Albspirit

Media/News/Publishing

Menelaos Ludemis: Ftesë erotike

 

Eja pranë meje, nuk jam zjarr.
Zjarret i shuajnë lumenjtë.
I mbytin shtrëngatat.
I ndjekin thëllimet.
Nuk jam pra, nuk jam zjarr.

Eja pranë meje, s’ jam erë e marrë.
Erërave ua presin vrullin malet.
I shurdhojnë bulçimat.
I përfshijnë përmbytjet.
Nuk jam pra, nuk jam erë.

Eja pranë meje. As oqeani s’ jam.
Oqeanët i zaptojnë Tritonët.
I zbutin zefirët.
I çmendin sirenat. Jo.
Nuk jam oqean.

Eja pranë meje. Nuk jam as liman.
Nuk të premtoj një det pa dallgë.
As ekuinokset ëmbëltarë,
dhe ngrohtësitë alkionide.
Nuk jam liman.

Unë… nuk jam…
Veç se një shtegëtar lodhur.
Një rrugëtar nga udha i dërrmuar.
Që u mbështet në rrënjën e ullirit
për të dëgjuar këngën e bulkthëve.
Dhe po deshe…
Eja t’ i vëmë veshin bashkë.

Shqipëroi Arqile Garo, nga libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”.

Please follow and like us: