O Notre Dame, jo lot! Ne, rrënuesit e kishave sot i kemi ‘heronj’!
Fritz RADOVANI
VAU I DEJËS 1969
PARIS 2019…
DY KISHA MOSHATARE N’ EUROPË QË, NUK DO TË JENË KURRMA!
NË PLOT 50 VJET, DY FLAKË TË MNERSHME KA PROVUE EUROPA PLAKË:
15 PRILL 2019, Flaka zharitëse në Notre Dame të Parisit, shemi përfundimisht Katedralen monumentale 850 vjeçare, që ishte një “ciceron” mu në zemrën e Europës…
E bashkë me zanin e saj u shue përgjithmonë një ndër Kryeveprat e artit Botnor.
30 MAJI 1969, Flaka shpërthyese e dinamitit sllavo – aziatik të “Revolucionit 1967” e vume me dorën e anadollakut Fadil Ymeri, sekretar i PPSh në hidrocentralin e Vaut të Dejës, holli n’ erë Kishën e shek. XIII-të, ku asht kunorzue Heroi Kombtar i Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Shqipnia “ateiste” u kthye në një “vorrezë” besimesh fetare.
Pak muej mbas shkatrrimit të Kishës, kandidati i KQ të PPSh, Fadil Ymeri, një ditë po ua shpjegonte një grupit të teknikëve të Fabrikës së Pelhurave, i ulun në një tavolinë të mencës së saj, sesi para pak ditësh, me urdhën të mikut tij “shokut” Ramiz Alia, kishte hjedhë në erë me dinamit një nga kryeveprat e artit. Fadili po krenohej për këtë “besim” që i kishte vue detyrë PPSh…Një tmerr me e ndigjue se me sa madhështi e mburrje, po ua shoqnonte me lëvizje duersh “hudhjen në erë…si një dishka e mbrekullueshme…kur pa u shpërnda gurtë, Kisha kishte shkue një cope në hava, e mandej ra e u shkatrrue!..”
Shumë çudi! Fallsifikatorët e Historisë sonë vazhdojnë rrugën e vet të 1944…Anmiku i Gjergj Kastriotit, sulltan Enveri, as “nuk e kishte dijtë se Ajo Kishë, po hidhet në erë…”.
Pse, knaqej djali i bylykbashit me shkatrrimin e “një Kishe”?! – Ja një tjetër fakt:
Kur po ndërtohej hidrocentrali i Fierzës, Ramiz Alia thrret inxh. Besnik Bekteshin dhe i shpjegon se, “shoku Enver, ka menduar me Ju dërguar në hidrocentral. Sot ai do të tregojnë arsyet e ndërtimit të hidrocentralit aty tek ai vend…Dëgjoje me kujdes Besnik”!
Ing. Bekteshi hyni në dhomën e tij dhe Enveri, filloi me i tregue për hidrocentralin dhe arsyet e ndërtimit në Fierzë, të cilat vështirë se i beson kush sot. Ndër tjera ai i shpjegoi: “Do të ndërtojmë këte hidrocentral, i cili nën liqenin e tij ka për të përmbytur 38 kisha të vjetra dhe vetëm kështu ajo zonë do të spastrohet nga ato Kisha Katolike…”.
Ja pra, kjo ishte “Drita e Partisë”…Për të cilën po punohet me e “rindezur” dit’ e natë!
- Ah flakë, o flakë, e deri kur do të vazhdoni me zharitë Europen e bukur Plakë?!..
Melbourne, 17 Prill 2019.