Grabitja e Rinasit, shpallet në kërkim ish polici
Prej kohësh emri i tij përflitej, si një nga bashkëpunëtorët në lidhje me grabitjen e 9 prillit në Rinas. Vetëm ditët e fundit është shpallur në kërkim ish-efektivi i policisë së Rinasit, Mariglen Hoxha.
Ai dyshohet si një ndër personat që ka ndihmuar me informacione anëtarët e bandës së drejtuar nga Admir Murataj, për të realizuar grabitjen brenda pistës së aeroportit.
Emri i ish-efektivit u zbulua nga tabulatet telefonike. Dyshohet se ish-polici me origjinë nga qytetit i Elbasanit të ketë ndihmuar me oraret e sakta për lëvizjen e dërgesave të parave për anëtarët e bandës së drejtuar nga Admir Murataj dhe Klement Çala.
Emri i ish-policit Hoxha doli edhe në grabitjen e qershorit të 2016-ës brenda pistës së Rinasit, të ideuar dhe realizuar nga personi që vijon të jetë ende në kërkim Aleks Pepa.
Hetimet për Mariglen Hoxhën u mbyllën nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, ndërsa ish-polici kishte dhënë dorëheqjen vetëm 1 muaj e gjysmë para se ndodhte, pasi nuk kishte pranuar të shkonte në një tjetër detyrë.