Koço Kokëdhima: Shqipëria do demokraci, jo karantinë
Qeveria jonë mendjelehtë dhe e dalldisur nga gazi që përdor në protesta, nuk e ka lexuar qartë as mesazhin e Parlamentit të Holandës, as nëntekstin e tij. Kryeministri Rama, i gjendur në pozitë të vështirë, po pranon rolin e gomarit që nuk kuptonte se ujku po e hante dhe thoshte se mbase është ëndërr. Ai gjendej në Katar, kur në Holandë po i vinin vizat popullit të tij. Kur lajmi mori dhenë, doli zëvendësi i tij Cakaj dhe bëri një sqarim. Vizat do vazhdojnë siç janë, vulën e vë BE-ja…kjo mund të ndodh në kushte të mirëpërcaktuara…
Holandezët në fakt, kanë kohë që po na i qëndisin letrat. Kolegët e këtyre deputetëve që propozuan vënien e vizave për shqiptarët erdhën vjet në Tiranë, në këtë kohë dhe na thanë, nuk jeni për negociata. Rama dhe Ruçi i qesëndisën nga pas, por negociatat nuk u çelën nga BE. Pse janë në rolin e gomarit dhe jo të qeveritarëve, këta qeveritarët tanë?
Së pari, Parlamenti i Holandës nuk bëri një akt diplomatik, por një veprim politik. Ata gjejnë si shkak “një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë, këto organizata kriminale keqpërdorin mundësinë për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe me të, të zgjerojnë më tej rrjetin e kontrabandës. Deputetët Holandezët vënë në dukje se pezullimi i vizave për Shqipërinë kërkohet për arsye të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitar. Ata i kërkojnë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave”. Një vit pas shtyrjes nga BE të fillimit të negociatave, ata kanë të njëjtën vërejtje për vendin tonë. Përse Shqipëria nuk ka një bilanc në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër trafikut të drogës? Sot qeveria jonë duhet t’i bënte publike bilancet, që t’i shihte Holanda dhe BE-ja. Në debatet e deputetëve holandezë u theksua edhe korrupsioni. A është e mjaftueshme reforma në Drejtësi, kur BE na kërkon bilanc për goditjen e këtij fenomeni në nivelet e larta?
Vendimi i këtij parlamenti është një mesazh për Brukselin që të mos hapen negociatat me vendin tonë që eksporton kriminalitet. Burime diplomatike për gazetën “Shekulli”, theksojnë se në fillim të muajit Maj, në Shqipëri do të vijë një delegacion nga Parlamenti i Holandës. Ata do të marrin informacione dhe do të vëzhgojnë nga afër ecurinë e zbatimit të reformave në Shqipëri. Kjo gjë u nënkuptua disi edhe gjatë debateve në Parlamentin e Holandës.
Përkatësia politike e nismëtarëve të këtij vendimi kundër Shqipërisë, tregon se sa poshtë ka rënë Partia Socialiste e Shqipërisë, dikur e respektuar në qarqet e majta evropiane. Kjo parti është braktisur nga miqtë nëpër Evropë se është kthyer në një kompani private e kryeministrit. Nga pesë parti që mbështetën vendosjen e vizave për Shqipërinë, dy ishin të majta: E Majta Laburiste dhe Partia Socialiste.
Ndërkaq, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për investimet e huaja, në vendin e dytë renditet Holanda me 14% ose 860 milionë euro. Por vërehet se vitin e kaluar ka tërheqje, u investuan vetëm 14 milionë euro nga Holanda. Nëse do t’i referohemi anketës së biznesit gjerman, fqinjë me Holandën, këtë vit shihet përkeqësim i klimës së të bërit biznes. Pra, edhe ekonomia jonë e deformuar nga korrupsioni dhe pastrimi i parave të pista, mund të jetë një arsye e pathënë, që Holanda kërkon të na vërë vizat.
Një dëm të papritur, pa dashjen tonë, por për shkak të qeverisë që kemi, po u shkaktojmë vëllezërve të Kosovës. Holandezët i trajtuan në bllok shtetasit e Kosovës me ata të Shqipërisë dhe vendosën të mos japin dritë jeshile për liberalizimin e vizave për shtetin tjetër shqiptar.
Së fundi, iniciativa holandeze ka edhe pasoja emergjente për shqiptarët që rrinë syçelët nga pagjumësia e varfërisë. Ata mund ta marrin seriozisht vendosjen së afërmi të karantinës evropiane për shqiptarët. Atëherë, do të plotësohej kushti për “frenimin emergjent”, që është rritja me 50 përqind e numrit të azilantëve në një vend anëtar të BE-së.
Duke analizuar këtë mesazh me nëntekste të parlamentarëve holandezë, nuk ka si të mos habitemi me kryeministrin tonë, që bën sikur po sheh ëndrra tek sa e keqja e madhe u kanoset shtetasve të tij. Në këtë situatë “Zgjidhja” iu bën apel qytetarëve se rruga e duhur nuk është ikja sa më parë, por lufta për të vënë në vend republikën e rrëzuar. Demokracia është i vetmi ilaç për sëmundjen tonë, ndryshe do të na vënë në karantinë. Këtë apel do të doja ta lexonin edhe ambasadat e BE-së në vendin tonë, që t’u shpjegojnë qeverive të tyre se shqiptarët nuk janë për karantinë, por duan demokraci me standarde evropiane, karantina të vihet për partitë e vjetra dhe për qeveritarët e korruptuar. Vendosini ata në listat e zeza, jo popullin shqiptar.
#ZgjidhjaPërShqipërinë