POEZI PLOT ËMBËLSI, ORIGJINALITET, THJESHTËSI DHE EMOCION
(“Loti është grua”, i poetes Enkelejda Islam Kondi/Masseboeuf)
Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI
Autorja e librit është me origjinë labe dhe korçare, prandaj edhe muzën poetike e ka të trashëguar, të lindur që në fëmijëri. Të jetosh në Maliq, Korçë e Labëri e ke fare të thjeshtë të gjesh motivin që e ushqen natyra, të rrëfesh mes vargut poetik, ku është si ta “korrësh” me kosë mendimin që toka margaritar ka me shumicë, mjafton të dëgjosh nga babai e nëna, nga gjyshi e gjyshja dhe krejt papritur ndodhesh në një bahçe mendimi, të rrethuar me lule manushaqe, me trëndelinë e lule akthi.
Autorja, Enkelejda si bijë oficeri, me emër të lashë e të ri të ardhur nga prejardhja arbërore vjen në këtë promovim me një “tufëz” poezish të zgjedhura e të përzgjedhura, të ëmbëla e komunikuese, që ka ditur t’u “gjejë zemrën poetëve dhe adhuruesave të poezisë, ka ditur t’u hedhë, kripë e piper, t’u shtojë erëza shqipërie, mesdhetare e europiane dh eta bëjë poezinë e saj të flasë me mesazhe e të transmetojë brishtësi, kthjelltësi, sinqeritet, origjinalitet sipas kohës e stinëve që jetojmë.
Duket qartë se në formatin poetik, Enkelejda qëndron solide në “lëkurën e saj”! sepse në librin e saj dy gjuhësh shqip dhe anglisht me 117 faqe ka 50 poezi. Përpara se të ngrejë siparin e librit ka një përshëndetje “Mirëmëngjes Atdhe” dhe më tej shpalos gjithë arsenalin e saj që brenda çdo krijimi ka dashuri dhe ndjenjë, qetësi dhe kthjelltësi, shpërthime befasuese, muzikalitet poetik, preferenca ndjenjash dhe buzëqeshjesh, çiltrsi fëminore, imagjinatë dhe ëndërra, shpirt që flet me gjuhën e syve. Poezia e Enkelejdës vjen e natyrshme dhe me origjinalitet. Ajo flet me dhimbje shpirti poeti, që “kurrë nuk është i/e lumtur”, portretizon “Autoportretin” si “një pikë vese kristal mëngjesi”, që “malli përplaset mureve të heshtjes”, gjithmonë “me shpresë”.
Autorja është e lirë kur flet për parkun, “për pranverën që puth buzët e virgjëra, me erën e barit të njomë, kur çelin fletët e manushaqes, në ditë prilli..”, si dhe krijon në vijimësi disa “stacione poetike” si: “Më mungon”, “Në unin tënd”, “Ty”, “Vegim”, “Nata”, për të ardhur tek “Bora e shkrirë me qiej të krisur”. Poetja e gdhend fjalën, e fut në morsën e sugurisë dhe rrjedhshmërisë së vargut, e “zhyt” në detin e mendimit poetik dhe e than në diellin e larë me dritë dielli… Loti është grua,/Busull e vogël,/që shket si ortek,/ Nga cepi i syrit,/Afsh shpirtëror, shprehje e ndjenjës,/Por dhe e gëzimit,/Loti është grua,/Stolia e shpirtit,/Loti ka emër, loti ka zemër,/Loti është grua, ditën ose natën…/Loti s’ka kohë, loti jam unë, /Unë jam grua…”. Autorja nuk e tret vështrimin në kujtime, por tek njerëzorja me mish e me gjak.., synon ta “lodhë” lexuesin që të ngjisin bashkë kodra e male poetikë, me fustanin shekullor kuq e zi të shqipërisë e shqiptarëve, të atdheut të Naimit, Migjenit, Fishtës, Kadaresë, Agollit… Autorja i këndon luleve, pranverës e verës, por edhe të gjithë stinëve. Kështu tek poezia “Vjeshtës”, kjo “stinë me ar’shpirtin praruar”, kësaj vjeshte, që autorja plot çiltërsi shprehet: “me ty jam dashuruar”!. Përbri njera-tjetrës rrinë sup më sup “Ndjenja” me “Mundohemi”, ku “janë ndërlikuar fijet e së vërtetës”.
Ndërsa tek “E shtrenjta ime”, derdhet pa kursim “parfumi i dashurisë”, të mbushur e të thurur me “kurore ëndrrash”, me mëndafsh plot ngjyra rozë, të kuqe në pika vese..”, por që gjithçka është për “të shtrenjtën time”. Malli poetik vjen me “Ku je” dhe “Për Ty” duke synuar “të tashmen dhe të ardhmen përjetësi”. Në të pastajmen vargëzimi poetik rrjedh si lumenjtë shqiptarë, por edhe ata francezë plot zhurmë e shkumbëzim nga majëmalesh por edhe me qetësinë shpirtërore të lumenjve që çelin jetën kudo ku kalojnë fushave të gjelbëruara me qylimin e përjetësisë dhe mirësinë e dashurisë.
Nga ana tjetër ta kërkosh dhe ta gjesh frymëzimin poetik në amjentin shqiptar, në kujtime, mendime e premtime, është bukur, por në ambjentin europian e francez në atdheun e shkrimtarëve si Fransua Vijo, V.Hygo, Volteri, Emil Zola, Balzak…., është një ndjenjë më se e globalizuar dhe europianizuar. Libri poetik mbyllet me “Janarin”. Nuk e dimë pse poetja gjen muajin e parë të vitit për të përmbillur këtë libër, edhe pse vetë e deklaron, “që asnjëherë nuk e ka dashur janarin”, për ditët e tij me të ftohtë të acartë?, për muaj të gjatë?, për arsye se është “i mërzitshëm dhe lakuriq”?, apo është “i plogësht”? apo nuk e “lënë të marrë frymë nga “kujtimet e dhjetorit”?, “”për zogjtë që fluturojnë të hallakatur”?, “sikur s’dinë se ç’pranverë presin”? dhe pse vallë: “Pranvera do të vijë me sy mbyllur së shpejti…” është në fakt dëshira e poetes për pranverë dhe lulëzim të përbashkuar europian. Urime Enkelejda poetja jonë shqiptare e franceze që hedh ura europianizuese!
Kushdo që ka lexuar poezinë e saj thotë: “Enkejejda Islam Kondi punon në heshtje dhe e lë suksesin që të jetë zhurma e saj!” Personalitetet e larta të artit, kulturës shqiptare si Dhimitër Orgocka“Mjeshtër i Madh”, Luftar Paja, Silvana Brace, Ago Nezha, Gëzim Tushi, Kozeta Zavalani, Zana Zyrakja, Prof As. Bernard Zotaj, Prof. As Agron Agolli, recituesja e talentuar Anxhelin Zholi i dhanë dritë e ndriçim veprës së Enkelejdës në një promovim mbi librat “Heshtje e kthjellët”, “Një vjeshtë pa ty”, “Shtegtim ndjenjash”, “Ëndrra e një vajze”, “Loti është grua”. Padyshim këtu një rol të spikatur ka moderimi i redaktorit të librave Albert Zholi, mjeshtër për promovime librash. Në aktivitetin promovues dy vlerësime me “Krenari e qytetit” të Maliqit dhe “Mirënjohje e Labërisë”, ishin qershia mbi tortë për poeten e talentuar Enkelejda Kondi-Masseboeuf.