeta se pse dhe më thanë se “rruga bllokohet”. Ndonëse makinat e tjera i lejuan të kalonin, përsëri zbatova urdhërin e tyre. Kalova nga ana tjetër, pas stadiumit “Dinamo”, sepse më duhej të isha në punë në gazetë. Kur u afrova nga ana tjetër, nga ana e Lanës, prapë me dolën policë dhe motora të “Shqiponja”. Më bllokuan rrugën dhe me dolën para makinës. U kërkova arsyen duke u shpjeguar se jam gazetar dhe drejtor gazete e më duhet të shkoj në gazetë, ku rrugica ishte 14 metra më tej se sa më ndaluan. Nuk hanin pykë. Atëherë ngrita zërin. Në moment erdhën mbi 6 policë dhe tentuan të më merrnin me forcë nga makina për në polici. Mbylla derën e makinës dhe ndërkohë mora drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ardi Veliu. Më pas forcat e shumta të policisë ikën.

Më lejoni të them se kjo sjellje nuk është aspak korrekte dhe ligjore. Merret me mend se ç’u punojnë njërëzve të thjeshtë! Nuk është puna për mua pasi jam mësuar në 28 vite si gazetar të përplasem me pushtetet, por më duhet të shtoj se nuk duhet në këtë mënyrë, pasi janë sjellje brutale dhe jo ligjore. Nuk mund të them se i urdhëroi njeri nga lart për mua, pasi nuk kam fakte, porse fryma e pushtetit dhe sidomos e kryeministrit ndaj njerëzve të medias sjell këtë mënyrë reagimi, aq me tepër kur marrin vesh apo ndjekin gazetarët që kritikojnë kryeministrin”- shtoi Lesi për “Koha Jonë”.

 
Please follow and like us: