Albspirit

Media/News/Publishing

Cikël poetik nga Katiola Karoli

 

 

Koha…

 

Sot tek lokali ynë…

Në tavolinën ku rrinim të dy.

Sot ndërsa pres të ftohet kafeja.

Me heshtjen bisedoj me vetminë.

 

Kudo ku hedh sytë kam kujtime,

Herë me diell, herë me shi.

Sot vetëm në këtë tavolinë.

Mungon ti dikur jeta ime.

 

Koha tregon fytyrën e vërtetë.

për këtë i them 1000 herë faleminderit.

Ajo zbuloi fytyrën tënde të vërtetë

Ndaj këto kujtime në zemër nuk më therrin.

 

Sot bisedoj me vetminë time.

Pyetjeve të mia iu jap përgjigje

Ti ishe kohë e humbur, dikur jeta ime.

Tashmë për asnjë gjë s’kam më dyshime.

 

Nuk e mendoja ndonjëherë veten.

Se nuk do kisha lot në sy.

Qe gëzimin do ta gjeja në heshtje.

Larg shumë larg syve të tu.

 

Nuk më vjen keq për kohën e humbur

Çdo gjë ndodhi nuk kthehet pas.

Tani kërkoj të jetoj e qetë

Si det i kaltër mbas furtune e tallaz.

 

E di mbas shiut del gjithmonë ylberi

këtë e kam parë me syte e mi…

Do të jetoj nën të njëjtin qiell të kaltër,

Ndoshta jo më e lumtur, por më e qetë, me siguri.

 

 

Zemërim fëminor

 

Kur zemërohesh ti me mua.

Si një fëmijë kapriçioz, buzët var.

Strukem si zog në cep të shtratit.

Mëri më mban, shikon me inat.

 

Kur zemërohesh ti me mua.

Shtrati ynë kthehet në akullnajë.

Fillon më ngrin trup dhe shpirt.

Dhe zemrën nuk e ndjej gjallë.

 

Ky zemërim naiv prej fëmije.

Më bën një çast unë të harroj.

Hidhem si kotele mbi trupin tënd.

Filloj të puth e fort të përqafoj.

 

Në çast shkrin kjo akullnajë

E shtrati ndizet, shpërthen vullkan

Të dy harrojmë ne zemërimin

Zënka fëminore ndjenjën nuk e ndajnë.

 

Lojë shahu!

 

Ne nuk jetuam jetën që zgjodhëm,

por atë që të tjerët na diktuan.

Tek tavolina që qeshnim dikur,

ndoshta me një tjetër do bësh: Gëzuar!

 

Menduam se do të luftonim

dhe për të humbur nuk do kishim kurrë.

Por nuk arritëm ta kuptonim,

si në një lojë shahu ishim vetëm gurë.

 

Ne nuk jetuam jetën që zgjodhëm,

por atë që të tjerët na diktuan.

Të uroj gjithë lumturitë e botës,

unë për vete nuk kam dëshirë të luaj.

 

Please follow and like us: