Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Levonja: Vandalistë e shurraxhinj

Në çdo protestë Policia e Shtetit tashmë e ka bërë të udhës, e ka si strategji të vetën përdorimin e gazit lotësjellës dhe arrestimet e vona. Deri më tani për të majtët duket sikur po jep rezultat. Dhe unë do e besoja me dëshirë por radhë pas radhe numri i protestuesve dyfishohet dhe ato (protestat) bëhen më masive. Nga ana tjetër një sërë analistësh po të majtë kanë filluar të hedhin idenë e një tryeze me ndërkombëtarët, një nga ato llojet që janë bërë kaq bajate kohët e fundit.

Pra në një apo tjetër mënyrë opozita është në udhën e duhur. Dhe nuk e di se sa kjo opozitë apo Lulëzim Basha do i rezistoj deri në fund, devizës se nuk ka asnjë marrëveshje me këtë qeveri deri në krijimin e asaj tranzistore pa Edi Ramën kryeministër për çuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme. Dhe është një vendim historik nga koha pasi mund të ofrojë paralelisht zgjedhjet vendore dhe ato për në kuvendin e Shqipërisë. Megjithatë në ndryshim nga protestat e kaluara është qartë e kuptueshme se sa solide po bëhet ky koalicion opozitar.

Dhe Basha bëri mirë që foli në emrin e të gjithëve lidervë të koalicionit. Megjithatë do ishte e udhës t’i mëshonte më shpesh fakteve të cilat e çuan këtë opozitë në një vendim drastik në historinë e re të demokracisë së shqiptarëve. Dhe ato janë me qindra, avionët e rrëzuar në Divjakë, bregoret me kanabis në lumin e Vlorës, grupet e Shijakut dhe Elbasanit, përfaqësues të të cilit sot janë ‘koka turku’ për shtetin e terrorit dhe partneritetit publik. Madje pankartave me ik, do ishte e udhës t’u shtoheshin portretet edhe të atyre që u hoq mandati nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Pikë së pari këto masa vullkanike si e djeshmja nuk janë asgjë tjetër por frutet e para të djegies së mandateve. Madje do ishte e udhës t’i mëshohet më fortë edhe mospjesëmarrjes në zgjedhjet e qershorit. Çdo fushatë qeveritare që injoron opozitarizmin tashmë është një vetvrasje e mirëfilltë politike dhe e meritueshme për të kuptuar përmasat e indoktrinimit të vendit nga politikat one man rule. Vazhdofshin kështu se fitorja nuk do vonojë. U duhet thënë shqiptarëve që përpara se të frikësohen prej lobizmit rus, intrigave të Kremlinit etj., duhet të distancohen nga putinizmi dhe Putini i tyre që tashmë ka kapur të gjitha pushtetet.

Shqipëria sot ka plotësisht një KGB a një shërbim të dhunshëm shtetëror jo për të dënuar krimin e vërtetë, por për të futur frikën e terrorit në masë. Nuk është vandal një i ri që i bën shurrën derën së kryeministrisë, madje duhej të shkonte më tutje, sepse ajo godinë është faqja jonë e zezë kur mendon fishkëllimat e plumbave pas kokës. Nuk është vandal a kriminel nje protestues dhe si i tillë duhet arrestuar publikisht në rrugë, i duhet thyer dera natën etj., janë metodat e sigurimit. Por tashmë e kam bindje që njerëzit nuk kanë aspak frikë dhe nuk kanë për të pushuar më së luftuari për një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin e tyre.

Krimet e vërteta i kanë bërë ata që kanë kaluar aty, kanë drejtuar etj., jo një i ri që i prishi parfumin lali Erit dhe shpurës së papërgjeshme të Edi Ramës.

Please follow and like us: