Luan Rama: Harresa shtetërore si ortakëri me banditët që grabitën në aeroportin e Rinasit
Përpjekja shtetërore që përmes harresës të largohet vëmendja e opinionit prej aktit kriminal të grabitjes me armë në aeroportin e Rinasit, është në fakt jo vetëm qasja më e papërgjegjshme e qeverisë dhe organeve të zbatimit të ligjit ndaj ngjarjes, dhe sidomos ndaj autorëve të saj e personave përgjegjës , por edhe ortakëria e rradhës që iu ofrohet banditëve grabitës, siç për fat të keq ka ndodhur edhe më parë!
E pikërisht m’u këtu mendoj se duhet të nisë kerkimi i shkaqeve se pse ndodhi që ngjarja u përsërit, pse ndodhi që pas zhurmës së pasngjarjes, njësoj si në ngjarjen pararendëse të grabitjes mbi dy vjet më parë po në pistën e aeroportit të Rinasit, ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar se çfarë ndodhi, përse ndodhi, cilët janë personat nën hetim që me veprimet apo mosveprimet e tyre krijuan kushtet që favorizuan apo ndihmuan grabitësit, cilët prej zyrtarëve shtetërorë nuk kanë përmbushur detyrat e tyre e kështu me rradhë.
Pra, janë një mori pyetjesh, pas të cilave qëndrojnë edhe një mori problemesh në fakt, për të cilat transparenca e qeverisë ndaj qytetarëve është detyrim kushtetues, jo çështje qefi apo dëshire personale.
Natyrisht, kur flas për transparencë nuk kam parasysh aspak elementë që janë objekt i hetimit nga ana e organit që ligjërisht ka tagrin e hetimit të ngjarjes, po për të dhënë informacionin e nevojshëm, për të kuptuar që institucionet e zbatimit të ligjit, por edhe ato që kishin detyrime ligjore për të garantuar paprekshmërinë e aeroportit të Rinasit, po bëjnë detyrën dhe që nga ana tjetër, qytetarët të mund të presin zbardhjen e të vërtetës dhe ndëshkimin e fajtorëve.
Dhe kjo, jo vetëm se pandëshkueshmëria është për fat të keq konstante e pandryshueshme e institucioneve shtetërore në këtë vend, por që të paktën, të mund të shpresojmë që nuk do të kemi më një rast të përsëritur të grabitjes në pistën e aeroportit të Rinasit.
Afërmendsh që grabitja dhe dhunimi i aeroportit është një vepër kriminale i mirë organizuar e kurrsesi nuk mund të jetë vepër e katër, pesë apo gjashtë grabitësve siç është paraqitur deri tani, ashtu sikundër nuk mund të besohet alibia, sipas të cilës, ai që u gjend i vrarë është truri apo organizatori i grabitjes. Kush njeh sado pak tipologjinë e të tilla veprave kriminale, e kupton shumë mirë se të tentosh ta mbyllësh këtë krim me ata që realizuan grabitjen dhe duke thënë se u vra organizatori, do të thotë as më shumë e as më pak, të synosh t’i imponosh prokurorisë vijësjelljen se deri ku duhet të hetojë e deri ku duhet t’i kërkojë fajtorët.
Prandaj, prokuroria e ka për detyrë të informojë opinionin, se hetimi që ajo po kryen, nuk është i kushtëzuar nga “urdhri” i qeverisë, por nga urdhri i ligjit.
Mirëpo, memecëria si dëshmia më tipike e injorancës, vjen e na shfaqet me gjithë shëmtinë e vet, duke na lënë të hapur shtegun e hamendësimeve, se grabitja nuk ka për t’u zbardhur kurrë! Jo vetëm se precedentët janë të tillë e kështu ka ndodhur edhe më parë, por edhe sepse dikush është i interesuar të mbrojë organizatorin e vërtetë të krimit. Jo atë që shkon me automatik në dorë në pistën e aeroportit; por atë që e dinte prej në bankë se si dhe se kur do të transportoheshin paratë; atë që megjithëse kishte një urdhër të firmosur nga ish ministri Fatmit Xhafaj që detyronte masa të rrepta sigurie për transportin e vlerva monetare, e dinte që asnjë prej atyre masave nuk ishin zbatuar; atë që e dinte se rrethimi i aeroportit nuk ishte përforcuar; atë që e dinte se mund te hynte deri tek avioni në pistë e të dilte prej andej se askush prej punonjësve të policisë kufitare dhe as prej atyre të policisë së rendit, të policisë kriminale e kështu me rradhë nuk do të reagonte.
Organizatori i vërtetë pra është dikush tjetër, është ai që nuk duket, por që ende nuk na është thënë se po hetohet!
Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm një emër, por të gjithë emrat bashkë të atyre që nuk kanë kryer detyrën e që na shfaqen edhe të revoltuar, duke thënë se nuk është cënuar siguria kombëtare, se siguria kombëtare është një gjë e madhe e jo kaq e vogël sa të mund t’a cënojë grabitja me armë në pistën e aeroportit të Rinasit!
Për këta injorantë, një tufë e të cilëve edhe ministra e zëvendësministra të qeverisë së grabitjes së aeroportit të Rinasit, po sjell në vëmendje përcaktimin e faktorëve të riskut sipas Strategjisë së Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, të miratuar nga Kuvendi në vitin 2014. Aty shprehimisht thuhet: “Mjedisi strategjik karakterizohet nga një kompleksitet në rritje dhe një nivel parashikueshmërie në ulje. Rreziqet e tanishme ndaj sigurisë kombëtare janë më të ndërlikuara dhe të ndërvarura se në të kaluarën. Ato ndërthurin kërcënimet tradicionale konvencionale dhe ato jokonvencionale, të shkaktuara nga krimi i organizuar, individë të korruptuar, terrorizmi, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë dhe armëve me rreze të largët veprimi, përfshirë rreziqet ekonomike, politike dhe ndaj qeverisjes së mirë”.
Ndërsa, në klasifikimin që u bëhet rreziqeve ndaj sigurisë kombëtare po në këtë dokument, korrupsioni dhe krimi i organizuar, përcaktohen si rreziqe të nivelit të parë në “kategoritë e rreziqeve me prioritetin më të lartë për sigurinë e Republikës së Shqipërisë”.
Grabitja me armë e aeroportit të Rinasin m’u në pistë pak para nisjes e avionit të mbushur me udhëtarë, është një akt i rëndë cenimi e dhunimi i sigurisë kombëtarë të shtetit shqiptar. Si i tillë duhet hetuar dhe nga kjo përgjegjësi duhet reaguar, prej prokurorisë në rend të parë!
Por, a ka Prokurori në Republikën e Shqipërisë?!