Albspirit

Media/News/Publishing

Kostis Palamas: KASSIANIA

 

Imzot, një grua mëkatare qënkam vetë,
të shumta e të rënda kam gjynahet unë si femër.
Por, Zoti im, shkëlqimi Yt kur nis më flet
shkon drejt në zemër!

Imzot, para se tokë e ftohtë të të mbulojë
unë agut rrezeartë lulet ja mblodha,
tërë adhurimin që një shpirt mund të burojë,
livan ta hodha.

Pasion epshor, tundues, më sfilit… E natë
pa yje e pa hënë, e errët më qarkon,
kjo mugëtira mëkatare flakë e zjarrtë
më djeg, më përvëlon.

Ti që nga detet ujët ngre e lartëson
e i kthen në re, m’ i merr, si dashuria,
tek rrjedhin lumë, si llavë që gurgullon,
lotët e mia.

E më shiko. Se shpirti dhemb e drithma ndjen!
Pranomë dhe mua Ti, në mbretërinë hyjnore,
nga ku jehona qiellore gjer në tokë sa vjen,
ringjallet prore.

Në gjunjë po të përulem Zoti im,
të puth më adhurim këmbët e dlira,
me flokun tim do të t’ i fshij më përdëllim,
më marrtë e mira.

Dhe Eva q’ e dëgjoi ndaj mbrëmje vonë
dritë e parajsës tek po ndrinte, reflektonte,
me tmerr vajti u fsheh… Dhimbjen më shton,
shpëtomë ti sonte.

Shpirtçlironjës mëkatesh oh, popull i shkretë.
Turbullirën kush mund ta qërrojë përnjëherë?
Me mëshirë pa kufi veç një Zot më thërret.
Gjykim’ i mjerë.

Shqipëroi Arqile Garo, nga libri “Pelegrin në ujëvarat e poezisë helene”.

Related image

Please follow and like us: