Grabitja e Rinasit, një nga të arrestuarit pranon bashkëpunimin me drejtësinë
Alkond Bengasi, një nga të arrestuarit gjatë fundjavës në lidhje me grabitjen e fundit në Rinas, ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. 34-vjeçari, sipas prokurorëve të çështjes ka pranuar të japë detaje në lidhje me grabitjen si dhe të identifikojë personat e tjerë që morën pjesë. Po ashtu mësohet se atij i janë vënë para dhe fotografi të personave të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në përgatitjen e grabitjes duke identifikuar disa prej tyre. Këtë të martë, Gjykata ka vendosur masën “arrest me burg” për Alkond Bengasin. Ai është kushëri i Klement Çalës dhe akuzohet për grabitje, grup të strukturuar dhe armëmbajtje dhe prodhim municionesh. Vetë Klement Çala, është një person me precedentë të rrezikshëm dhe me të kaluar kriminale në Greqi dhe në Shqipëri po në fushën e grabitjeve të armatosura i cili vazhdon të jetë në kërkim që prej 2013-s. Veç 34-vjeçarit në pranga kanë përfunduar dhe Renaldo Sula, 25 vjeç Saimir Çela, 28 vjeç, banues në Elbasan dhe 38-vjeçari Oltian Veseli, banues në Krujë. Prangosja e tyre u krye 13 ditë pas ngjarjes. Dy nga të arrestuarit kishin në pronësi servisin që gjendet në rrethrrotullimin e Bradasheshit në Elbasan, atje ku dyshohet se u modifikua dhe makina me logon “Hetimi Tatimor”.