Albert Z. ZHOLI: I verbri nga Athina
Tregim
Grupi i njerëzve rrinte përballë semaforit të kuq në Athinë, në pritje të dritëkalimit.
-Tak… tak…tak…është hapur rruga jonë ?…tak… tak…tak- dëgjova në atë heshtje pritjeje.
Ktheva kokën dhe pashë një burrë të verbër. Ishte mbi të pesëdhjetat dhe veç syve dritëvdekur, gjithë trupi dukej i shëndetshëm.
-Akoma s’është hapur – u përgjigja unë, kur pashë se askush nuk po fliste.
I verbëri trokiti edhe disa herë shkopin dhe u afrua pranë meje, si i tërhequr nga zëri. M’u kujtua bastuni i Moisiut dhe i futa krahun të verbërit.
-Për ku e keni udhën? – e pyeta.
-Në metro,- m’u përgjigj i verbëri dhe duke zgjatur bastunin, vazhdoi- nga jeni, se nuk më dukeni grek?
-Jam nga Shqipëria – ia ktheva unë dhe më erdhi mirë, kur dora e tij më shtrëngoi krahun me siguri dashurie.
-Si e keni emrin? E si ju flasin?
-Albert më quajnë e Albert më flasin,- u përgjigja me krenari për emrin tim dhe për ta sqaruar më tej vazhdova: Kam dy vjet që jetoj këtu.
-Shumë mirë, shumë mirë, përsëriti njeriu me shkop dhe vazhdoi të më fliste:
-Në lagjen ku banoj kam një djalë nga Tirana, Andon e thërrasin po emrin e ka Agron. Nga halli e ka ndërruar, si shumë shqiptarë, që të bëhen më të besueshëm tek pronarët …- trokiti disa herë me shkop, sikur i dha sinjale tokës apo i tregoi se ku ishte dhe vazhdoi – Dhe me Agronin, kështu si me ty u njoha. Më ndihmoi në një udhëkryq. Gjithë bota në udhëkryq është e aq më keq ne të verbërit. Agroni është djalë i mirë si ty. Shqiptarët nuk janë të gjithë ashtu si flasin radiot e televizorët. Dru të shtrembër ka në çdo pyll, edhe këtu, edhe atje.
-… Tak…tak…tak është e hapur udha jonë?!
-Po!- i thashë.
“Ky jeton në shtatë botë, mendova, me bastunin e tij me shtatë nyje. Por ne njerëzit me sy nuk e kuptojmë. Ne nuk jetojmë dot as në botën tonë të dritës”.