Albspirit

Media/News/Publishing

Turqit braktisin aeroportin e Vlorës

Procedurat për dhënien me koncesion të Aeroportit të Vlorës do të nisin nga e para. Ministria e Infrastrukturës konfirmon se afati i ligjit, që autorizonte qeverinë për negociimin e marrëveshjes me konsorciumin turk prej 3 kompanish që kishte paraqitur ofertë konkrete, ka përfunduar dhe nuk ka firmosje kontrate, ndërkohë që njëkohësisht po përgatitet një garë ndërkombëtare për këtë koncesion. Në planet e qeverisë është që ndërtimi, operimi dhe mirëmbajtja e Aeroportit të Vlorës të jepet me koncesion për 35 vite. Interesi, sipas Ministrisë së Infrastrukturës është i lartë nga investitorët, ndërsa procesi i ri, që do të jetë një garë ndërkombëtare, do të përmbushë të gjitha kushtet ligjore dhe elementet e transparencës. Procedurat e ndjekura dhe vet propozimi për koncesionin e aeroportit në Akërni të Vlorës patën shkaktuar shumë debate. Skema parashikonte një nivel dysheme të ardhurash vjetore, sipas një formule koncesioni të ngjashme me atë të mirëmbajtjes së rrugës Durrës-Kukës. Nëse kjo e ardhur nuk arrihet nga shfrytëzimi i aeroportit, atëherë qeveria i paguante koncesionarit diferencën nga buxheti i shtetit. Nuk dihet nëse konsorciumi turk, i përbërë prej “Cengiz Construction”, “Kalyon” dhe “Kolin Construction”, do të jetë pjesë e garës apo jo. Po ashtu nuk dihet nëse procedura e re e koncesionit do të përmbajë përsëri formulën e garantimit të të ardhurave minimale nga buxheti i shtetit.

Please follow and like us: