Nasho Bakalli: “Rahoveci”, prej motit 1913 deri në 2008
Në Krushë të Madhe të Rahovecit, në 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, u masakruan 243 persona – gra, fëmijë, pleq – dhe u dogjën 893 shtëpi. 20-vjetori i kësaj ngjarje u përcoll me nderime jo vetëm të lavdërueshme, zyrtare dhe publike, për të rënët; por edhe me shpërfaqje therrëse – prej liderëve kosovarë – kundrejt shtetit të Serbisë e ndërkombëtarëve. Ngaqë, Serbia rimohoi krimet e kryera 20 vite më parë; ndërkaq ndërkombëtarët heshtën. Vetëm ambasada e SHBA, në Prishtinë, u blatoi nderim viktimave. Shugatja, në këtë rast, e Anglisë, Francës, Italisë, Rusisë etj., i ka thellë majat e rrënjëve të veta, në vitin 1913; te Konferenca e Ambasadorëve në Londër. Ku fuqitë e mëdha europiane vendosën ndarjen e Kosovës nga Shqipëria – dhurimin Serbisë. Ky peshqesh europian, asaj nuk i erdhi papritur. Kryengritjet shqiptare të viteve 1910, 1911, 1912 kundra “Turqëve të rinj” dhe, shpallja e pavarësisë Shqipërisë, 28 nëntor 1912, krijuan një situatë gjeopolitike, ushtarake dhe shoqërore shumë të favorshme për bashkimin e shqiptarëve dhe trojeve të tyre në një shtet kombëtar, në Ballkan. Lindjen e këtij shteti, pikërisht, e abortuan ambasadorët e fuqive të mëdha europiane në konferencën e Londrës, 1913. Dështimi ishte pjesë integrale e projektit me titull “Luftra e parë dhe e dytë ballkanike”. Tezat e të cilit u shtruan për dijeni dhe zbatim, hap pas hapi, nga Konferenca e Berlinit 1878…Pra, nuk ishte rastësi zaptimi i Kosovës nga Serbia në vitin 1912 dhe pastaj dhurimi në vitin 1913.
Ky zaptim-dhurim, u shoqërua me krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare. Në vitet 1912 dhe 1913 serbët kositën 120.000 shpirtëra. Një numër i madh fshatrash në Kosovë – dhe Maqedoni – u dogjën. Të paktën 50.000 shqiptarë, për të shpëtuar jetën nga mizoritë e ushtarakëve serbë braktisën trojet e veta dhe mbërritën si refugjatë në Turqi e Shqipëri. Deri në gusht të vitit 1914 – nga Kosova, Sanxhaku, dhe Maqedonia – u shpërngulën 281.747 banorë, pa llogaritur fëmijët e moshës deri gjashtë vjeç. Sundimi vazhdoi paprerë deri në vitin 2008. Ishte moti, kur u shuajt njëherë e mirë ngazëllimi i pushtuesit serb i cili, për afro 100 vite e ndjeu veten Zot të kosovarëve.
Po cilat ishin mjetet e dhunës shtetërore që shoqëruan robërinë shekullore serbe në Kosovë? Në pamundësi objektive t’iu bëj me dije lajmet pafund të gazetave të periudhës 1912 deri 2008 – ku shënohen konkretisht metodat, stilet, dhe larmia e arsenaleve të dhunës fizike dhe shpirtërore që u përdorën për shfarosjen e shqiptarëve – kam përzgjedhur mes tyre shkrimin me titull “Një gazetë serbisht mbi barbarizmat serbe” botuar kjo, te gazeta shkodrane “Shqypnia e Re”, 20 nëntor 1913. Këtë shkrim të vitit 1913 po e shpërfaq me kast – ndërsa përkujtohet masakra e Krushës së Madhe – për të theksuar faktin madhështor se: historia e luftërave kosovare për liri e pavarësi është e pandërprerë, popullore, vetmbrojtëse, dhe me armë në dorë.
