PD: Rama ka vënë nën kontroll shumicën e mediave me tenderë dhe kërcënime
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka reaguar sot lidhur me raportin e publikuar gjatë ditës së sotme sa i përket lirisë së medias dhe fjalës së lirë në Shqipëri. Siç thuhej në raport, Shqipëria ka zbritur me 7 vende dhe për këtë PD bën përgjegjës kreun e qeverisë Rama në bashkëpunim me kryebashkiakun Erion Veliajn. Partia Demokratike ka denoncuar, prej kohësh, situatën alarmante të lirisë së medias në Shqipëri. Ajo thotë se pa media të lirë nuk ka transparencë dhe llogaridhënie të qeverisë, nuk ka informim të publikut, rrjedhimisht nuk ka zgjedhje të lira. Po ashtu PD vlerëson se media e lirë është kushti i panegociueshëm për hapjen e negociatave. Nisur nga kjo, Albana Vokshi tha sot se në situatën e rënduar për mediat dhe gazetarët, raporti i fundit i organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij” ngre alarmin se pa liri të medias rruga e Shqipërisë për në Bashkimin Europian është e gjatë. “Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhe nga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë në vitin 2018”, – thuhet në raport. “Në publikimin e sotëm të Indeksit Botëror të Lirisë së Medias, Shqipëria ka zbritur 7 vende, duke parë si përgjegjës kryesor kryeministrin Edi Rama”, – tha zonja Vokshi, motra e ish spikeres dhe gazetares në kohën kur vendi qeverisej nga Sali Berisha, Vjollca Vokshi, e cila aktualisht jeton në Venezeuelë. Albana Vokshi tha se Rama ka vënë nën kontroll shumicën prej tyre, nëpërmjet lidhjeve me pronarët oligarkë, tenderave, koncesioneve, PPP-ve apo licencave korruptive, siç evidentohet në raport.
Më tej ajo vazhdoi: “Reporterët pa Kufij shprehin shqetësimin se për “kapjen e mediave dhe përqendrimin e tyre në duart e një grushti biznesmenësh të mëdhenj”. “Politikanët, duke nisur nga kryeministri Edi Rama, i quajnë gazetarët kazan dhe fabrikantë të lajmeve të rreme” -thekson raporti, i cili kritikon dy projektligje për median të Edi Ramës si propozime që “forcojnë kontrollin e shtetit mbi median elektronike dhe kufizojnë aksesin tek lajmet dhe informimi”. Parimi i Ramës është atë që nuk e blen dot me tendera, koncesione, licensa – e kërcënon e shantazhon, fyen, përçmon, e çon në gjyq. Në indeksin botëror të Lirisë së Medias, Reporterët Pa Kufij ngrenë shqetësimin se “Gazetarët janë subjekte të fyerjes, kërcënimeve me vdekje dhe procedimeve ligjore, që synojnë t’i intimidojnë dhe t’i frenojnë ata nga investigimi i korrupsionit”. Dy ditë më pare, Partia Demokratike informoi organizatat ndërkombëtare për përkeqësimin e lirisë së medias, duke listuar të gjitha rastet e gazetarëve të kërcënuar dhe intimiduar nga qeveria dhe mafia. Gjatë vitit të kaluar ka patur raste të rënda të kërcënimit të gazetarëve për shkak të detyrës. Persona të paidentifikuar qëlluan në mes të natës shtëpinë e prindërve të gazetares Klodiana Lala, vetëm sepse ajo denoncoi lidhjet e deputetit të PS Jurgis çyrbja me bandën e Shullazit. Gazetari Julian Shota u kërcënua me armë në kokë sepse po transmetonte një shpërthim në një biznes në Laç. Policia goditi në kokë kryeredaktorin e RD Bledi Kasmi, ndërsa po raportonte protestën e opozitës para MB. Të gjithë këto, citoi Vokshi, kanë “krijuar një situatë në të cilën vetë-censura është gjerësisht e përhapur dhe 80% e gazetarëve nuk kanë besim për të ardhmen e tyre profesionale.” thuhet në indeksin botëror për lirinë e medias të Reporterëve pa Kufij. Tejet e shqetësuar nga kjo situatë, Partia Demokratike ka informuar në vijim të gjitha përfaqësitë diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare për Lirinë e Medias. Partia Demokratike ka kërkuar prej tyre të sjellin misione monitorimi për situatën e rëndë të medias në Shqipëri, si dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e tyre ndaj Kryeministrit për të ndalur sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve.