Cikël poetik nga Katiola Karoli
Nuk mund të bëj gjë
Tek shoh ujëvarat-kristal që rrjedhin nga sytë
Ndjehem e pafuqishme, si një fëmijë.
Me puthje zjarr dua t’i mbuloj ato
Të mos e njohësh ti mërzinë.
Kur të shoh të shkatërruar shpirtërisht
Me sytë ngulur në një hapësirë bosh
Më vjen të shemb malet e të ulërij
Të klith, sa e pashpirt qenka kjo botë.
Dhe ti, viktimë e naivitetit
Me flokët shpushpurisur nëpër erë
Me ndjenja tronditur si mbas tërmetit
Vajton fatin tënd të zi, të mjerë.
Kur shoh ujvarat kristal në sytë e tu
Dhe unë nuk mundem dot t’i ndal.
Mblidhem dhe bëhem sa një grusht.
As ti dhe as unë nuk kemi faj.
Penë e dashur
Penë e dashur pse sot nuk bindesh?
Kur mendimet rrokullisen si shkëmbinj.
më shumë se kurrë ke ndjerë sot dhimbje.
Pse nuk po e liron sot ti shpirtin tim?
Penë e dashur mos u bëj kokëfortë.
Derdhi pa frikë mendimet e mia.
Me re të zeza pis më është mbushur shpirti.
Zemra më është çarë më dysh nga mërzia.
Penë e dashur sot po të lutem unë.
Derdhu mbi fletën borë të bardhë.
As lotët as britmat nuk më çlirojnë.
Sesa kur me ty hedh mendimet në varg.
E di dhe ti sot si mua je trembur.
E dora dridhet kur fletën çjerr.
Mendimet arratisen, vrapojnë çmendur.
Në këtë botë lugat zhytur në terr.
Penë e dashur sot po të them çlirohu
Dhe derdhuni vargje sot pa frikë
Në këtë botë vetëm hipokrite.
O unë, o ju do kujtohemi një ditë.
Eja tradhti!
Eja tradhti sot dua të të shoh në sy.
Me thonj ta çjerr fytyrën tënde.
Të të shoh në dridhesh nga dhimbja.
Në trembesh o demon, në çmendesh?
Eja tradhti të ta njoh fytyrën.
Me mijëra maska je shfaqur ti.
Të të kap për fyti me forcën e shpirtit.
Të të shoh tek dridhesh e derdh lot, ti.
Por unë e di nuk ke për të ardhur kurrë.
Drobitur jam nga pritja 100 vjeçare.
Në mundsh të më dalësh përpara.
Guxo më shiko në sy, o hije tradhtare.
Eja tradhti, unë po të pres.
Të qeshesh, të tallesh me mua.
Në ardhsh me fytyra demonësh.
Eja me sfido dhe pse jam grua.
Me thonj do ta çjerr maskën tënde.
Njëherë të vetme të të shoh në fytyrë.
Gëlltitur kam lotët sa një oqean dhimbje.
Eja me dil përpara, o krijesë e ndyrë.
Tradhti, o fytyrë e pafytyrë.
Me shpirtin si korb të zi.
Në çdo skutë do të të kërkoj.
Nëse nuk vjen, do vij unë tek ti.