Një gazetë serbisht mbi barbarizmat serbe
Tuj diftue na, ato lajme që marrim mbi barbarizmat sërbe në Shqypnie të Sipërme, asht e ditur se armiqtë shpesh herë nuk i marrin për të vërteta; e prandaj po përkthejmë këtu, fjalë për fjalë, mizorinat që ka ba ushtria serbe në vise të Dibrës dhe të Kosovës, ashtu, siç i shkruan gazeta sërbishte e socialistëve “Radniçke Novina” e, n’ kët mënyrë shifet sheshazi qytetrimi që diplomatët serb shkruanin se deshin me na prue ne shqyptarëve:
“Mbasi kjenë thye shqyptarët prej Struget, Dibret, e Peshkopiet ata nisne me u bashkue rreth Prizrendit ku, një tufë ushtarake serbe tue ardhun prej Tetovet në mal të Sharit, shkoj e i rrethoj. Një tejshkrim që u dha asaj kohe zyrtarisht prej qeverisë serbe i diftonte botës se, këta të rrethuemit nuk deshtën me ra në dorë, por, kjo asht nji rrenë! Të gjithë këta shqyptarë u banë teslim, e mandej kenë nda në grupe nga dhet e dhet e kjenë vra të gjithë. Ushtarët, kishin urdhërin e përgjithshëm mos me xan rob asnji njeri.
Në krahinë të Lumës vepronte i X-ti e XVIII-ti taborr. Tabori i X-të kishte përparashkue dhe, në ditët e para shqiptarët i ranë me shpejtësi dhe e thyen. Mbasi qi erdhi taborri XVIII, me 6 topa, shqyptarët qenë shtërngue me ik. Shumë kenë zanë rob, e tue ra në gjunj lypshin me i fal jetën por kot se kjen mbyt të gjithë; mbytyn me ka një syngji ose me ka nji plumb kresë.
Midis Prizrendit dhe kufinit shqyptar gjindeshin 15 katunde shqyptare prej të cilve, ma e shumta e tyne nuk kishin marrë aspak pjesë në kryengritje dhe, mashkullia e tyne po rrishin nër shpia të veta tue pritur, si nënurdhës të qetë, ushtarët serbë. Ato shpresonin se, nuk do ti prekte njeri. Por urdhni ishte: Asnji të falun, asnji pshtim!
Dy të parat katunde kjenë rrethue dhe, komandanti bani me ardhë të gjithë mashkujt e rritun; 83 vetë i mblodhi në nji vend dhe i vrau të gjithë.
Ndër të tjera katunde i morrën shqyptarët të gjithë e i lidhën në tufa 40 vetsh, dhe i therrën të gjith. Kështu u binte ma lirë. Se, për ta nuk vynte me harxhue fyshekët. Midis ushtarëve gjindesh edhe nji gabel i cili, me gjithë qejf e bante këtë punë sepse, shumë nga ushtarët tanë nuk doshin me marrë pjesë në kët gjakderdhje.
Por kjo nuk asht e gjitha. Ndër të gjitha këto katunde shqyptare kenë mbytun të gjithë njerëzit, e deri qent e pulat. Gra e fëmijë midis britmave që lëshojshin u therrën me syngjia e me thika ose, u vranë me fyshek. Shpijat u dogjn të gjitha e gratë si të tërbueme u lshojshin në zjarr për me pshtue fëmijt e tyne, që kjenë tue dekun. Të vramit e të plagosmit kjenë hedhun në zjarr, mos me bjerr kohë tue i varros
Disa gra me fmijë në duer që mundoheshin me pshtue tuj vrapue prej kësaj mizorie por e kot se, plumbat ishin ma të shpejt. Ushtarët i vrtnin tuj thirr: “Ndalu! Zotin, ti s’ke me ba ma fëmijë”.
Prej 15 katundeve, 9 kenë rrënue krejt. Nër tjerat katunde murnë gjith mashkujt që munden me xanë, dhe i vranë.
Nër rreth të Dibrës vepronte taborri XII. Banorët e atyne katundeve ikne tue kërkues pshtim në male. Por ndjeksit mbasi i dogjn katundet e tyne i mrritne dhe mizorritë e tyne, që ban, janë të mëdha – sa nuk diftohen. Askush nuk pshtoi prej tërbimit të ushtarvet. Katundet që ishin me serb përqark u banë zot të gjasë e të mallit të tyne.
Në Serbinë Jugore (Kosovë e Dibër) mbretnon paqja. Nuk asht ma kush atje që, të ngrehet përsëri“.
Masakra e Rahovecit e vitit 1999, mbase, mund të themelohet edhe si: dita e kujtimit të gjithë atyre kosovarëve që humbën jetën në luftërat e njëpasnjëshme – dhe e viktimave të luftërave-për liri e pavarësi.